Sekret për 50 vite, hapet bunkeri “i panjohur”

I maskuar mes pemëve të larta në pyllin Rold Skov të Danimarkës gjendet bunkeri Regan Vest i mbajtur tepër sekret për më shumë se 50 vjet.

Streha, 30 kilometra në jug të qytetit Aalborg, u ndërtua gjatë kulmit të Luftës së Ftohtë. Kuratorja e Muzeut Historik të Rajonit Verior të Danimarkës, Bodil Frandsen, e ka bazuar doktoraturën e saj mbi bunkerin Regan Vest të kthyer tashmë në një muze.

“Pas revolucionit hungarez dhe incidenteve të Kanalit të Suezit, frika e një lufte ishte shumë reale.

Në të njëjtën kohë, kishin evoluar edhe bombat bërthamore dhe veçanërisht prova me bombën me hidrogjen”, thotë ajo.

Bunkeri “Regan Vest” nuk kishte qëllime ushtarake, por ishte projektuar si strehë për qeverinë dhe mbretëreshën e Danimarkës në rast të shpërthimit të luftës bërthamore. Rënia e bunkerit do të shënonte edhe fundin e demokracisë daneze.

“Bunkeri u ndërtua në bazë të idesë se lufta bërthamore do të zhvillohej në tre faza.

Faza e parë ishte më seriozja, që mendohej se do të zgjaste 30 ditë”, thotë zonja Frandsen.

Në fund të një korridori dredharak prej 300 metrash të gjatë dhe 60 metrash poshtë sipërfaqës shkëmbore ndodhet një kompleks me dhoma fjetjeje, klinikë kirurgu, qendër operacionale dhe sallë takimesh.

Punimet për bunkerin filluan ndërsa bota po shënonte kriza të njëpasnjëshme. Bashkimi Sovjetik po kryente prova bërthamore, u ndërtua Muri i Berlinit, si dhe vendoste fshehurazi raketa në Kubë. Varnke Egeskov është kuratore në bunkerin “Reagan Vest”.

“Në këtë bunker bërthamor do të jetonte qeveria daneze, udhëheqja, disa pjestarë të shtypit dhe telekomunikacionit. Ndërsa disa të tjerë që do të merreshin me funksionimin e gjërave, si ajrimi apo makineritë e tjera.

Bunkeri do të strehonte 350 njerëz”.

Danimarka, vend anëtar i NATO-s e përfundoi ndërtimin e bunkerit në vitin 1968. Por banorët e zonës nuk ishin në dijeni të ekzistencës së bunkerit deri në vitin 2012, kur u bë deklasifikimi.

Objekti, i cili ende ka mobilimin e atyre viteve, mund të vizitohet nga publiku, thotë kuratorja Ulla Varnke Egeskov.

“Është sikur të shkosh në kohën e Luftës së Ftohtë, mes frikës dhe përgatitjeve për luftën që do të vinte. Po ashtu është si të futesh në një kapsulë kohore sepse gjithçka këtu është nga vitet 60, 70 dhe 80… shikon gjëra që të kujtohen nga ajo kohë.

Të ngjall frikë dhe kujtesë”.

Hyrja e bunkerit është e maskuar nga një shtëpi e verdhë ku dikur jetonte inxhinieri dhe familja e tij.

Ndërtimi zgjati pesë vite (1963-1968) dhe rëndësia për projektimin e tij u shtua edhe më shumë gjatë krizës së raketave ruse në Kubë, kur bota ishte shumë pranë një konflikti bërthamor.

“Bunkeri i kthyer në muze ofron një histori rreth bombave atomike. Por thelbi ka të bëjë me demokracinë”, thotë drejtori i muzeut Lars Christian Nørbach.

Kuratorët thonë se tensionet aktuale mes Rusisë dhe Perëndimit e bëjnë edhe më të rëndësishme historinë e bunkerit bërthamor.

“Mjafton fakti që kemi një luftë në Evropë dhe po flitet rreth këcënimit të një lufte bërthamore, çka e bën konceptin e tunelit bërthamor edhe më të rëndësishëm”, thotë zonja Frandsen.

Vargu malor ku gjendet bunkeri është rreth 400 kilometra nga kryeqyteti Kopenhagen. Regan Vest u nxor nga shërbimi në vitin 2003 dhe ekzistenca e tij u bë publike në vitin 2012. /VOA

ObserverKult


Lexo edhe:

BUNKERËT SHQIPTARË, SI VININ PARATË PËRMES “KANALIT USHTARAK” KINEZ

Ky dossier është përgatitur përmes intervistave që ish-drejtuesit madhorë të ushtrisë shqiptarë të para viteve ’90, kanë dhënë ekskluzivisht për gazetarin Leonard Veizi.

Flasin: Kostaq Karoli, Bajram Mane, Thoma Lakra, Hetem Halili e Agustin Gjinaj: “Betonizimi për rast lufte. Në terren jo më shumë se 170 mijë qendra të fortifikuara”.

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult