Sevdije Rexhepi: N’dritën e hënës që bie

Mbi lëvozhga kohe ecet ngadalë
Për t’i ndjekur ëndrrat e mëdha
Në mijëra mënyra të vogla
T’përthyera në hijet e stinëve
N’perimetrin e kujtimeve
N’dritën e hënës që bie
N’poligon brendie
Kur era pëshpëritë ninullë përrallash
T’thurura nga Sibilat si dikur
Pirg mendimesh t’shkarravitura
Fshehura pas reve
Si një ikje pa emër
Ti kthehu në vetën tënde të vjetër
Lufto për fjalët dhe ndjenjën e fjetur
N’majë lapsi rigjetur
N’dëshirën që rri varur në eter
E në mendjen që vrapon çmendurisht muzgjeve
Për të dëgjuar të gjitha bekimet
Dhe lutjet pafund
Ashtu si fluturat që i tërheq drita
Lëre Diellin të shndrisë brenda teje
Pastaj..
Përkundur me zë Driadash maleve
Fli qetë-qetë si bari i njomë fushave