
“Zjerm” ishte një shpërthim ndjenjash, ritmi dhe performance energjike, duke ndezur skenën e Eurovision 2025 në Bazel të Zvicrës. Shqipëria shkëlqeu me një interpretim që ngjalli emocione të forta dhe vlerësime të shumta nga publiku dhe kritika.
Shkodra Elektronike, përfaqësuar nga Beatriçe Gjergji dhe Kolë Laca, solli në skenë një përzierje të fuqishme mes modernes dhe traditës shqiptare, duke elektrizuar sallën dhe ngritur publikun në këmbë.
Kënga “Zjerm”, e shkruar nga Beatriçe Gjergji dhe kompozitori Lekë Gjeloshi, përfaqëson një risi të guximshme për Shqipërinë në këtë kompeticion ndërkombëtar. Ajo ndërthur elementë të muzikës elektronike me motive të folklorit vendas, duke krijuar një tingull emocional, autentik dhe bashkëkohor. Teksti i saj mbart një mesazh shprese dhe qëndrese, duke treguar veçanërisht për kohët e pasigurta që përjeton sot Europa dhe bota.
Shkodra Elektronike lindi në vitin 2019, kur dy artistët vendosën të eksplorojnë rrënjët e tyre shqiptare përmes një vizioni modern. E rritur në Itali, dyshja ka ndërtuar një profil unik që ndërthur kulturën ballkanike me ndikimet e skenës underground dhe elektronike evropiane.
Përfaqësimi i Shqipërisë me “Zjerm” në Eurovision 2025 nuk është vetëm një hap përpara në skenën muzikore ndërkombëtare, por edhe një shprehje e identitetit kulturor shqiptar, e ri sjell nëpërmjet muzikës.
ObserverKult
Lexo edhe:
FESTIVALI I FILMIT NË KANË VENDOS KUFIZIME TË REJA: “JO MË ZHVESHJE” NË TAPETIN E KUQ






