“Shfaqja e fundit e Marie Gjonit”, premierë në Teatrin Kombëtar

Sot në Teatrin Kombëtar të Kosovës nga ora 20:00 do të jepet premiera e dramës “Shfaqja e fundit e Marie Gjonit” e Veton Surroit.

Regjinë e kësaj drame a ka bërë regjisori hungarez András Urbán, kurse luajnë Adrian Morina, Armend Baloku, Edona Reshitaj, Shkelzen Veseli, Shpejtim Kastrati e Ylber Bardhi.

“Shfaqja sjell një perspektivë historike të Kosovës, përmes përfaqësimit të një familjeje informatorësh, të cilët brez pas brezi i shërbejnë çdo regjimi – mbretërisë serbe, fashiste, italiane, naziste, komunisteve serbë, komunistëve shqiptarë të Kosovës e deri më sot. ‘Shfaqja e fundit e Marie Gjonit’, sjell së bashku tragjiken dhe komiken në një narracion që përpiqet të kuptojë djallëzinë njerëzore si dhe dashurinë e pakushtëzuar”, thuhet në njoftimin për media të TKK-së.

“Në shfaqje, një drejtues i partisë komuniste dhe një primadonë e teatrit janë kapur në një marrëdhënie dashurie e cila u mbijeton sfidave”, thuhet më tej në njoftim.

Kompozitore e muzikës së shfaqjes është Irena Popoviq Dragoviq, skenograf: Mentor U. Berisha, kostumografe: Yllka Brada, dramaturg: Jeton Neziraj, ass. regjisor: Imer Mushkolaj, kurse muzicient: Drin Tashi dhe Tomor Kuçi. Tekstet e këngëve dhe disa skena të cilat janë krijuar gjatë procesit, janë shkruar nga Jeton Neziraj dhe András Urbán.

Dy reprizat e para të shfaqjes do të jenë me 29 dhe 31 tetor.

Ndërkohë, Teatri Kombëtar i Kosovës njofton se me 31 tetor, kjo shfaqje hap “Kosovo Theater Showcase”, një festival promovues teatror që sivjet ka bërë bashkë Teatrin Kombëtar të Kosovës, Qendrën Multimedia nga Prishtina, teatrin “Adriana” të Ferizajt dhe teatrin e Qytetit të Gjilanit.