reklamë

Sfilitja e intelektualit në epokën e spektaklit

mimoza ahmeti

(ose transformimi i autoritetit në median bashkëkohore)

Nga Dr. Irena Myzeqari

Në një kohë kur dukshmëria është kthyer në formën më të fuqishme të ekzistencës publike, intelektuali po përballet me një transformim të thellë komunikativ. Në shoqërinë e spektaklit, autoriteti kulturor nuk rrjedh më nga bota e qashtër e ideve, por nga prezenca në ekosistemin vizual hibrid, ku transmetimi tradicional dhe realiteti virtual, janë kthyer në zgjatime të pandashme nga njëri-tjetri. Pikërisht, në ketë amalgamë valësh dhe fijesh, intelektuali e gjen veten përballë një tensioni të ri moral, midis rolit të tij tradicional për reflektim kritik dhe kërkesës që i imponon kultura bashkëkohore e imazhit për më shumë performancë publike.

Nisur nga risia e fundit mediatike, ku shkrimtarja Mimoza Ahmeti, është kthyer në një fenomen të rrjetit, falë prezencës në një reality show, ky shkrim rreket të risjellë në vëmendje argumentin kryesor të filozofit Byung-Chul Han, i cili pohon se epoka moderne karakterizohet nga një zhvendosje përmbajtësore nga shoqëria e disiplinës, drejt asaj të performancës, ku individi shtyhet vazhdimisht drejt ekspozimit dhe vetërealizimit, shtyse e cila nuk kursen as intektualin. Ndaj, në këto kushte, autoriteti i tij riformësohet, sepse për të mbijetuar, ekosistemi social, nuk i kërkon më idetë, porse përformancën e vazhdueshme në ekranet dhe platformat, ku dritat nuk fiken kurrë.

#Sfilitja dhe dukja si kapital publik

Dinamikat që burojnë nga bota e medias vizuale, kanë qenë shpesh fokus i analizave kritike të qenësishme të autorëve si Piere Bourdieu apo Guy Debord, të cilët pajtohen rreth faktit se televizioni dhe format e spektaklit e kanë transformuar mënyrën se si prodhohet dhe shpërndahet autoriteti në hapësirën publike.

Për ta, televizioni ka fituar një lloj monopoli të perceptimeve të audiencës dhe me anë të fuqisë që i jep spektakli, po ndikon drejtpërsëdrejti në mënyrën se si shoqëria, sheh, dëgjon, mendon dhe ndërvepron me realitetin. Ndaj, në këtë tirani të audimatit, kapitali kulturor i intelektualit, nuk është më rezultat i edukimit, punës dhe angazhimit akademik, por vjen si produkt i logjikës mediatike, ku privilegj merr ai që zgjedh shpejtësinë, spektaklin dhe ekspozimin.

Në analizën e tij mbi shoqërinë bashkëkohore, Byung-Chul Han argumenton se sot individët shtyhen drejt ekspozimit, përmes presionit të vazhdueshëm për sukses, optimizëm dhe energji të pashtershme. Nën presionin e performancës, individët kalojnë në vetë-shfrytëzim dhe në momentin kur vlera matet përmes prezencës në valë apo në rrjet, sfilitja psikologjike dhe emocionale, behët pjesë e realitetit personal të gjithëkujt.

Tanimë, shtypja nuk vjen nga jashtë; ajo është zgjedhje personale sepse në kulturën bashkëkohore, ekzistenca nuk varet më nga ndalimi apo disiplinimi, por nga vështirësia e papërballueshme e ekspozimit të vetes.  Ironia e fatit është se shoqëria e sotme, është shoqëri e arritjeve, ku slogane të tilla si: “ti mundesh, ti ia del” nuk janë veçse dekurajim për mosmendim, ndaj e vetmja mënyrë për të ruajtur peshën apo vlerën si njeri apo intektual, vjen si rezultat i kontrollit që audimati dhe algoritmi ushtron ndaj personae tënde.

