Ikona “Shën Maria Përkëdhelësja me shënjtorë”, e punuar mbi një panel të vetëm druri halor me permasa 42,5 x 32 x 3 cm, ka zbukuruar ambientet e kishës së fshatit Sinicë në Korçë dhe është pikturuar në atelienë e vëllezërve Çetiri në vitin 1872.
Muzeu i Artit Mesjetar Korçë bën të ditur se paneli ndahet në dy seksione ku në pjesën e sipërme paraqitet Shën Maria që shtrëngon me ëmbëlsi Krishtin fëmijë. Shën Maria e mban atë në dorën e majtë, ndërsa ai e përqafon atë gjithë dashuri.
Virgjëresha është e tipit Glikofilusa (Përkëdhelësja). Në kokën e saj mban kurorën e lavdisë. Figurat rrethohen në të dy anët nga trëndafila rozë të cilat shprehin pafajësinë e Virgjëreshës dhe pas tyre shpaloset bota qiellore në tone të arta.
Në pjesën e poshtme paraqiten tre shenjtorë në pamje ballore deri në mes. Duke nisur nga e majta në të djathtë paraqiten me radhë Shën Andoniu, i cili mban shkopin në dorën e djathtë dhe një pergamen të hapur në dorën e majtë.
Pas tij vjen Shën Nikolla që bekon me dorën e djathtë. Dhe mban Ungjillin në dorën e majtën. Ai paraqitet i veshur me veshjen ceremoniale.
I treti është Shën Athanasi i cili është veshur po ashtu me rrobën ceremoniale. Dhe njëlloj si Nikolla bekon me dorën e djathtë dhe mban Ungjillin me dorën e majtë. Sfondi pas tyre është pikturuar në të gjelbër. E cila përshkallëzohet tonalisht duke nisur nga sipër./ATSH