Sheqerie Buqaj interpreton poezinë “Nana” të poetes Ardiana Shala Prishtina

Në kuadër të manifestimit letrar “Himn për gruan” , #Mepoezipërbarazi , në shënim të 8 Marsit, Ditës së Gruas organizuar nga ObserverKult dhe Social Creativity, u lansua platforma “Poetet shqiptare”, ideuar dhe realizuar nga Vlora Konushevci.

Me këtë rast aktorja Sheqerie Buqaj interpretoi një poezi nga kjo platformë. Ju ftojmë të ndiqni interpretimin e poezisë “Nana” të Ardiana Shala Prishtina.

Nana

Nana jeme i ka pasë njizet e nandë vjet kur m’ka lind mu.
Në këtë moshë un e kam zbardhë natën
sa rrugëve të asfaltume të Prishtinës
tue lypë kot gjurmë të kambëve ngrehun zhag nëpër histori
sa rrugëve të kalldrëmit nëpër Berlin
tue i numru pllakat përkujtimore të njerzve të deportuem
në Konzentrationslager.
Lexo nji e shih dy. Shih dy e numro gjashtë milion.
Thartina në bark tue u munu me i blu lëvoret e copave të limonit
me shijen e gotave të lanuna mas në pështymë.
Nji shije filozofike tue e shnoshë botën.
Aq sa mundet me shnoshë nji pse e nji qysh?
E kam pvetë disa herë nanën teme:
A je konë e lumtun?
A je gzu përnime?
A mos jam nji djal që s’u ba?
Mas dy çikave në rend vendi jem m’ka msu
që kjo asht nji pytje legjitime.
Nuk asht në fakt pytje, aq sa asht
heshtje që veshet me emna.
Kam mujtë me e pasë emnin Shkurte.
Me i ra shkurt çikave. Ky asht kuptimi i emnit.
Më siguroi nana, e lumtun ka qenë
dhe e frikësume prej brishtësisë tande moj çikë, m’tha
Je konë shum e vogël, e imë.
Aq e vogël sa s’kishe za as me kajtë.
Thojsha, a rritesh najherë.
T’kapsha kadale se u tutsha po të lëndoj.
Të pastrojsha kadale se u tutsha po të lëndoj.
Të vesh’sha kadale se u tutsha po të lëndoj.
Të ushqejsha kadale se u tutsha po të lëndoj.
Të dojsha shum. E qe, u rrite.
Sot e kësaj dite brenda meje
nji za që s’del ngërthehet në brishtësinë e vet.
Tue e ditë që anej derës të këtij qenefi
ku jam mshefë me kajtë
më pret gjini i saj.
Shpesh thom, a rritem najherë.
Kjo nuk asht nji poezi me kallxu që nana jem u konë
grue ma e fortë se naj grue tjetër.
Kjo asht nji poezi ku un e nana jeme jemi nji. Si çdo grue.
Ajo rriti shtatë fëmijë.
Dhe punoi.
Dhe mbajti shpinë e
në shpinë mbajti nji kulturë të lashtë
të cilën me çdo lodër
me çdo andërr
me çdo kangë
më tha
shkele çika jeme.
Vjen nji moshë te dyjave dhambtë kanë me na ra njisoj.
Kena me hangër përshesh nëse nuk harrojna që jena untë.
Dhe kena me e shiju
me çdo ushtimë të frymëmarrjes
me çdo kërsimë të eshnave
me çdo andërr që vjen si vegim
nji kulturë të lashtë
tue dhanë shpirt nën kambët tona.
Në hijet e saja mbrojtëse
un u bana në të drejten teme nji grue
e fortë
pa fëmijë
akullnajat e antarktikës
tue mu shkri në prag të derës
e fluska fluska
tue mi çu në ajër
nji herë krahët
tani kambët.
Blup!
Gati
gati e preka yllin
para se me u ba
peshë
që i bjen tokës në prehën
e çohet
shkund gujtë
kurrgja s’u ba, thot
dhe tue i kërkue falje tokës
niset me e gjetë nji copë tokë
të pa grithun prej gujve të saj.