Shkarkohet kryeredaktori i “Bild”
Gjigandi mediatik gjerman Axel Springer shkarkoi kryeredaktorin e “Bild” Julian Reichelt pasi “New York Times” informoi mbi akuzat që ngriheshin ndaj tij.
Punonjëset gra e akuzonin atë për ngacmim seksual dhe se ai shfrytëzonte pozicionin për të shkuar në shtrat me koleget.
Së fundi u prononcua edhe kryetari i kryesisë së kompanisë Axel Springer, Mathias Döpfner. Në YouTube ai flet për gjashtë minuta lidhur me akuzat dhe e argumenton shkarkimin e Reichelt-it me faktin, se ai në mënyrë të përsëritur ka vepruar gabim, duke krijuar marrëdhënie me punonjëset e reja të redaksisë së gazetës “Bild”.
Döpfner thekson në deklarimin e tij, se në këtë rast kemi të bëjmë me një problem të “Bild” dhe jo të të gjithë koncernit Axel-Springer. Ai ndër të tjera thotë në fund të video-mesazhit, se tani do të shkojë edhe në Uashington, ku së fundi Axel Springer ka blerë në vlerën një miliard dollarë portalin amerikan të lajmeve me seli në SHBA “Politico”.
Por çfarë roli luajnë në fakt „Bild”, gazeta më e fuqishme bulevardeske në Europë dhe shtëpia botuese Springer, që qendron pas saj në peizazhin mediatik ndërkombëtar? Çfarë lidhje ka çështja Reichelt me SHBA-në dhe udhëtimin tani të Mathias Döpfner në Uashington?
Springer dhe Bild: Gjigandët e opinionit
Gazeta “Bild”, kryeredaktor i së cilës që nga viti 2017 ka qenë Julian Reichelt, është me 1,24 milionë ekzemplarë gazeta e përditshme me tirazhin më të fuqishëm në Gjermani. Që prej themelimit të saj më 1952 ajo i jep tonin peizazhit mediatik gjerman si asnjë gazetë tjetër. Kjo gazetë si asnjë tjetër shpesh është edhe e diskutueshme dhe objekti qortimi i Këshillit gjerman të Shtypit.
Koncerni mediatik gjerman Axel Springer me xhiro miliardëshe u themelua pas Luftës së Dytë Botërore. Fillimisht botonte gazeta të përditshme e revista. Themeluesi i tij Axel Springer ishte një personalitet i diskutueshëm. Nga protesta kundër anti-komunizmit të shpallur prej tij, në vitin 1972 Fraksioni terrorist i Ushtrisë së Kuqe (RAF) hodhi bombë në zyrat e Springer në Hamburg.
Pak para kësaj gazeta Bild ishte shprehur me tone agresive kundër protestave të studentëve në vitet 1960. U pozicionua kundër kërkesave të tyre për ripërtëritjen shoqërore në Gjermani. Kjo gazetë përdorte tone nxitëse vëçanërisht kundër Rudi Dutschke-s, figura drejtuese e lëvizjes së ashtuquajtur “1968-shat” në Gjermani. Rudi Dutschke ra viktimë e një atentati.
Axel Springer pothuajse nuk është aspak një shtëpi klasike botuese
Sot Axel Springer pothuajse nuk është aspak një shtëpi klasike botuese, thotë studiuesi i medias Christopher Buschow në intervistë për DW. Springer, sipas tij, është sot më shumë së shtëpi mediatike ose një koncern digjital. Kjo pasi të ardhurat kryesore nuk i gjeneron me gazetari, por ndër të tjera edhe me investime të tjera si në tregjet e rubrikave digjitale apo portalin e punësimit “Stepstone”.
Lidhur me kryetarin e kryesisë së koncernit Mathias Döpfner, Buschow thotë: “Mathias Döpfner me siguri që e ka kuptuar shumë më herët se të tjerë menaxherë mediash, që duhet investuar edhe në tregje të tjera përtej gazetarisë – e megjithatë mund të mbahen biznese të përzgjedhura gazetash.”
Me shitjen e gazetave lokale si “Hamburger Abendblatt” dhe “Berliner Morgenpost” në vitin 2014 koncerni mundi të sigurojë të ardhura, që u përdorën për të investuar në ripërtëritjen digjitale, thotë Buschow.
Koncerni mediatik nuk ka kaluar tashmë vetëm reformën e transformimit digjital, por është pozicionuar edhe më gjerë në nivel ndërkombëtar.
Springer në vitin 2010 bleu media në Europën Lindore. Më pas i shiti ato në verën e këtij viti, me përjashtim të aksioneve polake. Kjo ndoshta edhe për faktin, se situata për gazetarinë e lirë e të pavarur në këtë rajon është vështirësuar, sipas Buschow.
