
E gjithë shoqëria shqiptare kudo ku jeton, duhet ta ketë të qartë se borxhi ndaj Luginës së Preshevës nuk ka vetëm përmasa morale, por mbi të gjitha kombëtare
Nga Shkëlzen Halimi
Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë përmban disa nene që trajtojnë çështjen e shqiptarëve jashtë kufijve administrativë të Shqipërisë. Në to, ndër të tjera theksohet se: Republika e Shqipërisë mbron të drejtat kombëtare të popullit shqiptar që jeton jashtë kufijve të saj. Republika e Shqipërisë kujdeset për ruajtjen dhe zhvillimin e identitetit të tyre kombëtar dhe trashëgimisë së përbashkët kulturore. Republika e Shqipërisë i ndihmon shqiptarët që jetojnë jashtë kufijve për të ruajtur lidhjet e tyre me atdheun dhe për të kontribuar në zhvillimin e tij. Pra, Kushtetuta e Shqipërisë përcakton qartë një përgjegjësi të shtetit për të mbrojtur dhe ndihmuar shqiptarët jashtë kufijve të saj, si në aspektin e të drejtave kombëtare, ashtu edhe në ruajtjen e identitetit kulturor dhe lidhjeve me atdheun.
Duket bukur e shkruar në letër, por, fatkeqësisht, në realitet është krejt ndryshe, për të mos thënë e kundërta. Në veçanti kjo ka të bëjë me Luginën e Preshevës, hapësirë kjo e ngelur as në qiell as në tokë dhe e lënë në harresë.
Lugina e Preshevës ka qenë historikisht një rajon me shumicë shqiptare, por për shkak të ndryshimeve politike dhe kufijve, ajo mbeti jashtë Shqipërisë dhe Kosovës. Duke qenë se banorët e saj kanë identitet shqiptar dhe ndihen të lidhur me kombin, Shqipëria ka një përgjegjësi morale për t’i mbështetur ata, kurse kjo përgjegjësi përjashton të gjitha taktizimet politike apo gjeostrategjike, sepse shqiptarët e Luginës së Preshevës nuk janë monedhë për kusuritje e as për balanca të natyrave të ndryshme.
E gjithë shoqëria shqiptare kudo ku jeton, duhet ta ketë të qartë se borxhi ndaj Luginës së Preshevës nuk ka vetëm përmasa morale, por mbi të gjitha kombëtare. Kjo Luginë për historinë dhe kulturën tonë ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm, ka dhënë akademikë të shquar (kujtojmë Idriz Ajetin, Rexhep Ismajlin, Nexhat Dacin, Hivzi Islamin), ka dhënë shumë krijues letrarë (Ramadan Rexhepi, Qerim Arifi, Fehime Selimi, Jonuz Fetahaj, Mexhit Mehmeti, Shkëlzen Halimi, Avni Halimi, Fitim Nuhiu etj) pastaj piktorë, aktorë, regjisorë, gazetarë dhe shumë personalitete të profileve të ndryshme, me të cilët ne, si shoqëri, duhet të krenohemi pafundësisht. Fatkeqësia më e madhe e një shoqërie është injorimi i vetvetes.
Organizata joqeveritare Inkluzioni me seli në Preshevë, është një shoqatë që ka bërë punë të shkëlqyeshme në lëmin e arsimit, kulturës dhe çështjeve që ndërlidhen me aspekte sociale. Kohë më parë Inkluzioni kishte konkurruar me një projekt në Ministrinë shqiptare të Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, realizimi i së cilës do të përmbyllej me një shumë, për kushtet tona, simbolike. Por, ja që përgjigja do të jetë negative. Është për t’u vajtuar ky qëndrim i këtij dikasteri të Qeverisë shqiptare.
Nga ana tjetër, jemi dëshmitarë të shumë manifestimeve letrare që organizohen në Shqipëri e Kosovë, por krijuesit e kësaj ane, thjeshtë injorohen. Prezenca e Luginës në këto manifestime ka jo vetëm simbolikë të veçantë, por tregon edhe për përgjegjësinë kombëtare. Duhet të jetë e qartë se arti shqiptar nuk bëhet vetëm në Shqipëri e Kosovës, por edhe në Luginë e Preshevës, e cila është edhe një minierë e trashëgimisë kulturore, duke pasur edhe disa specifike që nuk hasen në asnjë hapësirë tjetër shqiptare.
Ta injorosh Luginën e Preshevës, mbi të gjitha do të thotë ta injorosh vetveten, kurse injoranca, siç dihet, është burim i të gjitha të këqijave. Ndaj, mos të bëhemi e keqja e vetvetes…
ObserverKult
Lexo edhe: