Shitet për shifrën rekord piktura e artistit ikonë, vlente 90 herë më pak në 2002

Prej vitesh gjendej i varur në apartamentin luksoz me pamje nga Central Park në Nju-Jork të Giancarlo Giammettit, koleksionistit italian që bashkë me Valentino Garavanin krijoi shtëpinë e modës së njohur në gjithë botën, “Valentino”.

Por italiani nuk mendonte se piktura me titull “In this Case”, do të shitej ditën e djeshme për një shifër disa herë më të lartë se sa vetë ai apartament luksoz.

Kjo mund të ndodhë sepse autori i veprës është Jean-Michel Basquiat, artisti amerikan me origjinë nga Haiti, shumë herë i diskutuar dhe i adhuruar nga koleksionistët nga e gjithë bota pas vdekjes së tij, në 1988, kur ishte vetëm 27 vjeç, për shkak të një mbidoze heroine.  

Vdekja në moshë shumë të re i ka rritur në mënyrë të pabesueshme vlerën veprave të artistit që cilësohet si një nga anëtarët më domethënës të neoekspresionizmit dhe asaj që u quajt “Street Art”, një stil urban dhe jashtë rregullave klasike ku përfshihej për herë të parë edhe teknika si ato të “grafiti” që gjithmonë e më shumë dilnin në muret e lagjeve të varfra të Brookliyn, dhe që do të “pushtonin” më vonë botën, trasnmeton ‘a2news.com’.     

“In this case” u shit në ankand nga Christie’s për 93 milionë dollarë, kur mendohej se do të blihej për më pak se 50 milionë. Sa për të dhënë idenë, e njëjta pikturë u shit në vitin 2002 për 1 milion dollarë, 90 herë më pak.  

Por nuk është një rekord. Në 2018, miliarderi japonez Yasuku Maezawa bleu pikturën “Untitled” të Basquiat për shifrën 110 milionë dollarë, duke ngritur çdo vlerë të mëvonshëm të artistit mik të një gjeniu tjetër si Andy Warhol.  

LEXO EDHE: Piktura e gjeniut, Le Bernin, thyen rekord