
Servilizmi
Servilizmi është një mjet shumë i dobishëm për karrieristët.
Njerëzit mediokër, të cilët shpesh janë hipokritë, e gjejnë servilizmin si rrugën drejt suksesit me një lehtësi të habitshme. Këta njerëz kompensojnë mungesën e karakterit të tyre me aftësinë e tyre të madhe për t’iu përshtatur çdo rrethanë që është e favorshme për ta.
Metodat dhe sjelljet e përdorura nga servili për të arritur qëllimet e tyre janë gjithmonë të njëjta:
- Ata zgjedhin me kujdes “zotërinjtë” e tyre dhe vendosen në shërbim të tyre.
- Ata harrojnë vlerat e tyre themelore (nëse kanë pasur ndonjëherë) dhe përshtaten me atë që është në interesin e tyre, pa më të voglin turp.
- Nëse ndjejnë kontradikta, ata heshtin dhe nuk rebelohen kurrë kundër tyre.
- Servili ngjitet shpejt në shkallët shoqërore, ekonomike, burokratike ose politike. Dhe këtë e bën duke poshtëruar veten dhe duke ofruar të kryejë shërbime që askush tjetër nuk do të ishte i gatshëm t’i kryente.
- Arritje të tilla bazohen në një, ose akoma më mirë, në disa, nga “cilësitë” e mëposhtme: aftësia e tij për intriga, dinakëri në të folurit dhe në të vepruar, poza të llogaritura, kulturë sipërfaqësore, sjellje të hapura joshëse prej lajkatari dhe oportunisti.
- Duke kryer me sukses detyrat e tij të caktuara, servili fiton besimin e atyre që e manipulojnë dhe fillon të konsiderohet i besueshëm dhe i dobishëm.
- Ai gjithmonë ka aftësinë për të justifikuar veprimet e tij, për të nxjerrë çështjet nga konteksti, për të kryer punë të ndryshme, për të dhënë mesazhe, për të përhapur thashetheme, për të shtrembëruar rrethanat ose për t’u përshtatur me çdo situatë që është e favorshme për të.
- Ai gjithmonë e di se çfarë duan të dëgjojnë zotërinjtë e tij dhe u flet atyre ashtu siç u pëlqen, me fjalë të sakta, zakonisht të pëshpëritura me delikatesë në veshin e tyre, si një besim i veçantë.
- Kësisoj, produkti i veprimeve të tij materializohet në kokën e eprorit, servili shpërblehet me një ngritje në detyrë si i privilegjuar.
Si përfundim, çdo akt “besnikërie” i lejon servilit të fitojë pikë dhe të përmirësojë statusin e tij brenda sistemit.
Servilizmi është adhurim i verbër dhe i dobët ndaj autoritetit. Sinonimet e tij, ndër të tjera përfshijnë: poshtërim, vasalitet, nënshtrim, përulje, etj.
Arsyeja themelore pse fryma servile mbizotëron, vazhdon dhe rrënjoset në shumë institucione shoqërore, është nevoja për lajka e atyre që janë në pushtet. Prandaj, nuk është për t’u habitur që këta individë bëjnë karrierë të pamerituar.
Në sistemin shoqëror askush me mendim të pavarur nuk pëlqehet, pasi kjo do të përbënte një kërcënim për ekuilibrin e tij, sepse do të goditej aleanca midis manipulatorëve dhe “servilëve”. Kështu shpjegohet triumfi i zymtë i servilizmit.
Marrë nga WEB
Në shqip: Bajram Karabolli
Lexo edhe:
SERVILI KËNAQET KUR KËNAQET SHEFI, ZYMTOHET KUR SHEFI ASHT I ZYMTË!






