Tregtarët evropianë sillnin lajme të frikshme nga Lindja. Ata flisnin për një armik të padukshëm që i tmerronte qytetet. Rrëfenin për djegie kufomash dhe për një duhmë që shpërndahej kudo. Nuk kaloi shumë kohë dhe armiku i padukshëm arriti fshehtas në dyer e Evropës. Kaloi edhe nëpër Ballkan. U quajt “vdekja e zezë”. Ky armik mikroskopik shkaktoi katastrofë demografike ndërmjet viteve 1346 deri 1353. Murtaja që erdhi nga Kina e preku Azinë, Afrikën dhe gjithë Evropën. Sipas historianit Jahja Drançolli, ajo e tmerroi edhe Durrësin, Lezhën, Novobërdën, Pejën, Prishtinën, Shkodrën, Tivarin, Trepçën dhe Ulqinin.
Nga Salajdin Salihu
Disa historianë thonë murtaja u përhap nëpërmjet minjve të anijeve. Të tjerë besojnë se u përhap prej mongolëve, që e mbanin të rrethuar fortifikatën gjenoveze të Kafas. Kur u shpartalluan nga murtaja, në shenjë hakmarrjeje, ata hodhën me katapultë kufoma të infektuarish brenda mureve të qytetit dhe infektuan rojet që pastaj e shpërndanë vdekjen në vendet e tyre. Pastaj kudo tmerr. Të vdekur dhe të pavarrosur. Disa kufoma brenda një qivuri. “Oh, njerëzit e lumtur të së ardhmes, që nuk kanë parë kësi mjerimesh, ndoshta do ta kategorizojnë dëshminë tonë te përrallat”, shkruante Petrarka. “Gjatë kasaphanës nuk kishte vende për të varrosur të gjithë trupat; njerëzit e sëmurë qëndronin të braktisur në rrugë apo shtriheshin trotuareve duke gulçuar deri sa jepnin shpirt. Ju e takonit një mik për drekë, kurse në mbrëmje ai kishte shkuar të darkonte me etërit e tij në Parajsë”, shtonte Bokaço.
Epidemia e murtajës shkaktoi epidemi legjendash. Disa besonin se sëmundja mbartej nëpërmjet shikimit. Të tjerë besonin se mbartej nëpërmjet ajrit. Njerëzit u dhanë pas magjive, talismanëve, hajmalive. Kambanat e kishave binin pa ndërprerë. Sekti i quajtur “flagellant”, që numëronte rreth 800 mijë anëtarë, veçanërisht në Itali dhe Gjermani, besonte se me nëpërmjet vetëndëshkimit mund të zgjohej mëshira e Zotit dhe të largohej gjaku i infektuar. Profesorët nga Parisi e lidhnin pandeminë me renditjen tragjike të Saturnit, Jupiterit dhe Marsit në shenjën e Ujorit ndodhur në vitin 1345. Konstelacioni planetar, sipas tyre, përhapi helme në hapësirë. Disa “ekspertë” mendonin se sëmundja mposhtej me flakjen e mendimeve të errëta dhe duke dëgjuar muzikë. Njerëzit e traumatizuar filluan ta jetonin çastin, që na përkujton skenat e “Dekameronit” (1353) të Xhovani Bokaços.
Thuhet se Evropa vazhdon t’i vuajë efektet e “vdekjes së zezë”. “Te historianët e sotëm nuk ka dilemë se murtaja endemike e vitit 1348 la pasoja të rënda ndaj ekonomisë dhe ndaj shoqërisë”, shkruan Barney Sloane në librin “Vdekja e Zezë në Angli”.
Pandemia ndikoi në planin demografik, intelektual, religjioz, artistik, gjuhësor e moral. Struktura demografike u ndryshua rrënjësisht. Historianët thonë se pas epidemisë u pakësua fuqia punëtore, u shtrenjtua puna e dorës, u varfëruan bujqit, u dekompozua sistemi feudal, u nxit individualizmi dhe u krijua hapësirë për kapitalizmin. Gjithashtu u ndërpre çdo aktivitet intelektual. Kisha e humbi fuqinë, sepse nuk arriti ta ndihmonte popullin. Sipas Zhaklin Brosole, për mungesë priftërinjsh “kisha rekrutonte persona të paditur dhe apatik”, që çuan në “dobësimin e qendrave (kishtare) të shkencës dhe besimit”. Ky ishte shkaku për shfaqjen e reformacionit. Në art vdekja u bë temë kryesore e artistëve. “Vallja e vdekjes”, skeletet dhe kufomat u bënë alegori e fuqisë së vdekjes. Menjëherë pas murtajës, shkruan Srgjan Maldoran, filloi ndikimi danez në Norvegji. “Për këtë shkak erdhi deri te zhvillimi i dy “varieteteve” të gjuhës norvegjeze”. Gjithashtu, me vdekjen e shumë mësuesve francezë u shua edhe klasa e arsimuar në Angli që e fliste gjuhën frënge. Kjo e ndihmoi gjuhën angleze ta dominonte frëngjishten në Britani. Njerëzit që e përjetuan murtajën tejkaluan çdo normë morale duke u dhënë pas çastit, kurse kjo çoi në degradim moral.
Megjithatë “vdekja e zezë” i nxiti njerëzit që të mendonin për krijimin e një sistemi të kontrollit higjienik. Venediku dhe Franca filluan t’i pastronin rrugët. Më 1894 bakteriologu francez, Aleksandër Jersin, e ndau bacilin që e shkaktoi murtajën. Për nder të tij u quajt yersinia pestis. Disa vite më vonë francezi tjetër, Pol Luj Simon, e zbuloi rolin e pleshtave dhe minjve në mbartjen e sëmundjes. U zbulua edhe vaksina me efekt të kufizuar. Por sëmundja nuk u zhduk. Ajo u shfaq sërish dhe mund të shfaqet sikurse te “Murtaja” e Kamysë. Në një qytet të zymtë e të harruar njerëzit shohin minj të ngordhur dhe nuk besojnë se qytetërimi u rrezikohet nga murtaja. Gjërat marrin ters. Njerëzit vdesin. Qyteti vihet në karantinë. Varrime pa ceremoni. Dëshpërim e ligështim. Njerëz të tjetërsuar nga izolimi. Ndryshim në mënyrën e të menduarit dhe të vepruarit. Tronditje e brendshme. Disa përfitojnë nga tragjedia. Pastaj, duket se murtaja është mposhtur. Megjithatë ajo nuk është zhdukur. Është diku. Pret çastin të shfaqet.
Nga pandemia e quajtur “vdekja e zezë” njerëzimi duhet të mësojë përherë, veçanërisht tani kur po përballet me një viruse të reja.