
Kreu i kompanisë “mëmë” të Google, Alphabet, Sundar Pichai, ka paralajmëruar se njerëzit nuk duhet t’i besojnë verbërisht çdo informacioni që u ofrojnë mjetet e Inteligjencës Artificiale. Në një intervistë ekskluzive për BBC-në, ai theksoi se modelet e sotme të Inteligjencës Artificiale “janë të prirura ndaj gabimeve” dhe duhet të përdoren si plotësuese të burimeve të tjera të informacionit.
Sipas Pichai-t, rëndësia e një ekosistemi të pasur informacioni është thelbësore, sidomos në një kohë kur përdorimi i mjeteve të AI po rritet me ritme të shpejta. “Ky është shkaku pse njerëzit përdorin edhe Google Search. Kemi produkte të fokusuara te saktësia e informacionit”, tha ai, duke nënvizuar se pavarësisht përparimit, teknologjia aktuale ka kufizime, përcjell A2 CNN.
Komentet e tij vijnë në prag të lansimit të modelit të ri të konsumatorit, Gemini 3.0, i cili sipas analizave po rimerr pjesë të tregut të humbura ndaj platformave si ChatGPT. Që nga muaji maj, Google ka integruar “AI Mode” në kërkimet online, duke i ofruar përdoruesve një eksperiencë më të ngjashme me bisedën me një ekspert.
Shefi i Google përmendi gjithashtu teknologjitë e reja të hapura, të cilat mundësojnë verifikimin e imazheve të gjeneruara nga AI, aftësi që synon të luftojë dezinformimin vizual.
I pyetur mbi komentet e vjetra të Elon Musk, i cili kishte shprehur shqetësime se DeepMind mund të krijonte një “diktaturë të AI-së”, Pichai u shpreh se një teknologji kaq e fuqishme nuk duhet të jetë në duart e një kompanie të vetme. “Jemi larg një skenari të tillë,” tha ai.
ObserverKult
Lexo edhe:






