Shkëlqimi i filmit nga Kosova, “Vera andrron detin”, fiton “Golden Sun”

Filmi kosovar ‘Vera andrron detin’ me skenar nga Doruntina Basha dhe regji të Kaltrina Krasniqit, po vazhdon me suksese, fitoi edhe një çmim.

Filmi ka rrëmbyer çmimin ‘Golden Sun’ për filmin më të mirë në edicionin e 21-të të Festivalit Evropian të Filmit Cinedays, në Shkup të Maqedonisë së Veriut.

Sinopsisi i filmit

Vera, një grua në moshë mesatare, detyrohet të ballafaqohet me realitetin e çështjeve gjinore me rrënjë të thella në shoqëri edhe në ditët e sotme.

Lufta e Verës për pronën familjare shpalos një ambient politik e kulturor të ndërtuar mbi pabarazitë, jo vetëm në Kosovë, por edhe globalisht.

Aktorët të cilët luajnë në film janë: Teuta Ajdini, Alketa Syla, Refet Abazi, Astrit Kabashi, Arona Zyberi, Aurita Agushi, Ilire Vinca, Xhevat Qorraj etj, transmeton “euronews.albania”.

Filmi “Vera andrron detin” është bashkëprodhim Kosovë, Maqedoni e Veriut dhe Shqipëri. Premierën Botërore e ka pasur në Festivalin e Venedikut në shtator të vitit 2021. Prej atëherë, është shfaqur në shumë festivale të rëndësishme botërore dhe ka fituar dhjetëra çmime.


Lexo edhe:

“VERA ANDRRON DETIN” VAZHDON RRUGËTIMIN NË FESTIVALIN E FILMIT NË GÖTEBORG

Filmi “Vera andrron detin” me regji të Kaltrina Krasniqit është në mesin e filmave pjesëmarrës në Festivalin e Filmit “Göteborg”, në Suedi.

Në film përditshmëria e qetë e Verës çrregullohet nga vetëvrasja e papritur e burrit të saj që hapë rrugë për një paradë të padëshiruar kërcënimesh nga kushërinjtë që pretendojnë të kenë pronësi mbi shtëpinë e familjes së tyre në fshat.

Kur tendencat e një skeme të nëntokës fillojnë të dalin në pah, bota e Verës përballet me rreziqe të cilat duket se do ta fundosin atë. Frika dhe mosbesimi, shtyjnë Verën të marrë fatin e familjes në duart e saj…

Tekstin e plotë e gjeni KËTU

ObserverKult