
Nga Shkëlzen Halimi
Në skenën letrare shqiptare absurditetet gjithnjë e më shumë po bëhen dukuri normale, kurse përgjegjësia morale si çështje që nuk e shqetëson ndërgjegjen. Mos të flasim për injorancën që tashmë pothuaj është shndërruar në kod identifikimi. Në këtë ambient të kontaminuar zënë vend edhe sajimet e antologjive, sipas tekeve dhe interesave individuale, gjë që dukshëm dëmton pikërisht letërsinë e mirëfilltë. Aq më tepër, kur këto antologji përkthehen në gjuhë të huaja. Duket se nuk jemi të vetëdijshëm se çfarë u prezantojmë të huajve. Çështjen e letërsisë shqipe, kur bëhet fjalë për prezantimin e saj, paksa e vështirëson pikërisht shpërndarja e shqiptarëve në disa shtete, ndaj dhe bindja e mosnjohjes brenda kësaj letërsie është një fakt i pamohueshëm. Fatkeqësisht, janë shumë shkrimtarë nga Kosova e Maqedonia e Veriut, por edhe nga Mali i i Zi e Lugina e Preshevës, që, bie fjala, akoma nuk njihen në Shqipëri, por edhe anasjelltas. Kjo, padyshim dëshmon se pikërisht kjo mosnjohje, bashkimin shpirtëror edhe më tej e bën të zbehtë, për të mos thënë një mision brenda kornizave të pamundësisë.
Po cila është panorama e vërtetë e poezisë bashkëkohore shqipe?
Edhe pse me qëllimin më të mirë, kjo panoramë, nuk reflektohet te “Antologjia e poezisë moderne”, përkthyer në gjermanisht (botuar në Cyrih) nga Naim Kryeziu. Nuk reflektohet, sepse mungojnë shumë emra, pa të cilët çdo antologji apo panoramë, do të ishte më shumë se e varfër. Natyrisht, të vërtetën e përzgjedhjes së 50 autorëve, e di vetëm përzgjedhësi, por ata që e njohin thellësisht letërsinë, do të pajtoheshim se disa emra të prezantuar në këtë antologji, nuk janë aq të denjë ta përfaqësojnë letërsinë shqipe. Mbase, disa emra, për opinionin më të gjerë shqiptar (përfshi edhe Diasporën shqiptare), mbajnë epitetin e anonimit.
Në krye të kësaj antologjie mungon Lasgush Poradeci, një figurë madhështore e letërsisë sonë.
Për shkak të shpërndarjes, siç thamë më sipër, të shqiptarëve në disa shtete të Ballkanit, fatkeqësisht duke u kufizuar me vetveten, gjithë-përfshirja duhet të jetë një çështje primare për ata që marrin guximin të hartojnë projekte të këtilla.
Ndonëse në parathënien e tij Kryeziu thotë se “Antologjia e poezisë moderne shqipe” është një hartë shpirtërore e letërsisë që përfaqëson një kontribut të veçantë kulturor, duke përfshirë 50 poetë nga të gjitha trevat shqipfolëse: Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Lugina e Preshevës si dhe komunitetin arbëresh në Itali, megjithatë mungojnë autorë nga Lugina e Preshevës, por edhe ata me prejardhje çame, prezenca e të cilëve ka simbolikë të veçantë. Antologjinë e bëjnë me peshë vetëm emrat e denjë, të verifikuar, të pranuar dhe të respektuar nga lexuesit e vërtetë, që e dinë se çfarë do të thotë poezi. Në rastin konkret, përzgjedhësi i emrave të kësaj antologjie është dashur të hulumtojë më shumë dhe jo të jetë nën ndikimin e “profesorëve”, të cilët janë të vetë-pëlqyer dhe të cilët mendojnë se janë pikërisht ata “përfaqësuesit” e vërtetë të letërsisë shqiptare.
Të jemi të qartë, çdo antologji e poezisë shqipe, qoftë për konsum të brendshëm qoftë për atë të jashtëm, do të ishte e mangët (nga Kosova) pa Teki Dërvishin, Jusuf Gërvallën, Besim Bokshin, Agim Gjakovën, Mirko Gashin, Nexhat Halimin, Shaip Beqirin, Ramadan Musliun, Abdullah Konushevcin, pa Xhevdet Bajrën, Fakete Rexhën, Agim Malajn, Tahir Deskun, Halil Matoshin, Donika Dabishevcin, Vlora Ademin, do të ishte e mangët (nga Shqipëria) pa Primo Shllakun, Rudolf Markun, Ilirian Zhupën, Besnik Mustafajn, Preç Zogajn, pa Rita Filipin, Drita Çomon, Genc Lekën, Vilson Blloshmin, Sulejman Maton, Agim Maton, Agim Spahiun, Sokol Zekajn, Hamit Alijin, Rudian Zekthin, Romeo Çollakun, Rexhep Shahun, do të ishte e mangët (nga Maqedonia e Veriut) pa Murat Isakun, Abdylazis Islamin, Resul Shabanin, Nehas Sopajn, (pse jo edhe pa autorin e këtij shkrimi), pa Lindita Ahmetin, do të ishte e mangët (nga Lugina e Preshevës) pa Qerim Arifin, Fehime Selimin, Avni Halimin, do të ishte e mangët (nga Mali i Zi) pa Anton Berishajn, do të ishte e mangët (nga Diaspora) pa Skender Sherfin, Luan Ramën, Neviana Shehin, Shqiponja Axhamin, Ardita Jatrun, Herman Çukën e shumë e shumë të tjerë. Pra, një pjesë e madhe e këtyre emrave që mungojnë edhe në këtë antologji, projektin në fjalë dukshëm e varfërojnë.
Prandaj, antologjitë ose do të duhet të jenë të plota ose nuk duhet të përpilohen fare, sepse duke qenë të mangëta, ato krijojnë vetëm konfuzion, aq më tepër kur dihet se aktualiteti na dëshmon se kemi krizë të thellë leximi, kaos të vërtetë në lëmin e botimeve, mungesë të kritikës dhe shumë vlera të dyshimta.
Përderisa ne akoma nuk njihemi mes veti, cili do të ishte kuptimi që të na njohin të tjerët! Natyrisht, nuk presim (për shkak të egove) që për këto mangësi të reagojnë emrat që janë përfshirë në antologjinë në fjalë, ndonëse edhe ata e dinë peshën e këtyre mungesave. Dhe vijmë te përfundimi se në skenën letrare shqiptare absurditetet gjithnjë e më shumë po bëhen dukuri normale, kurse përgjegjësia morale si çështje që nuk e shqetëson ndërgjegjen…