Springer do të bashkëveprojë në skenën e madhe
Tani koncerni bashkë me investitorin financiar në SHBA KKR, sipas Buschow synon që të bashkëveprojë në skenën e madhe.
“Tashmë koncerni e ka kuptuar, që nëse dëshiron që si sipërmarrje mediatike të shpalosë efektin në nivel global. Kyçi është SHBA-ja, ku gjigandët e teknologjisë në shumë aspekte japin drejtimin në një botë mediatike të bazuar tek platformat.”
Vetëm në kontesktin e këtij ekspansioni mund të kuptohet, se përse akuzat ndaj ish-kryeredaktorit të “Bild” Julian Reichelt shkaktuan një valë të tillë ndërkombëtare reagimi duke u bërë së pari publike në SHBA.
Akuzat e përfolura në Gjermani në pranverën 2021 nxitën brenda koncernit një hetim të brendshëm përmes një kancelarie avokatie.
Në këtë periudhë kryeredaktori Julian Reichelt u lirua nga detyra përkohësisht, por pas dymbëdhjetë ditësh u rikthye në të njëjtin pozicion.
“Në shtrat, ngjitje në karrierë, e më pas flakje nga puna”
Revista “Der Spiegel” në mars 2021 njoftoi për hetimet e brendshme dhe nën titullin “Në shtrat, ngjitje në karrierë, e më pas flakje nga puna” arrinte në artikullin e saj në konkluzionin, se kryeredaktori Julian Reichelt në redaksinë e “Bild” kishte krijuar një mjedis armiqësor pune ndaj grave.
Sikurse njofton tani “New York Times”, edhe gazetare e gazetarë investigativë të medieve të tjera gjermane janë marrë me rastin e ketij kryeredaktori, me Julian Reichelt dhe akuzat ndaj tij.
Ndër to ka qenë edhe gazetarja Juliane Löffler nga shtëpia botuese „Ippen-Verlag” si dhe kolege e kolegë të gazetës “Handelsblatt”. Ippen-Verlag është një grup konkurrues botimesh, të cilit ndër të tjera i përkasin kryesisht gazeta të rëndësishme rajonale në Gjermani ndër to edhe “Frankfurter Rundschau” dhe “Münchner Merkur”.
Sipas “New York Times” të gjitha këto investigime në Gjermani u ndaluan, tek “Handelsblatt”, sikurse thuhet, në rastin e investigimit të Juliane Löffler, (kryeredaktori) botimi u pengua vetëm pak ditë para planifikimit nga aksioneri më i madh i Ippen-Verlag, Dirk Ippen, kështu shkruan të paktën tani gazeta “New York Times”. Ndërsa “Handelsblatt” nuk i është përgjigjur një kërkese me e-mail nga “New York Times” për t’u pozicionuar lidhur me çështjen, Ippen-Verlag është përgjigjur, se u vendos për të mos e botuar artikullin. Në deklarimin e tij në YouTube Mathias Döpfner e hedh poshtë, që të ketë pasur përpjekje nga ana e koncernit për ta ndaluar këtë botim.
Pra edhe në Gjermani mjaft gazetare e gazetarë kanë pasur dijeni për akuzat kundër ketij kryeredaktori, pra Julian Reichelt e duket se nuk kanë dashur t’i bëjnë ato publike. E u desh në fund që të ishte gazeta amerikane “New York Times” ajo që i paraqiti në detaje akuzat e grave.
Vetëm pasi u tërhoq vëmendje ndërkombëtare nga SHBA, koncerni u vu në lëvizje duke e larguar nga detyra kryeredaktorin e „Bild”. Mathias Döpfner i pyetur, nëse koncerni do të duhej të kishte reaguar qysh më parë, në dekalrimin e tij thekson: „Pas ndodhisë bëhesh gjithmonë më i mençur”.
Burra që shfrytëzojnë pozicionin e tyre të pushtetit
Hulumtimet e “New York Times” skicojnë një imazh të redaksive gjermane, në të cilat shpesh gratë konfrontohen me burra në pozicione drejtuese, që ndonjëherë nuk stepen ta shfrytëzojnë postin.
Po ashtu artikulli i „New York Times” përshkruan një peizazh mediatik, në të cilin jo zyrtarisht burrat krijojnë rrjete që mbështesin njëri-tjetrin edhe kur janë në konkurrencë ekonomike mes tyre.
Mathias Döpfner nuk është vetëm kryetar i kryesisë së koncernit Springer, por edhe kryetar i Shoqatës Federale të Botuesve të Gazetave gjermane. /DW
ObserverKult
Lexo edhe:
EQREM ÇABEJ: PSE BOTA NA QUAN ALBANIA? ORIGJINA E EMRIT SHQIPËRI