Shkrimtarja, Evis Cerga, ka botuar së fundmi librin “Shënime për një qytet”, me skica letrare që flasin për Tiranën por jo vetëm.
Shkrimtarja Evis Cerga, e apasionuar në rrëfimin e historisë së Tiranës dhe personazheve që jetuan e jetojnë në kryeqytetin shqiptar ka botuar së fundmi librin “Shënime për një qytet”, me skica letrare që flasin për Tiranën por jo vetëm.
“Historitë janë të gjitha histori të krijuara por sigurisht një pikënisje e kanë domethënë kjo pikënisje mund të jetë një individ që kalon në rrugë, dikush që të bën përshtypje, mund të jetë një person që nuk e di se do të bëhet personazh por që në kokën time ashtu krijohet. Për mua çdo ecje në qytet është një burim informacioni, cdo rrugë e qytetit është një burim informacioni dhe mund të kthehet në një skicë letrare dhe çdo histori që dikush tregon padashje, histori personale apo histori e dikujt tjetër dhe që mendoj se duhet shpërndarë tek të tjerët unë e kthej në një skicë letrare” u shpreh shkrimtarja Evis Cerga.
“Shënime për një qytet në fakt nuk janë shënime vetëm për Tiranën, është shënime për shumë qytete. Një qytet ka mbetur i papërcaktuar për vet faktin që në vendet që ne shkojmë në qytetet që ne shkojmë, të gjitha na sjellin një përvojë dhe kjo përvojë është unike për secilin nga ne. Unë kam zgjedhur këtë formë të skicave të shkurtra duke pasur parasysh që edhe njerëzit e kanë kohën shumë të shkurtër për të të ndjekur. Vëmendja është e shkurtër dhe preferojnë gjëra të vogla për të mbajtur vëmendjen e përqëndruar” vazhdon ajo më tej.
Me çfarë e lidh kafen turke shkrimtarja Evis Cerga në këtë libër plot me detaje për një qytet që nuk i ngjason asnjë tjetri?
“Kafen turke e lidh me gjyshet sidomos në ato kohët që nuk kishte kafe, ishte problem për kafe, sepse kafja kushtonte 6 qind lekë dhe 9 qind lekë. Ajo kafja 6 qind lekëshe ishte një kafe e tmerrshme thoshin atëherë se unë nuk është se e kam provuar kafen në atë kohë. Por ishte qejfi që kur gjyshja pinte kafe të fusje biskotën brenda në kafe. Njërës gjyshe i pëlqente kjo gjë, gjyshen tjetër e nervozonte se i binin biskotat brenda në kafe por nuk kam pirë më kafe turke pëlqej ekspresin” tha ajo.
Por a ka elementë nostalgjie ky libër?
“Që t’i referohemi elementëve patjetër që duhet t’i referohem nostalgjisë por pa e sjellë atë, më shumë i referohemi antropologjisë për të ruajtur atë që ka qenë pozitive dhe për të mos harruar në mënyrë që t’i shërbejë kujtesës së brezave dhe të ndërtohet mbi të, sepse duke u ndërtuar ne e mësojmë dhe brezin e ri me punën, me një dëshirë që qyteti të bëhet i tyre…” rrëfen ajo.
Ndërsa flasim për librin, flasim për detajet që Evis Cerga ka sjell në librin e saj, flasim për pjesëzat e kujtimeve. Një ndër to është për mamatë shqiptare por si i përshkruan ajo mamatë:
“Janë si mamatë greke, mamatë shqiptare pëlqejnë të ushqejnë fëmijët dhe të krenohen për fëmijët e tyre, duke thënë që fëmija i tyre nuk është aq i mirë, por fëmija i asaj shoqes tjetër është shumë i mirë por ndërkaq duke treguar historitë për fëmijët e tyre që i bëjnë fëmijët më të mirë se fëmijët e shoqeve”.
Ai tregoi edhe për gjërat e rralla që mungonin në atë kohë dhe kishte mundësi që ndryshe nga fëmijët e tjerë t’i kishte.
“Një nga gjërat që unë kisha ishte çëmçakizi, sot është një gjë që njerëzit as e perceptojnë, por çëmçakizi ishte një nga gjërat që fëmijët donin më shumë se çdo gjë tjetër dhe kjo ishte gjëja që më bënte mua të lakmueshme përballë fëmijëve të tjerë të pallatit, unë e përdorja madje edhe si për të komanduar madje”, përfundoi shkrimtarja Evis Cerga.
Kjo ishte një pjesë e detajeve dhe shënimeve për një qytet që nuk ka mbarim, që sjell përvoja unike dhe kujtime të parrëfyera më parë nga pena e një shkrimtareje që rrëfen përtej asaj që shohin të tjerët./Shqiptarja.com