Sfiduesit e diktaturës, “Beatles”-at shqiptarë- rebelët e “Pranverës ’72”

Shkodra, pa patur nevojë t’i lartësosh asnjë vlerë, mbetet djep i kulturës në muzikë, një vendburim i mjeshtrave të këngës e kulturës.

Një tipar i tillë i duhet një vendi për të sjellë të renë e për ta zhvilluar këtë risi.

Në këtë rrjedhë një frymë e re rock ‘n’ rolli, nga shpirti i të rinjve gjimnazistë shkodranë lindi “Pranverën ’72”.

Tre djem dhe dy vajza ngjizën kompleksin e parë muzikor të qytetit.

Kështu sollën në Shqipëri rrymën e huaj, të famshmet angleze, “Chirpy Chirpy Cheep Cheeep” të “Midle of the road”.

Ndonjëherë, nuk mjafton vetëm arti, për t’u mbajtur mend, kërkohet e veçanta, ajo e cila do të mposhtë unitetin dhe të njëllojtën ndër rradhët e tjera.

Ky grup jo vetëm këndoi, por sfidoi një censurë të regjimit, pavarësisht se jo shumë gjatë, por tentoi, dhe rebelat e kësaj natyre shihen si heronj.

grupi-pranvere 72- konica.al

U pa si dritarja e Perëndimit, (Perëndimi ishte një “e ndaluar” e madhe), për të cilët njerëzit mbanin rradhën për biletat e tyre.

Viola Duka e Klaudia Shllaku, u cilësuan si solistet bukuroshe, por jo vetëm, e bashkë me to ishin të rinjtë Çesk Marashi vokalisti në violinë, Albert Naraci vokalisti në kitarë e Nikolin Kurti po ashtu vokalist në kitarë.

Ishte koha kur të gjithë donin t’i ngjanin “Beatles”-ave, janë shprehur ata, dhe për ta ka mjaftuar talenti dhe fakti që gjetën një bateri dhe dy kitara.

Mjaftonte dashuria dhe ata do të sillnin në Shqipërinë e mbyllur, jehonën e muzikës në Europë.

Kaq shumë hyri kjo jehonë në veshin shkodran, aq sa u bë e pamundur të gjeje bileta për koncertet e tyre.

Teatri “Migjeni” u bë strehëz e 30 shfaqjeve të tyre rradhazi, në komentet e dëgjuesve mbetën të paharrueshme.

Perspektiva ishte e largët…

Parashikohej, pjesëmarrja në Festivalin e 11-të, njëlloj edhe një turne i programuar në Shqipëri, e gjithnjë e më shumë shfaqje.

Por secila prej këtyre mbeti thjeshtë një tentativë, duke qenë se në Festival nuk u pranuan, për arsye të veprimtarisë dhe këngëve të tyre, njëlloj, të njëjtin fat pësoi dhe turneu, i cili u anullua nga një urdhër nga lart.

Grupit më i dëgjuar në Radio Tirana, tashmë filluan që shfaqjet t’i bëheshin sporadike, këngët censuroheshin për shkak të elementeve moderne që përmbanin, deri në shpërndarjen e grupit, i cili do të ribashkohej pas viteve ‘90.

GRUPI-PRANVERA-72-konica.al

Ky grup sot, ka mbetur një kujtim, i atij lloji që guxoi të provonte të thyente kornizën e kohës, dhe muzikë së zakonshme që lëvrohej në Shqipërinë e vogël.

Artit të tyre ja mbylli dyert diktatura, së paku kështu u diktua, dhe mundësia për të zgjeruar veprimtarinë vdiq, me censurën, dhe u mbyll brenda mureve të sallës së teatrit “Migjeni”./konica.al