Në mesjetë një vendbanim nuk quhej qytet nëse i mungonte tregu. Sot një vendbanim nuk mund të quhet qytet nëse i mungon teatri. Gostivari është bërë qytet, sepse tani ka teatër.
Nga Salajdin Salihu
Teatri i Gostivarit filloi zyrtarisht me premierën “Nathani i urtë”, një dramë historike e shekullit XVIII nga Gotthold Lessingu (1729 – 1781). Vepra e sulmuar nga autoritetet kishtare është bazuar në idealet iluministe: lirinë individuale, tolerancën, progresin, vëllazërinë dhe sekularitetin. Ajo është himn mbi humanizmin e tolerancën fetare dhe një ftesë për komunikim pa paragjykime. Ky mesazh, më së miri, përcillet nëpërmjet parabolës së unazave dhe urtësisë atërore, që e hasim edhe te Bokaçoja.
Kjo vepër dramaturgjike, ku ngjarja zhvillohet në Jerusalemin e shekullit XII, komunikon natyrshëm me realitetin tonë të ngarkuar me paragjykime. Botës sonë i duhen idealet e Lessingut dhe të iluminizmit evropian…
Nathani është një tregtar hebre, i urtë dhe human (interpretuar me mjeshtri nga Visar Vishka). Sulltan Saladini (Arian Ejupi), njihet për mençuri, vendosmëri dhe tolerancë, që reflektohen nëpërmjet lojës aktoreske. Reça (Sheqerie Iljazi) është vajza e çiltër, e adaptuar nga Nathani dhe e bija e vëllait të Saladinit, që udhëhiqet në jetë nga pasioni i dashurisë. Tempullari i ri (Driton Lazami), vëllai i Reçës, sikurse e motra, nuk e di origjinën e tij të vërtetë. Tek ai krenaria prej luftëtari zbutet nga pasioni i dashurisë. Daia (Ajshe Useini), është e krishtera e devotshme dhe dadoja e Reçës. Situatat komike, të ndërthurura në shfaqje, krijohen nëpërmjet aktrimit të Ajshe Useinit. Dervishi Al – Hafi (Elmir Sejfullai) është personazh ndërlidhës, më shumë praktik se i devotshëm. Madje ideja fillestare e Lessingut ishte që dervishi të vihej në qendër të veprës. Frati (Senad Abduli) është personazhi që pëson transformim. Aktori ka krijuar karakter të veçantë, dinamik dhe të dyzuar. Ai shfaqet si skofiar, por shpirtin e ka të rënduar nga dogma, ndërkaq pas transformimit skofiarja triumfon mbi dogmën. Sita (Vjollca B. Zilbehari) është qenie e arsyeshme dhe njëfarë mbrojtëse e sulltanit nga tundimet e pushtetit. Patriarku (Bereda Reshit), është personifikimi i fanatizmit fetar.
Regjisori Rushiti, për t’i përcjellë mesazhet e tolerancës fetare në kontekst të ri shoqëror dhe historik, ka bërë modifikime me sens e masë të tekstit burimor. Shfaqja luhet në tri gjuhë dhe me përkthim. Regjisori e ruan frymën e veprës, që tani i flet një konteksti të ri hapësinor dhe kohor. Shfaqja, si e tillë, e përçon te publiku mesazhin për tolerancë ndërnjerëzore, ndërfetare dhe ndëretnike. Shoqërisë sonë i duhen mesazhe të këtilla, për sa kohë politika ofron spektakle të trishta. Përkthimi i veprave skenike është praktikë shumë e mirë, ndonëse me kosto. Kjo shfaqje, që luhet në shumë gjuhë, nuk krijon pengesa komunikimi me publikun.
Në rrethanat tona thirrjet për një botë më tolerante mund të duken utopi, por, siç thotë Karl Ludwig Burnsi, njeriu në teatër me patjetër duhet të bëjë një hap më përpara se sa në jetë.
Shfaqja është konceptuar nga regjisori si ndërthurje elementesh të teatrit të fjalës (i shprehur në fillim), teatrit fizik (më pak i theksuar), video projeksionit (ku mund të veçojmë shfaqjen e priftit dogmatik), animacionit (që e shoqëron mbase pjesën më të rëndësishme të shfaqjes, pra monologun e Nathanit për tri unazat, ku dallohen potencialet aktoreske të Visar Vishkës).
Krahas lojës së mirë aktoreske dhe regjisë inventive, bie në sy skenografia simbolike dhe funksionale (nga Argjend Karai), kostumografia adekuate (nga Ines Golja) dhe performanca muzikore nga Adnan Aliu (kavall) dhe Dragan Mateski (daulle). Muzika live është preferencë e regjisorit, e praktikuar edhe në projekte tjera regjisoriale.
Uroj që “Nathani i urtë”, si një projekt i suksesshëm teatror, të shënojë sa më shumë repriza dhe mesazhet humane të shfaqjes të arrijnë te një publik sa më i gjerë.