Mua nesër më zgjo sa më herët,
Nëna ime plot mall e durim
Do të nisem tek kodra e pjerrët
Të takoj në livadh mikun tim.
Unë gjurmë kam parë pas zallit
Nga ka shkuar karroca e tij…
Era rreh mbi qaforen e kalit
Të qëndrisur në argjend e flori.
Në mëngjes si veriu do të ngasë,
Duke ulur kapelën nën dushk,
Pela këmbët në bar do përplasë,
Do të ngrihet me bishtin e kuq.
Mua nesër më zgjo sa më herët,
Ndize dritën në qoshen e vet…
Flasin klubeve miqtë e të tjerët
Se do bëhem më i madhi poet!
Do këndoj dhe për ty dhe për ç’dua,
Për këndezin dhe strehën me prag
Dhe nga lopët e kuqe të tua
Do ta mbush plot me qumësht çdo varg.
Shqipëroi: Dritëro Agolli
———————–
LEXO EDHE: LUTJA E NJË NËNE…DY VARIANTE PËRKTHIMI TË ESENINIT
Sergej Esenin: Lutja e një nëne
Në një qoshe të fshatit tonë
Është një e vogël, e vjetër izbë
Aty gjunjazi nën ikonë
Lutet një plakëz e imët.
Lutet plaka dhe me mall
djalin e saj ndërmend sjell
që në një krahinë të largët
po lufton tash për atdheun.
Befas një fushë beteje
sheh me syrin plot trishtim
dhe në fushë djali i dergjet
që dha jetën porsi trim.
Ajo ngrin e tëra në çast
nga një i dhimbshëm gëzim,
kryet e thinjura sakaq
përmbi kahë gjen pushim.
Ajo sytë kapsallit
Lotëve rrjedhën t’ua ndalë.
Porse syri i vetëtin
Dhe i pikon margaritarë.
Shqipëroi: Klara Kodra
Sergej Esenin: Lutja e nënës
Në periferi të fshatit, në një izbë, krejt e vetmuar
një nënë plakë para ikonës, po lutet e gjunjëzuar.
Lutet për djalin e vetëm, vajti kohë që s’ i ka shkruar,
pse lufton në dhe të huaj, atdheun për të shpëtuar.
Lutet nëna e mjeruar dhe fshin lotët që e verbojnë,
atëherë syri i mjegulluar sajon pamje që e tmerrojnë.
E çon në një fushë beteje, lufta ende s’ ka filluar,
sheh djalin e saj hero, të vrarë, me lavdi mbuluar.
Përmbi gjoks njollat e gjakut përshkënditje e flakëruar,
dhe flamurin e armikut, dorë e ngrirë e mban shtrënguar.
Ngazëllimi drithërues i ngrin gjakun plot trishtim,
kokë e saj e zbardhëlluar mbi pëllëmbët gjen strehim.
I mbulon vetullat, ballin, floku i rrallë që ndrin nën zjarr,
por tashmë, lotët që rrjedhin ngjajnë porsi margaritarë.
Përktheu Arqile Garo