Shënohet 110-vjetori i lindjes së Shën Terezës, simbolit shqiptar e botëror të humanizmit

Shën Tereza

Sot shënohet 110-vjetori i lindjes së Shenjtores Nënë Tereza.

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta duke përkujtuar këtë ditë thekson se, “si sot, 110 vite me parë, lindi Shën Nënë Tereza, simboli shqiptar e botëror i humanizmit e solidaritetit njerëzor, e cila me forcën e dashurisë dhe dhembshurisë së saj hyri në zemrat dhe fitoi respektin e miliona njerëzve në mbarë botën, duke i dhënë nder e krenari kombit shqiptar në kohën më të vështirë”.

“Vepra e Shën Terezës është sot më shumë se kurrë frymëzim për t’u përkushtuar me dashuri ndaj njerëzve në nevojë, të braktisurve e të sëmurëve, për të bërë gjithçka duhet për këdo që ka nevojë për ndihmë, solidaritet e përkrahje sociale, si dhe për t’u angazhuar fuqimisht e të gjithë bashkë për rikthimin e shpresës për një jetë dinjitoze, për punësimin e qytetarëve, zhvillimin ekonomik të vendit dhe frenuar dramën e madhe të shpopullimit”, nënvizon ai.

“Me porositë dhe urtësinë e Shën Terezës të udhëhiqemi për t’i shërbyer me përulësi çdo qytetari dhe së ardhmes europiane të Shqipërisë dhe kombit shqiptar”, shprehet ai.

Ministrja e Kulturës e Shqipërisë, Elva Margariti ka kujtuar këtë ditë duke shpërndarë një poezi të Nënë Terezës.

“Para trupit të saj të imët janë përulur burra shteti. Ajo kishte një forcë të jashtëzakonshme, dashurinë, që e shndërroi në nënën e çdo të vuajturi e të dobëti”, është shprehur Margariti.

“Nënë Tereza shndrin sot me breroren e shenjtores, duke shpërndarë mbi ne hir, paqe e dhembshuri. Në këtë 110-vjetor të lindjes së saj, nuk mund të mos jemi krenarë që jemi një gjak me Nënë Terezën!”, ka theksuar ajo, duke shpërndarë poezinë “Gjej kohë” të Nënë Terezës./ATSH

Gjej kohë (poezi nga Nënë Tereza)

Gjej kohë të mendosh
Gjej kohë të lutesh
Gjej kohë të qeshesh
Është burimi i fuqisë
Është fuqia më e madhe mbi tokë
Është muzika e shpirtit.
Gjej kohë për të luajtur
Gjej kohë të duash dhe të duhesh
Gjej kohë të japësh
Është sekreti i rinisë së përjetshme
Është privilegj i dhënë prej Zotit
Dita është shumë e shkurtër për të qenë egoistë.
Gjej kohë të lexosh
Gjej kohë të jesh mik
Gjej kohë të punosh
Është burim mençurie
Është rruga e lumturisë
Është çmimi i suksesit.
Gjej kohë të bësh mirësi
Është çelësi i parajsës.