Shinasi Rama: Ridimensionimi i traditës letrare: rrymat bashkëkohore dhe tradita e vjershërimit shqip

Nga Shinasi Rama


Thelbi i artit të vjershërimit asht që tuj joshë ndjesitë dhe emocionet e njeriut, me i krijue dëgjuesit (lexuesit) kuptime dhe gjendje emocionale që shkojnë përtej kuptimeve të pranueme si të vërteta historike apo shkencore. Në këtë mënyrë, të tana elementët që e bajnë vjershërimin të veçantë të krijojnë ndjesinë e të papërsëritshmes, të së veçantës, dhe të vërtetësisë së shpirtnores.

Kështu, kënaqësitë e pashpjegueshme të shqisave si muzikaliteti dhe ritmi shkrihen me nji përpjekje me ngjallë në mendësinë e lexuesit nji kuptim të ndryshëm e ma të thellë të shpirtnores, të asaj çka asht e natyrshme dhe e përbashkët te të gjithë njerëzit. Arti i vjershërimit asht i ndryshëm dhe ma i naltë nga të gjithë artet, sepse duhet me shkri në nji aftësinë e nji Sirene me të magjepsë, dhe të nji Athine (Minerve) me të ba me kuptue të pakuptueshmen ndryshe. Në të gjitha qytetnimet, me aq sa kuptoj unë, me kohë shoshiten veprat dhe pjesë integrale e traditës bahen vetëm ato vepra që e mbrrijnë këtë nivel harmonie midis zanit (muzikalitetit), ndjesisë dhe të imagjinuemes të pashpjegueshme.

Tuj u nisë prej këtyne premisave, lirshëm mundemi me thanë se nji traditë vjershërimi asht e krijueme, e pasurueme, e ndryshueme dhe e zgjerueme nga individë të veçantë, të cilët, brenda kufinjve të nji gjuhe të caktueme, gjejnë çelsat me e mbrritë këtë harmonizim si Dante, Rumi, Li Bai apo Shekspiri. Me kohë ata bahen themeli i traditës së nji qytetnimi, etnie specifike, apo shteti. Edhe njerëz që shpesh nuk e dinë se çka kanë dashtë me thanë, e kanë thanë aq bukur atë që kanë thanë, sa tash janë pjesë e pashkëputshme e traditës letrare. Asht lehtë me kthye kryet mbas në traditën shqipe dhe me përmendë poetë të tillë si Kamberi, Serembe, Mjeda, Migjeni, apo Podrimja që e kanë hijen e vjershëtarit të tillë formues tradite.

Mirëpo historia e jonë ka kenë shumë e komplikueme… dhe kjo e ka komplikue edhe traditen, për shkak të politikës e jo vetëm. Në terma të vlerave dhe të shpirtnores, ne shqiptarët iu përkasim qytetnimeve të ndryshme. Në terma të zanores e të tingullores, ne flasim në idioma, për mos me thanë gjuhë, që ngjallin asociacione të ndryshme te lexuesit (dëgjuesit). Në terma të formës ne iu përkasim shumë traditave të ndryshme letrare e në nji nivel tjetër ma të thellë, edhe traditave të ndryshme qytetërimore.

Ndër shqiptarët ka disa letërsi, e jo nji traditë të qëndrueshme e të dallueshme të përbashkët.

Kjo ka kenë shumë e dallueshme në të shkuemen e afërt. Edhe në këtë pikë, letërsia shqipe asht nji lumë i rrëmbyeshëm që mbledh individë që kanë pak të përbashkëta në këto elemente, arsyeja asht, çka u tha ma nalt, për shkaqe historike. Me kohë, standartet e traditës do të kristalizohen, nëse do të kemi nji komb shqiptar e jo vetëm nji etni shqiptare, rreth këtyre figurave që thuajse në mënyrë mistike na bajnë me pa atë që asht e pavështrueshme dhe e pakuptueshme ndrysh për ne si shqiptarë.
Në rrugë e sipër, shumë autorë do të ngrihen nalt e shumë idhuj do të bien përdhe ashtu si edhe literalisht po ndodh tani. Kjo asht natyra e formësimit të traditës. Politika, mendësia shoqnore, orientimi moral, Zeitgeist, personalitetet e forta, e me radhë, ndërhyjnë si gryka mali që e detyrojnë lumin me ecë ma rrëmbyeshëm apo ma ngadalë.