Presioni modern është sa analog, po aq edhe digjital, sepse kultura ku jetojmë e përcakton vlerën e një ideje apo të një figure publike nga një ekosistem që glorifikon numrat, reagimin dhe rishpërndarjen virale. Ky transformim thelbësor merr më shumë rëndësi në kontekstin e gjeneratave të reja dhe të ekonomisë së vëmendjes, ku për shumë shikues apo përdorues, autoriteti intelektual sot ndërmjetësohet nga prania hibride në studiot televizive, platformat sociale, podkastet dhe përmbajtjen digjitale. Pra, nëse Bourdieu dikur shqetësohej për shfaqjen e intelektualëve të “mendimit të shpejtë”, të cilët duhet të përshtateshin me ritmin e televizionit, në epokën e rrjeteve sociale kjo logjikë duket se është radikalizuar tejskajshmërisht.

#Kur intelektuali hyn në spektakël

Oh gjeniale është kjo gjendje
kur ndërsa kuptoj që gjithçka kam humbur
lumturinë e pafundme ndjej
të qenies sime
që e kam në dorë,
atë,
që s’mund të ma dhurojë
asnjë lavdi, kurorë.

Lavdi! Ç’është kjo fjalë
nga mbërriti tek unë
si ka dalë *


(*Delirium nga Mimoza Ahmeti)

Delirium-i i shkrimtares ka marrë një kuptim të ri.

Identiteti dhe autoriteti i saj publik ka qenë pjesë e shtigjeve të ndërthurura kulturore të gjuhës, poezisë dhe filozofisë, shtigje në të cilat ajo shpesh ekperimentonte, për të krijuar dinamika të reja ligjerimore. Ndërkaq, “lavdia” e saj sot ndërtohet mbi një narracion strukturalisht ndryshe, aty ku audienca nuk kërkon më intelektualin që rrjedh nga fjala apo teksti, por performuesin, sjelljen, reagimet dhe ndërveprimin brenda reality show-t.  Hyrja e saj në këtë hapësirë të ndërtuar mbi logjikën e spektaklit, paraqet një moment transformimi metafizik sepse ekzistenca e saj kalon transhendentalisht nga bota e ideve,  drejt ekonomisë së vemendjes.  

Mirëpo ky kapërcim nuk i përket më vetëm Mozës.

Simbolikisht, jemi përballë një transformimi të madh kuptimor të hapësirës publike bashkëkohore, ku kufinjtë midis reflektimit kritik dhe pranisë në ekosistemin komunikativ janë atrofizuar dhe ku figura e intelektualit nuk krijohet më vetëm përmes veprës por narrativës personale dhe ekspozimit, të cilat bëhen pjesë e shumësive ligjërimore të kapitalit simbolik. Në këtë kuptim, intelektuali në epokën e spektaklit nuk është më vetëm autor i ideve, por edhe subjekt i një narrative që ndërtohet dhe shpërndahet në kohë reale nga audienca. Megjithatë, ky transformim nuk është domosdoshmërisht degradim kulturor, por veçori e një realiteti të ri, ku figura e intelektualit nuk qëndron më jashtë spektaklit, por shpesh gjendet brenda tij, duke negociuar vazhdimisht raportin midis reflektimit dhe performancës.

Pa harruar pastaj algoritmin.

Mimoza tashmë është virale në Instagram. Videot e saj në rrjet janë komentuar, rishpërndarë, bërë meme dhe kanë qarkulluar në platforma të ndryshme, duke na treguar edhe njëherë se sot identiteti ynë është produkt i një procesi kolektiv interpretimi në ekosistemin digjital. Në këtë mënyrë audienca e ridimensionon figurën e personazhit, duke i falur asaj “gjenialitetin e një gjendjeje” ku ajo ka humbur shkrimtaren dhe ku personazhi kërkon të shkëputet nga autori, për t’i lënë vend një “leximi të ri identitar”, në një hapësirë ky trendet zgjasin shumë më pak se vetë çuditë.

#Last scroll

Në kulturën digjitale ne nuk ndalemi për të reflektuar, ne rrëshqasim vazhdimisht mbi informacionin. Paradoksalisht, sot jetojmë në një hapësirë të ndërmjetme, midis reflektimit dhe performancës, midis televizionit si legjitimues i dukshmërisë dhe shpëndarjes virale që na mundësojnë platformat digjitale. Ndaj, nëse ndjeni tension, mos u habisni. Është sfilitja që ju ka kapluar, intelektual qofshi apo njeri.

ObserverKult