Shemsi Krasniqi: Një tangar dhe disa koincidenca

shemsi krasniqi refugjat

Nga Shemsi Krasniqi

Më 16 dhjetor 1952, daja im Latush Naman Sekiraqa nga Koliqi, njeriu i mirë e i dashur sa s’ka, i bëri një dhuratë motrës së tij e nanës time Mihrijes. Atë dhuratë të dajës për nanën, sot e ruaj në muze si njërin prej relikteve me të dashura.

Daja e kishte punuar tangarin, jo për t’ia uruar vitin e ri, por për t’ia lehtësuar përballjen me dimrin e egër dhe acarin e asaj kohe. Dimrat e asaj kohe, në përgjithësi kanë qenë të ftohtë në pikëpamje klimatike, por për shqiptarët, kanë qenë të ftohtë edhe në pikëpamje politike, ekzistenciale, njerëzore. Në këtë aspekt, edhe vera ka qenë dimër…!

Tangar  (mangall) i punuar nga Latush Sekiraqa më 16.XII.1952

Siç shihet, tangari është i punuar me stil. Daja ka qenë marakli i punës. Punimet e tija prej druri i lyente me vaj dhe i lëmonte mirë për t;u dukur bukur, i ngjiste fortë për t’u bërë të qëndrueshme, i dekoronte dhe iu shkruante datën ose inicialet. Këto vërehen edhe në këtë punim.

Përveç datës me numra arabë dhe romakë, janë edhe katër shkronja çirilice, të gdhendura në dru, e që në alfabetin latin i bie të jenë shkronjat D.N.L.K. me domethënien, Delia, Naman, Latush, Koliq. Këto pra janë inicialet e tij, babait së tij, gjyshit të tij dhe fshatit të tij. Babai i Latushit ka qenë Namani, kurse gjyshi, Delia.

Gjyshi im, Namani, siç tregonte nana, ka qenë trupmadh, i fortë fizikisht, por i urtë dhe shumë i sjellshëm me gruan dhe fëmijët. Thoshte se ka qenë qejfli dhe hiç s’pritonte t’ia rrokte valles edhe nëpër dasma të huaja.

Gjyshi është lindur, rritur dhe martuar në Sekiraqë, fshat që tash gjendet në Serbi. Në vitin 1913 bashkë me gjyshen time Nailen, dhe djalin e tyre Latushin, atëherë njëvjeçar, kanë ikur nga Sekiraqa dhe kanë ardhur fillimisht në Sharban, pastaj në Koliq. Duke ikur prej terrorit serb të asaj kohe, pas një pushimi të shkurtë në një mal, nana tregonte, se për një çast ata e kishin harruar djalin e vogël aty.

Pasi që kishin ecur bukur larg, e kishin vërejtur se asnjëri prej tyre nuk e kishte djalin me vete. Aty pas një dialogu të shkurtë gjyshi kthehet dhe gjen djalin aty ku kishte mbetur. Ai djalë i vogël atëherë, më vonë ishte bërë një burrë i mirë, i dashur dhe i njohur për bujari, në krejt Malësinë e Gollakut.

Vendit ku e ka patur shtëpinë, i kanë thënë “Te knata”. I kanë thënë ashtu, sepse daja, në anën e jashtme të murit të oborrit, kishte bërë një dollap në të cilin e lënte një knatë me ujë të ftohtë për udhëtarët ose siç iu thoshin atëherë, drumtarët, të cilët kalonin andejpari këmbë ose me qerre druri. E mbaj mend mirë dhe i di kur njëherë djali i dajës, më pati marrur me vete te bunari, e mbushi knatën dhe e la në dollapin e atij muri. Të bekuar qofshin ata që e kanë pi ata ujë!

Aty pranë murit të oborrit, kanë qenë edhe disa lisa të gjatë, nën hijen e të cilëve pushonin drumtarët, pinin ujë nga knata dhe e hanin bukën që e kishin me vete. Më vonë, daja e ndërroi truallin dhe në vendin e ri, pranë rrugës e pati ndërtuar një odë, e cila pothuajse asnjëherë nuk rrinte pa mysafirë.