Në këtë historinë tonë të komplikueme përveç figurave të përmenduna ma nalt, dhe të shumë të tjerëve që mtojnë me gjetë vend ose kanë gjetë vend në traditë, ka disa qasje vjershërimi që janë ushtrue e që ushtrohen edhe sot e kësaj dite. Ne kemi edhe nji vjershërim politik, nji vjershërim të vorfën, dhe nji vjershërim jozyrtar, të cilët jo vetëm janë pjesë e traditës, por edhe shtrati mbi të cilin ajo mbahet. Le t’i konsiderojmë nji e nga nji.

Në nji anë kemi vjershëirmin e vorfën të masës së madhe të njerezve që duen me u shprehë, por nuk i kapin standartet cilësore. Nji vjershërim asht i vorfën, kur në anën artistike, nuk arrin me përmbushë kriteret që janë të veçanta në formë dhe në përmbajtje shpirtnore në nji traditë të caktueme.

Në këtë sens, të themi, ka me mijra poetë italianë të traditës që kanë shkruejtë sonete të përkyeme në formë, por që nuk ngrihen në nivelin e mjeshtrave, sepse nuk e kanë thellësinë e duhun shpirtnore që, përmes sonetit, ose me sjellë diçka të re që e pasunon traditën, ose me përsosë atë që asht thanë. Në procesin e përzgjedhjes historike, këta nuk janë as poetë minorë, por janë të harrueshëm. Këta janë pjesë e vjershërimit të vorfën, kopja që nuk bahet kurrë vepra e dallueshme dhe, po aq, apo edhe ma shumë cilësore sepse nuk kanë kurrfarë lidhjeje me shpirtnoren. Ka shumë që shkruejnë e që promovohen zyrtarisht, mirëpo asht e qartë se nuk e kanë brumin e punimet në nivel të tillë me u konsiderue si ndryshues të traditës apo pjesë thelbësore e saj. Mjafton me pa çmimet që iu jepen nga institucionet zyrtare shkrimtarëve kalimtarë e që po aq shpejt harrohen.

Mirëpo, te ne ka edhe nji nivel ma të ulët se vjershërimi i vorfën i idhujve zyrtarë. Ky është niveli i instrumentalizimit dhe politizimit të vjershërimit për qëllime të padyshueshme politike.

Për fat të keq, historia jonë e komplikueme e ka ba artin të domosdoshëm për arritjen e qëllimeve politike. Shumë nga vjershëtorët tanë, qysh nga Rilindja e mbas, shpesh me qëllime shumë fisnike, e kanë vue dijen e tyne dhe artin në shërbim të arritjes së qëllimeve politike. Shpesh, vjershëtorë të tillë janë vue në Panteonin e letërsisë kombëtare tuj u ba idhuj të promovuem zyrtarisht. Me shembjen e nji sistemi të caktuem, idhujt e tillë harrohen apo ridimensionohen. Nuk ka randësi sa e fuqishme asht makina propagandistike, edukative, dhe institucionale mbas tyne, por me kohë, ata harrohen ose ridimensionohen. Megjithatë, mbesin pjesë e traditës, të paktën si pjesë e evolucionit të saj historik. Përmenden por pa pasë çka me sjellë përtej shërbimit politik që kanë ba, me mbështetë statusin e korifeut që ia ka dhurue dekreti politik. Tirana, për shembull, asht e mbushun me vjershëtare/ë të tilla që ka shumë vite që s’japin gja të re sepse per shume kohe nuk kane pase cka me dhane qe te jete mirefilli jashte sherbimit politik.


