Shtëpia Botuese “Dukagjini” ka sjellur për lexuesit romanin më të ri të shkrimtarit Gëzim Aliu, “Sëmundje dhe Perëndi”.
“Sëmundje dhe Perëndí” është roman për trazimin shpirtëror. Për peshën e pyetjeve të mëdha. Për besimin dhe humbjen e besimit në Perëndi. Për gënjeshtrat. Dyshimin. Dashurinë e xhelozinë. Familjen. Fanatizmin. Përkohshmërinë. Dhembjen. Vuajtjen. Vdekjen. Jetën. “Sëmundje dhe Perëndí” është roman për Njeriun! Jo për njeriun e humbur. Është për Njeriun dhe vetminë e tij të përjetshme.
“Ky roman ka qëndruar disa vite i mbyllur në zemrën dhe mendjen time. I mbyllur në faqet e dorëshkrimit. Kur dorëshkrimi fillon të shkoqet ngadalë, me dhembje, nga unë dhe më në fund botohet, përjetoj një lloj lehtësimi, më duket sikur kanë nisur të mbijnë e të harkohen ura për të më lidhur me lexuesit e sotëm, lexuesit e ardhshëm”, thotë shkrimtari Gëzim Aliu.
Në Panairin e Librit në Prishtinë, Aliu ka patur një takim me lexuesit dhe njëkohësisht ka nënshkruar kopjet e para të romanit.
Shkrimtari dhe studiuesi Agron Gashi ka vlerësuar romanin e Aliut, duke thënë se është i shkruar ngadalë e mjeshtërisht.
“Leximi i dorëshkrimit është pjesë e besimit nga autori, i cili duke ta dhënë statusin dhe privilegjin e lexuesit të parë, pothuajse bëhesh pjesë e vetë procesit artistik. Dje e mora edhe të botuem romanin e ri të Gëzimit, “Sëmundje dhe perëndí”.
Jam fascinu kur e kam lexu. Roman i shkruem ngadalë e mjeshtërisht, i menduem gjatë e i përmbledhun mirë. Ka disa vjet që e ka lanë në sirtar për ‘me ardhë si vena’. Iu ka kthye e rikthye. Prandaj, veprat e mira e duan autorin e prajtë e të durueshëm, siç është Gëzim Aliu , tashmë njëri prej shkrimtarëve më të mirë të letërsisë shqipe.”, thekson Gashi.
Romanin mund ta gjeni në librarinë “Dukagjini” në shesh dhe në Prishtina Mall.
ObserverKult