Shaban Sinani: Gjuhës shqipe i mungon higjiena gjuhësore

“Fjalori i Gjuhës Shqipe” me 48 mijë fjalë është ekspozuar në sheshin “Skënderbej”, si një “monument”. Akademiku edhe studiuesi Shaban Sinani teksa e konsideron një gjest me vend për gjuhën shqipe, shpreson edhe që kjo zgjedhje të tërheq vëmendjen e folësve të saj, në mënyrë që ata të kenë jo vetëm dinjitet profesional, por edhe gjuhësor. Për akademikun gjuha shqipe konsiderohet një gjuhë që i mungon higjiena gjuhësore, rojtarët edhe editoria.

“Është më shumë një gjest i bukur për të tërhequr vëmendjen e folësve të shqipes, që ashtu siç kanë dinjitet intelektual edhe profesional, të kenë edhe dinjitet gjuhësor. Kompetenca gjuhësore nuk është thjesht një nevojë për t’u shprehur, por edhe një standard formimi. Për këtë arsye e quaj një gjest me vend”, shprehet akademiku Shaban Sinani, për ‘monumentin’ e përkohshëm, që është vendosur në sheshin “Skënderbej”.

Ndërsa, niveli gjuhësor në përdorimin zyrtar, sipas Sinanit, është mjaft kritik.  

“Shqipja jonë në përdorimin publik ka probleme jo vetëm të folësve, por edhe më të mëdha. Në Kushtetutën e Shqipërisë ka një nen që detyron ligjvënësit për të rregulluar përdorimin e njehsuar në Republikën e Shqipërisë. Po ashtu, edhe në ligjin për Akademinë e Shkencave është rikonfirmuar përgjegjësia jonë për të krijuar standardet e përdorimit zyrtar të shqipes, jo në shtëpi, por në funksionet zyrtare”, shprehet studiuesi, teksa shton se gjendja e gjuhës shqipe në përdorimin e saj publik lë për të dëshiruar.

“Gjuha shqipe mund të konsiderohet tani një gjuhë që i mungon higjiena gjuhësore. I mungojnë rojtarët gjuhësorë, i mungon editoria, i mungojnë të gjitha ato kushtëzime që e bëjnë të detyrueshëm përdorimin e njehsuar të saj. Që nga Kongresi i Drejtëshkrimit deri më sot nuk ka pasur akte zyrtare, që të konfirmojnë mënyrën se si funksionon shqipja në një shoqëri të hapur. Kongresi i Drejtshkrimit mori një vendim të arsyeshëm dhe të drejtë. Koha e konfirmoi se zgjidhja që ofroi ai kongres ishte zgjidhja e duhur. Por, shqipja në një shoqëri të hapur është më e rrezikuar sesa një shkallë sesa ishte më përpara”.

Profesori mendon se nuk është për të vënë duart në kokë, sepse probleme të destabilizimit provojnë edhe gjuhët e tjera.

“Unë po marr rastin e një prej gjuhëve më konservatore, që alfabetikisht edhe gramatikisht është e veçuar nga gjuhët e tjera. Nëse do të hyni në dhomat e forumeve përdoret greqishtja, greqishtja ka ikur prej alfabetit të vet, edhe po tejshkruhet me grafema të latinishtes, sepse edhe grekët ashtu si shqiptarët gjenden të përhapur kudo në botë”, shpjegon akademiku.

Problemi që ka shqipja jonë, për studiuesin, është mungesa e rregullit zyrtar.

“Sipas mendimit tim, në vitin 2003 ku me një ligj të posaçëm u rregullua përdorimi i njehsuar i Himnit, Flamurit edhe Stemës së Republikës, në po atë ligj duhet që të ishte rregulluar edhe përdorimi i gjuhës shqipe, sepse kanë të njëjtën referencë në Kushtetutë. Nuk u rregullua atëherë, edhe mbeti një problem i hapur. Akademia e Shkencave në vitin 2005 ka propozuar një ligj për përdorimin e njehsuar të gjuhës shqipe, që kaloi disa shkallë në shqyrtimin parlamentar edhe më pas nuk u morr vesh se çfarë ndodhi me të”.
Në vitet e fundit ASH, duke e parë të vështirë një zgjidhje përmes akteve ligjore ka propozuar dy herë rregullimin me vendim të Këshillit të Ministrave të përdorimit të shqipes në funksionet e veta publike. Të inkurajuar edhe nga pohimi i kryeministrit, shton Sinani, që në mandatin e tij të parë, tha se “një nga vendimet që do të merrte qeveria e kryesuar prej tij, do të ishte caktimi i redaktorëve në institucionet gjuhësore”.

“Por, edhe sot e kësaj dite editoria edhe në praktikat zyrtare, edhe në faqet e numerizuara të institucioneve, për të mos thënë që, edhe në botimet tradicionale është mjaft kritike”.

Ndërsa, për përdorimin e gjuhës shqipe nga deputetët e parlamentit shqiptar në nivel të papranueshëm, Sinani mendon se, problemi është edhe më i madh.

“Unë mendoj se problemi është më i thellë. Është problem i kulturës së përgjithshme të këtyre njerëzve, që aq të cunguar sa janë në përdorimin e gjuhës shqipe, aq të kufizuar janë edhe në formimin e tyre kulturor. Gjuha thjesht dekonspiron mungesën e kulturës.  Njeriu që lexon nuk gabon, është mungesa e leximit, e librit. Ky është moment për t’u dëshpëruar. ASH nuk është qortuese e gabimeve, nuk bën diktime. Por e ka për detyrë që të vrejë kulturën e përgjithshme të njerëzve që marrin funksione publike. Dëshpërimi është ky, që gjuha e tyre dekonspiron mungesën e thellë katastrofale të kulturës së përgjithshme”.

ASH në vazhdim do të ndërmarrë një iniciative të re, duke propozuar në formën e një projektligji apo projekt-propozimi, mundësi të reja për zgjidhjen e këtij problemi./shqiptarja