Po ashtu, për shkak të rrethanave tona të komplikueme historike kemi edhe nji letërsi të madhe por të gjymtueme nga politika dhe të shkëputun nga koha e vet në mënyrë të panatyrshme. Kjo asht letërsia e shekullit të fundit e krijueme nga figura e personalitete me aspirata letrare të cilët u persekutuen dhe tashti janë në procesin e t’harrjes dhe të përzgjedhjes. Nji palë i quajnë të pavlerë dhe të tejkaluem dhe duan t’i zbresin e t’i zhvlerësojnë për qëllime të qarta politike. Nji palë tjetër të tregojnë persekutimin e vuejtjet e tyne si arsyen e moslulëzimit të tyne të plotë si vjershëtarë. Për fat të keq, ende nuk e kemi traditën e konsolidueme sa me shoshitë si duhet këtë kontribut në vjershërim. Gjetja e vendit të duhun në letërsinë shqipe të kësaj mase të madhe të vjershërimit të kaluem ka me kenë nji proces i vështirë shartimi i të kundërtave që janë të pranishme në traditat tona letrare. Edhe ajo zgjidhje ka me kenë politike dhe shoqnore, për fat të keq.

Ka edhe nji vjershërim jozyrtar të njerëzve, disa me të vërtetë të miredukuem artistikisht. Edhe pse shumë nga shkruesit janë amatorë, edhe pse ka nji superprodhim në shkrime, ka nji veçantësi që lidhet me nivelin e naltë të edukimit të tyre jo vetëm si konsumatorë të traditës/traditave por edhe si pjesë e saj apo si njohës të traditave të tjera. Arsyeja asht se shume vijnë nga diaspora dhe janë në nivele superiore me kontrolloret e caktuem prej autoriteteve politike. Ata shkruejnë me shpirt dhe e mbrrijnë shpirtnoren, pikërisht në atë mënyrën që atyne iu vjen e natyrshme, me aq sa kanë, e me aq sa munden ne traditen ku jane edukue duke sjellë gjana shumë të bukura e të veçanta.

Çdo ditë në Facebook apo në shtypin shqiptar hidhen me mijra vjersha të reja. Asht e natyrshme se nuk kanë me mbetë në traditë të gjitha e as shumica e tyne. Në fakt në traditë mbesin shumë pak vjersha që nji kohë konsideroheshin si modele dhe arritje. Koha asht e pamëshirshme dhe seleksionimi bahet mbi kritere që nuk i kontrollojnë si duan autoritetet. Por unë vete kam lexue perla poetike nga autorë qe jo vetëm nuk i kam njohte por që as që kam ditë se ekzistojnë.
Por asht e pritshme se do të injorohen. Superprodhimi i botimeve vanitoze ka krijue nji kënete ku nuk ka pika referimi serioze. Prandaj, shumë prej këtyne vjershave që hidhen si pa kujdes në mure te FB, do të gjejnë vendin e tyne vetem kur të ketë ma seriozitet institucional. Ato vjersha, përmbledhje dhe vepra janë shumë ma nalt edhe se shumë krijime që mbahen pjesë e traditës apo se autorë që këmbëngulin se ata janë tradita vete.

Pse janë pjesë e politikës, autorët zyrtarisht të njohun pompohen, por mbas pak kohe harrohen si ata ashtu edhe titujt e cmimet e tyne që harrohen sa merren dhe harxhohen paratë. Keto vjersha dhe autorë jozyrtarisht te njohun, e që nuk janë pjesë e strukturës zyrtare, ka shume gjasa me kenë ma shume se nji pjesë e traditës. Në nji kohë të mavonshme, nuk duhet të habitemi ne se ato e disa nga veprat e tyne konsiderohen tradita vetë. Kjo ka ndodhë gjithkund ku ka pasë përmbysje, e nuk ka pse mos me ndodhë edhe tek ne, nji vend ku nuk e merr vesh i pari të dytin, dhe ku sundon mediokriteti artistik disa herë i ulun në nivele pornografike që as revistat pornografike nuk i kishin botue.