Në murin e asaj ode, rrinte varur fotografia e Bajram Currit. Tregojnë se njëherë një milic serb e kishte pyetur dajën se a është baba yt ai në fotografi? Daja duke qenë njeri i zgjuar dhe mjaft spirituoz, i kishte thënë: “Po, po, baba jem osht”.

Daja ka patur një fytyrë markante, mbante plis me mahramë dhe këmishë të bardhë me jelek të zi. Ka qenë muhabetxhi, bukëdhënës, mahiçar, mikpritës dhe shumë i dashur për të gjithë. Kollitej nganjëherë, ashtu me një koll t’lehtë me dy takte, hë-hë, si shenjë se duhej të kthehej qetësia. Si autoritet i pacënuar, kolli i tij e rikthnte rendin. E mbaj mend kur më ulte ngatë vetës dhe ma vënte dorën mbi krahë.

E shihja papritmas vetën si pjesë të një pushteti, ose së paku, për një kohë e ndieja njëfarë privilegji. E kuptoja se kolli I tij nuk kishte të bënte më me mua. Kjo pastaj nuk zgjaste shumë dhe spontaniteti e bënte të vetën, sepse dajët ishin kallabëllak dhe atmosfera aty ishte plot humor.

Më kujtohet po ashtu, pyetja që rëndom ma bënte kur zgjoheshim nga gjumi: “A ke pa me fjetë?” Shumë kokëçarje m’nxirrte kjo pyetje! Kur thosha “Po”, ma kthente pak si çuditshëm: “A po a, ke pa a?!” Masandej s’disha çka t’i them. Me thanë përsëri “po”, i binte se kam fjetë me sy çelë.

E tëkurrsha pak po-në dhe dojsha me shëndërru në “jo”, por e dija se kur kam ra me fjetë, kam ra me sy çelë. Me këtë lloj aporie filozofike jam ballafaquar shumë vite  përpara se ta studioja filozofinë.

Për dajët në përgjithësi kam shumë nostalgji, por t’i kthehemi edhe njëherë tangarit dhe koincidencave të tij. Tash kur ditëmditë, tangari i bëri 70 vjet, do t’i sjell ndër mendë disa ndryshime që kanë ndodhur në jetën tonë, prej atëherë e deri më sot. Vitet e para pas “çlirimit”, shqiptarët ishin të dërmuar nga varëfëria. Jo vetëm nga varfëria, por edhe nga shtypja, diskriminimi, dhuna dhe zullumi që ushtronte përditë mbi ta regjimi komunist serbo-jugosllav.

Rankoviqi, një pushtetar i egër i asaj kohe, një armik i përbetuar i shqiptarëve, kishte ndërmend t’i përzënte shqiptarët nga Kosova, e t’i çonte për Turqi. Aksioni famëkeq i mbledhjes së armëve, ishte si pretekst për të ushtruar dhunë të pandërprerë mbi ta, për të shkelur dinjitetin dhe krenarinë e tyre, si dhe për t’i detyruar ata që të iknin nga Kosova.

Pra qëllimi i atij regjimi ishte zbatimi i planit të Çubrilloviqit dhe Andriqit për zbrazjen e Kosovës nga shqiptarët, plan të cilin do të provonte ta zbatonte Millosheviqi në vitet ’90-ta, por nuk ia doli. Sidoqoftë, edhe sot, pas 70 vitesh, po kemi problem me Serbinë, por sundimi i saj në Kosovë tashmë ka mbaruar përgjithmonë. Kërkesa e tyre për ta rikthyer ushtrinë, është iluzion. Barrikadat e tyre në rrugë, në rend të parë janë reflektim i barrikadave të tyre në kokë.

Prej vitit 1952 të duhej të kalonin plot 45 vjet, kur shqiptarët për herë të parë do ta përjetonin lirinë, lirinë e vendit të tyre, Kosovës martire. Prej atij viti, do duhej të kalonte më shumë se gjysëm shekulli që Kosova të bëhej shtet i pavarur dhe sovran, e të njihej nga më shumë se gjysma e vendeve të botës.

