
Nga Shazim Mehmeti
Po e pi këtë kafe, në një bar përdhese. Ka mbi gjashtë orë, që kur e kam pirë kafen e mëngjesit. Më vjen e shijshme kafeja. Më vjen e shijshme, deri n’vetshkrirje.
Dy tavolina më tutje, shoh një profil femre. Është profil i bukur. Është një profil, mëse i bukur. Një vijë vërtet tunduese, e formon atë profil. Vija e ballit, i bie mbi vetulla e mbi hundë, në një mënyrë, pothuajse poetike. Hunda e profilit ka një përmasë t’atillë, që jep të kuptosh, se ajo hundë mund edhe të jetë gjëja më dalluese e asaj fytyre. Ka ai profil, një rrumbullakësim faqeje, si kokërr e pjekur peme, që lidhet me cepin e buzës dhe me mjekrën, në një mënyrë perfekte.
Shkurt fjala, më bën për vete, ai profil femre.
Arrij t’ia shoh edhe vijën e përparme të qafës, që lehtë, lehtë, i bie mbi krahëror, dhe në vete, uroj e lutem, që të ndodhë disi, ai kthim i rastësishëm i asaj koke, që do më mundësojë t’ia shoh sytë, shikimin.
Jam nga ai lloj njerëzish, që përkulen e bijnë para bukurisë së shikimit. Jam nga ai lloj njerëzish, që mendojnë se, te shikimi përmblidhet e rrezaton gjithë shpirti i një personi. Jam nga i lloj njerëzish, që pranon të ndërrojë dhjetë bukurira fiziku, për një bukuri shikimi, për një bukuri shpirti.
Pres të ndodhë kthimi i asaj koke. Padurueshëm, pres të ndodhë kthimi i asaj koke. Dëshirueshëm, pres të ndodhë kthimi i asaj koke. Edhe më dëshirueshëm, pres të ndodhë ai shikim, por nuk ndodh.
Ndërkohë, e kuptoj që m’është ftohur kafeja. Kap filxhanin, pi një gllënjkë, dhe ngutem, sërish ta ngjes shikimin te ai profil femre, në kërkim, në pritje të shikimit sy m’sy, por tashmë… tashmë nuk ia shoh as profilin. Tashmë, asaj femre ia shoh veç flokët, zverkun, shpinën, të pasmet, këmbët e gjata… Hap derën e barit ajo femër, del jashtë barit.
Ndalet prapa xhamit të vitrinës, kthehet me fytyrë drejt meje, dhe nga përtejxhami, bën një lëvizje befasuese me dorën e majtë: ma tregon, ma drejton gishtin e mesit!!!…
Arrij t’ia kap shikimin: ajo fytyrë e bukur, ka në këtë çast, një shikim prej bishe…!
(Sa keq…, sa keq…, sa keq!… Ajo fytyrë aq e bukur femre, me atë shikim bishe!…)
ObserverKult
Lexo edhe:
SHAZIM MEHMETI: SHËTISJA, MBRAMË MBASDARKE, N’PRISHTINË, ME AZEM GALICËN…






