“Shën Maria në Fron me Krishtin” është ikona e pikturuar nga Tërpo Zografi, djali i Konstandin Zografit që ruhet në fondin e Muzeut të Artit Mesjetar në Korçë.
Në ikonë është pikturuar Shën Mëria, nëna e Zotit e ulur në fron. Ajo paraqitet në një sfond të artë me mafor të purpurt, të zbukuruar me dekoracione të arta si dhe me yje të artë në koka dhe shpatullat. Këto detaje tregojnë qartë natyrën e shenjtë si dhe faktin që ajo ishte e përzgjedhura e perëndisë.
Veprimtaria e Tërpo Zografit daton nga viti 1762, deri në vitin 1819 dhe përfshin jo vetëm ikonat e lëvizshme, por edhe pikturën murale si në: Përmet, Voskopojë, Berat e Ohër.
Në ikonat e tij ai shpesh shkruan: “Dora e Tërpos, piktor dhe djali i Konstandin Zografit nga Korça”.
Në këtë ikonë veshja e poshtme e Shën Mërisë është në ngjyrë jeshile të errët zbukuruar me lule të arta. Krishti paraqitet me një kiton me ngjyrë blu dhe himation të kuq. Në dorën e majtë mban sferën në ngjyrë të gjelbër në blu e cila është simbol i botës kristiane. Duke bërë një vrojtim të hollë të kësaj ikone dhe duke e krahasuar me krijimtarinë e atit të tij, Konstandin Zografit, arrijmë në konkluzionin se edhe Tërpo është një piktor me talent të padiskutueshëm. Ai ndjek modelet e babait të tij si dhe të ungjit të tij Athanasit.
Froni i drurit, në të cilin është ulur Shën Mëria është dekoruar me elementë barokë lule, gjethe etj.
Në fund të ikonës mbi një ngjyrë të kuqe është shkruar me germa të bardha firma e piktorit: “Nga dora e Tërpo Zografit, nga Korça, data 1787, mars 20”./ATSH