Shkurt, letërsia ma interesante, për mendimin tim, po bahet jashtë rrjedhës zyrtare, në këto mijra libra që janë botue nga individë që kanë ndjekë shpirtin e vet. Niveli i edukimit të tyre asht shumë i naltë dhe në shumë drejtime superior me atë që kanë letrarët e promovuem në qendrat kulturore shqiptare. Kur të ulet dikush e të lexojë seriozisht këto mijra vëllime që janë botue gjatë këtyre dhjetravjeçarëve të fundit nga autorë të tillë shumë në mërgim, nuk kam pikën e dyshimit se do të gjejë xhevahire poetike. Për me gjetë nji diamant hapet nji minierë e tanë dhe nji poet mbahet mend për nji vjershë, edhe me katër vargje. Në këto kushte nuk asht koha dhe kushtet por kjo letërsi që po shkruhet ka me e gjetë vendin e vet.

Si përfundim do të kisha dashtë me theksue se mue më duket se po ka nji numër prurjesh interesante që jo vetëm kanë çue në ridimensionimin e traditës zyrtare, por që po e bajnë të pashmangshme përballjen e asaj tradite me vjershëtarë që janë jashtë saj. Nji fenomen interesant asht se jemi tuj shkrue në idioma të ndryshme, dhe se ende po jetojmë në tradita të ndryshme. E këto tradita janë në evoluim e sipër; hendeku midis tyne po zgjerohet e nuk po ngushtohet. Asgja nuk asht e dhanë njiherë e përgjithmonë. Por me kohë gjanat kanë me ra në vendin e vet. Poetë që janë idhuj sot, do të harrohen nesër. Ata që ishin të persekutuem do të gjejnë vendin e tyne në traditë, ne që shkruajmë ndoshta kemi fat e na mbet ndonji vjershë.

Por edhe pse arti i vjershërimit nuk duhet me kenë i varun nga politika, fati i vjershërimit, i traditës dhe i poetëve asht gjithmonë i varun prej saj. Për këtë arsye, do të kisha thanë se gjithmonë do të kemi nji vjershërim me idhuj zyrtarë, por edhe prurje nga nji vjershërim jozyrtar. Si edhe ka ndodhë me emnat e përmendun ma nalt, vjershërimi jo i saksionuem zyrtarisht apo edhe me rastin e të persekutuemve i kundërshtuem politikisht, me kohë e ka gjetë vendin e vet, e pse jo, asht ba edhe vetë tradita.

Prandaj, duhet me i kushtue shume ma shumë vëmendje ketyre prurjeve që janë jashtë qendrave të subvencionueme zyrtarisht e nga institucionet.

Nëse, siç thashë në hymje, letërsia asht harmonizimi i ndjesisë me shpirtnoren, shumë nga autorët që nuk janë pjesë e rretheve zyrtare në Tirane, në veçanti, dallohen si prurje të spikatuna dhe qe meritojnë shumë vëmendje nga institucionet.

Në këtë drejtim Kosova asht nji shembull i madhë me subvencionimin e mbështetjen që iu jep veprave të autorëve të tillë si prurje serioze dhe me vlerë në traditë.

Në këtë mënyrë Kosova po e pasuron dhe ridimensionon traditën letrare tuj iu dhanë mbështetjen e duhun talenteve të veta dhe tuj i përfshi në jetën publike dhe shoqnore, cka në Tiranë qartësisht mungon. Arsyeja pse ndodh kjo asht se letërsia po bahet me mjete politike dhe se ka nji përpjekje me kontrollue traditën në bazë të interesave të grupeve e klaneve të caktueme politike.

Sa ma shpejt ndrron kjo politikë, aq ma mirë do të jetë për harmonizimin e shëndoshjen e traditës se vjershërimit shqiptar. Prandaj do të ishte nji shërbim i vërtetë publik njohja e konsiderimi serioz i prurjeve te reja që zyrtarisht nuk janë në traditë dhe që marrin jetë jashtë qendrave kulturore e rretheve te kontrollueme nga klanet e ndryshme dhe politika e ditës.

ObserverKult

Lexo edhe:

DOLI NGA SHTYPI VEPRA E PËRKTHYER E REGJISORIT FRANCEZ RENÉ CLAIR “PËRSIATJE MBI KINEMANË”