Ka do gjana t’cilave edhe pse u ke kthye shpinën, s’munden me t’braktis, s’munden me t’ra mohit.
T’vuhen parmas si jehona e zanit t’nji legjende. Rrijn me ty, me gjanat tueja, me ma t’shtrenjtat andje e kujtime.
Sa ma gjatë qi m’mungon, njaq ma i thellë asht shpimi i mallit për ty. Sa ma larg iki, njaq ma t’dishrueme e t’anshme mbetet tançka më mban t’lidhun me ty.
Ndër andje harbimesh t’thekshme e dishrimesh të rreshkuna mallit, gjegjem me u kacarrit mbas do kumtesh fotografike, s’andej me ftillue saora nji gjendje tërbimi ngjyrash, nji ngulm me i diftue gjanat bash njashtu siç ky shkulm rreket m’i end.
Tinzisht m’bahet se dielli turret ma duhishëm me e la me dritë e larushì, kah syni rrok me shastisje, se sa vet realja përçapet me e ravijëzue me dogoni idilin e vet, në k’si ditësh të fillrueme prej resh t’nargueme me zemëratë t’amshueme, e t’nji kjartësie që e ngërthen në solemnitet pamjen.
Ndoshta ma shum se syni, dikund mundet me kqyr njaq thellë e njaq kjart veç zemra, kjo ngase tançka asht end me fillin e vezullimit të dishrimeve ma t’epërme, si tue dasht me krijue nji diçka fort t’andshme e ma t’bukrën qi ka mujt m’e rrok me rreze dielli.
Kam gjet përditë nji fije përkushtim me t’kujtue, si tash qi po mundem me t’përtrì n’përfytyrimin tem.
Rrin e na pret te pragu si nana, diellplote, hanëndritun, e tançka tjetër vetvedi kena patun si ngulm me e kumtue.
Gëzo Shkodër ma t’bukurin nur që t’ka ra. Shfleto n’kangt tueja, harenë e akshihaneve dhe namin e përbotshëm t’bijve t’tu.
Ma t’bukurën prej tyne këndoje me zà, ta ndigjojn tan bota t’bylbylshmen kang, njat t’dashnis, dashnis qi ke dijt bash fort me e dasht.
Tankush kje me ty, edhe un’, ashtu me shpirt e zemër njaty ku ti dergjesh n’halle tueja,
përpushesh n’dogonit tueja, harbon n’gazmendin tand.
Vijmë n’prehnin tand, e ikën, si prej prehnit të nanës, përplot me gazmend e dishira. E ti metesh tamli ma jetdhanës, ai i gjinit t’nji flijimi.
Ke ndryshue njaq shum’ Shkodra jeme. Je ba njaq e bukur për syt’e mi, e njaq flakruese për ma t’ndërkrymet dëshira qi mylmehen n’t’amblen, limfë tanden. Po këndoj e po kjaj për ty.
Po gazmoj e po vuej prej se njaq shum m’mungon. Kam lan te ti kujtimet, fminin, gazmendin e idhnimin, kam lan ç’ka kam pas ma t’shtrejt e ma t’dishrueme.
Lexo edhe:
SHKODRA NË 4 FOTOGRAFI TË MË SHUMË SE NJË SHEKULLI MË PARË
Nga Roland Qafoku
Duke qenë se Shkodra u kthye në qendrën e gravitetit të zgjedhjeve të 14 majit, po publikoj sot diçka të lidhur me historinë e këtij qyteti.
Shkodra është nga ato shumë pakta qytete në Shqipëri që jo vetëm ka lashtësinë prej rreth 3 mijë vjetësh por që e ka ruajtur qytetërimin.
Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:
ObserverKult