Shfaqja që trajton fenomenin e burrneshave

“Burrneshat” tash do të flasë në shqip dhe premiera e saj në Prishtinë po merr formë. Vjen para publikut vendor pas inskenimit në gjermanisht, në Zvicër. Versioni i ri është produksion i “Qendrës Multimedia”. Premiera do të jetë të martën e 10 majit, në teatrin “Oda” në kryeqytet.

Në njoftim shkruhet se “Burrnesha” trajton fenomenin e burrneshave, nën dritën edhe të debatit të tanishëm mbi çështjet gjinore. Po ashtu adreson konceptin e lirisë, moslirisë në shoqëritë me vlera -koncepte e konstrukte të ndryshme shoqërore.

Sose gjatë vizitës në Angli “bëhet pjesë e një queer performance që është duke u përgatitur nga Julian, që është një drag-queen e njohur e Londrës”.

“Për Sose-n takimi me një kulturë kaq të huaj bëhet çështje ekzistenciale”, shkruhet në njoftim i cili jep edhe një historik të shkurtër të këtij fenomeni.

“Ka pasur po ashtu njëlloj eksploatimi të llojit të vet që i është bërë këtij fenomeni dhe i cili është shfrytëzuar dhe përdorur nga të gjithë, veçanërisht nga mediat ndërkombëtare, por edhe nga hulumtuesit e fushave të antropologjisë, sociologjisë, etnografisë e kështu me radhë”, shkruhet në njoftim, duke dhënë edhe disa referenca.

Siç shkruhet, një lloj intimiteti që këtyre burrneshave u ka garantuar akti i të kthyerit në burrneshë. Krejt përnjëherë u është ekspozuar mediave dhe publikut, i cili nuk u ka sjellë ndonjë përfitim burrneshave. Përkundrazi, në shumë raste ato janë portretizuar në dritën e primitivizmit dhe si “relikte” të një shoqërie skajshmërisht patriarkale.

“Por për shumë nga këto gra, të vishesh si burrë dhe të bëhesh burrneshë ka qenë një akt emancipues. Ato e lidhin këtë akt me idenë e ‘lirisë’.

Dave King e ka quajtur këtë fenomen si ‘migrim gjinor’, duke e krahasuar me migrimin gjeografik”, shkruhet në njoftimin për shfaqjen ku luajnë: Tringa Hasani, Semira Latifi dhe Kushtrim Qerimi.

Në shfaqjen “Burrnesha”, antropologia angleze Edith, pas vizitës në veriun e Shqipërisë, takohet me Sose-n, njërën nga pak burrneshat e mbetura shqiptare.

Të dyja, pastaj udhëtojnë në Londër, në një seri të prezentimeve publike në London University. Gjatë kësaj vizite, Sose bëhet pjesë e një queer performance që është duke u përgatitur nga Julian, që është një drag-queen e njohur e Londrës. Për Sosen takimi me një kulturë kaq të huaj bëhet çështje ekzistenciale.

Skenografinë e shfaqjes e ka realizuar Bekim Korça, muzikën Trimor Dhomi, koreografinë Gjergj Prevazi. Kostumet Yllka Brada, menaxhere e produksionit është Aurela Kadriu. Dritat i ka realizuar Mursel Bekteshi, mbështetja teknike vjen nga Pajtim Krasniqi e Bujar Bekteshi. Video nga Ilir Gjocaj, kurse asistente kostumografe është Flaka Rrustemi.

ObserverKult


Lexo edhe:


HISTORIA E VËRTETË E FILMIT “VENDIMI”, SHFAQJA E ENVER HOXHËS DHE PERSONAZHI VERONIKU