Shfaqje me ironi që “pickon” ndërgjegjen

Në Teatrin Adriana në  Ferizaj u dha premiera e shfaqjes: “Detektivi dhe Nana” produkcion i Teatrit Andrra

Autor & Regjisor: Agush Mulliqi
Luajnë: Lorent Pacolli & Drin Berisha
Skenografia & Kostumet: Dhurim Ismaili Dajki


Shfaqje me ironi që “pickon” ndërgjegjen

Nga: Agron Gërguri

Djali apo vrasësi i dyshuar, baba i vdekur dhe detektivi i cili heton vrasjen, një ballafaqim komik me veten i një djali të akuzuar për vrasjen e babait të tij abuziv dhe një detektivi që dikur e ka dashur nënën e tij. Duke krijuar kështu një trekëndësh në të cilin dyshimi i origjinës biologjike rrinë diku i fshehur tek djali dhe del si motiv i vrasjes sado që shfaqja operon në pista tjera të cilat i zbërthen si marrëdhënie sa familjare aq edhe si hendek gjeneratash në raport me kohën që argumenton për plagët që nuk i përkasin vetëm një brezi.

Shtjellimi dramaturgjik

Shfaqja vëmendëson për një përzierje apo zhvendosjes së sistemit të vlerave në Kosovë edhe ashtu të munguar. Ne sikur të gjitha të ndodhurat në jetën publike (lexo politike) o po i vrasim, o  po na vrasin nisur prej emisioneve televizive debatuese të opinionistëve me agjenda partiake të cilët kinëse në përpjekje për ta këthjellë e mjegulllojnë edhe më shumë situaten, në një vend ku pensionet janë 100 hajde de 120 euro dhe thuaja kaq vlerësohet mosha, tradita,  kështu vlerësohet e trajtohet (lexo vritet) baba në një ambient të kontaminuar me politikë të keqe  ku dikush hedh valle me fukarallëkun e tjetrit por që fort kujdeset për t’i fshirë gjurmët e krimit “kush e pastrojë llaminatin” siç po ndodhë rëndom pa e lënë anash as hipokrizinë që manifestohet në shfaqjet premierë ku më i rëndësishëm është koktej ,  ku hipokrizisht këmbehen urimet e “përzemërta” për “suksesin”, se vetë shfaqja.

Një ironi bukurisht e trajtuar në shfaqjen “Detektivi dhe nëna” e autorit dhe regjisor Agush Mulliqi…ku përveç detektimit apo hetimit për një vrasje ngërthehet edhe rrëfimi i dashurisë së detektivit me nënën e të dyshuarit për vrasje. Një trekëndësh dashurie ku pëson fëmija i cili vret që të dy burrin dhe dashnorin e refuzuar të nënës për të nxjerr dilemën se i kujt ishte djali vrasës i cili në fund të shfaqjes i relativizon vrasjet dhe mesazhon për dashurinë ndaj nënës si vlerë absolute e dashurisë.

“Jeta nuk e përkëdhelë atë që do më shumë po atë qe ka lekë më shumë”… thotë personazhi duke treguar arsyen pse nuk mundi ta ketë grua ate që dëshironte… ironia prek kriteret e  kthyera mbrapsht apo  “dashuritë” që mirëmbahen me  lule plastike, pa shije e pa jetë …një kanalizim emocional plotë fekalie na thotë autori dhe regjisori i shfaqjes Agush Mulliqi i cili për ta realizuar këtë komedi të zezë kishte përzgjedhur dy aktor jashtëzakonisht të talentuar të cilët si figurë, gjest, diksion veprim dinamik përmbajtësuan personazhet  që  karakterizojnë  tipologjinë e komedisë së zezë një Ironi e idhtë mbi realitetin tonë social politik, të traditës fetare,  folk – patriotizmit deri te  parodizimi mënyrës patetike të interpretimit në teatër.
Një shfaqje që të argëton por njëkohësisht “pickon” në ndërgjegje të secilit që jeton në realitetin e quajtur Kosovë.

Teksti dhe regjisura

Agush Mulliqi si autor i shfaqjes me një tekst që herë herë e tejkalon normën e eksplicitetit si shprehje megjithatë në trajtimin regjisorial të materies tekstore Mulliqi e kishte funksionalizuar shprehjen eksplicite ashtu që batutat e ndërtuara si idioma teatrore arsyetoheshin dhe vinin pranueshëm tek spektatori. Një tekst i angazhuar dhe një regjisur që e vë në pah aktorin.

Interpretimi

Aktorët Lorent Pacolli dhe Drin Berisha interpretuan bindshëm duke e ruajtur aktive gjendjen e personazheve me komplekse sociale dhe psikologjike.  Ekspresivë në masën e dozuar të regjisorit. Shprehës me gjuhën e trupit dhe veprimet foljore të artikuluara bukur.
Në përgjithësi shfaqja ishte komponuar mirë në të gjitha levat e saj dhe si e tillë do të ketë pranueshmëri tek spektatorët.

ObserverKult

——-

Lexo edhe:

AGRON GËRGURI: TEATRI IM, E VËRTETA E JETËS