E për koincidencë, tash 70 vjet pas, Parlamenti Evropian dhe Këshilli i Evropës vendosën t’i heqin vizat për kosovarët; e po ashtu, tash Kosova paraqiti kandidadurën e saj për anëtarësim në Bashkësinë Evropiane. Mund të bëhen krahasime të panumërta për t’i parë ndryshimet që kanë ndodhur, por po i përmendim vetëm edhe nja dy tjera: shkrimi dhe ngrohja.

Pas Luftës së Dytë Botërore rreth 97% e popullatës shqiptare në Kosovë kanë qenë analfabetë. Daja mburrej pse dinte të shkruante emrin e vet, anipse me shkronja çirilice! Thoshte se shkrimin e kishte mësuar duke shkruar nëpër rrasa gurësh. Gati njëzet vite më vonë, qe hapur Universiteti i Prishtinës dhe transformime marramendese patën ndodhur në shoqërinë kosovare, sidomos për sa i përket shkollimit, kulturës, dijes, shkencës dhe teknologjisë.

Tash 70 vjet pas, rinia kosovare flet dhe shkruan jo vetëm shqip, por edhe në shumë gjuhë të botës; udhëton, studion, punon dhe përfaqëson vendin në shumë shtete të botës. Nga Koliqi i atëhershëm kanë dalur kuadra, profesorë universitarë, mjekë, gazetarë, shkrimtarë, biznesmenë dhe afaristë të njohur.

Libërshitësi, të cilin e njohin në krejt Prishtinën me shtëpinë e tij botuese “KOLIQI”, është me origjinë prej atij fshati. Pra, prej shkrimit nëpër rrasa guri, deri te shtëpia botuese që përkthen dhe boton autorë botëror, është një transformim i madh.

Krahasimi tjetër ngrohja, ka të bëjë me vetë funksionin për të cilin është bërë tangari. Edhe sot e gjithë ditën po kemi problem me ngrohjen, anipse sistemet dhe mënyrat e ngrohjes, po ashtu janë transformuar krejtësisht. Sistemet kanë ndryshuar, por reagimi i trupit në temperaturë, ka mbetur i njëjtë; kur është ftohtë, dihet se trupi nerth; kur narthim shumë mërdhihemi.

Ndoshta tangari, me kushtin që mos t’i bjen dikujt “prushi kresë” dhe mos të luaj dikush me gaca, është njëfarë zgjidhjeje edhe sot. Tash kur ndërprerjet e rrymes, reduktimet, kursimet, prishjet janë bërë modë, përdorimi i tij, ndoshta mund të ndihmojë pakëz në shpërndarjen e ngrohtësisë në shtëpi. Por nejse, anipse krahasimi vlen, nuk është kjo ideja kryesore.

Nëse dalim përtej vetës sonë, viti i punimit të këtij tangari dhe i përvjetorit të tij të 70-të, koincidon edhe me ngjarje tjera të mëdha, por që kuptohet, përveç vitit kalendarik, nuk kanë kurrfarë lidhjesh mesveti.

Në vitin 1952, ka vdekur Mbreti George VI dhe fronin mbretëror e morri e bija e tij Elizabeth II. Pas 70 vjet mbretërimi, pra në vitin 2022, vdiç Mbretëresha Elizabeth II dhe kurorën mbretërore e morri i biri i saj, Mbreti Charles III. Respekt për këto tri figura të njohura dhe për gjithë familjen mbretërore të Mbretërisë së Bashkuar!

E kështu pra, tangari vazhdon të mbetet relikt i së shkuarës. Lulet në të, paraqesin kujtimin për dajën dhe nanën, dashninë e tyre për njëri-tjetrin dhe dashninë tonë për ta. Tangari dhe lulet na bëjnë me dije se duhet t’i ruajmë sendet e shtëpisë për ta mbajtur gjallë kujtesën për njerëzit, kohërat, ngjarjet, mënyrën e jetesës, e sidomos frymëmarrjen e atyre që dikur i kanë përdorur.

Faleminderit dajës për këtë dhuratë për nanën! Qofshin të dytë të bekuar!

Paris, 16.12.2022


Lexo edhe:

SHEMSI KRASNIQI: FRIKA NGA AFRIKA, 1971

ObserverKult