Koliqi: Shkoqitje e pleqnime: Trashigimi i të parvet dhe kryengritja e të rijvet

Nëse “gërmon” nëpër arkiva dhe shfleton libra e revista të kohëve të shkuara, që nga Albania e Faik Konicës e deri tek Shejzat e Martin Camajt, do të gjesh pa asnjë diskutim perla, nga ato që të mrekullojnë. Në një kohë kur fjalori i shumicës po njeh vetëm tkurrje, kur shumëkush ka më të kollajtë të përsërisë papagallçe një fjalë të huaj për të shprehur një mendim, qartësia e ideve të këtyre kolosëve të letrave shqiptare, tē shprehura në mënyrë të rrjedhshme e brilante përmes një shqipeje të kulluar, toskërisht a gegnisht qoftë ajo, duhet të na shërbejë si një kujtesë se kemi një thesar që “përtojmë” ta eksplorojmë…

Artikulli i mëposhtëm është marrë nga numri i Prill-Qershorit 1969, i Revistës “Shejzat”, me Kryeredaktor Martin Camaj. Autori është Ernest Koliqi, i cili shkruante me pseudonimin Hilushi.

Shkoqitje e pleqnime: Trashigimi i të parvet dhe kryengritja e të rijvet

Nga Hilushi

Lufta e dytë botnore, e cila tronditi mbarë njerzimin tue mos lanë asnji skaj të botës pa çue peshë, cilësohet jo vetëm për plojë (carnage, kërdi) e vuejtje të papërshkueshme shkaktue, ku ma shum ku ma pak, çdo populli, por edhe – e sidomos – për pasojat tmerësisht turbulluese qi la e qi vijojnë gjithënji, nonse nji i katërt qindvjeti kaloi nga sosja e saj. Themelet e jetës së maparëshme po luhasin.

Shka dikur nderohej si gja e shejtë, sot shoshlohet, mohohet, përbuzet. Gjithëshkafja vehet në dyshim, kurrgja nuk pranohet si pikënisje ase si pikarrijtje: dhe në qoftë se e pranon njani, nuk pëlqehet prej tjetrit. Shumica e njerzvet, qofshin edhe mjaft të shkolluem, jesin ndër domna para dukunive të gjithënduershme, s’dijnë t’u japin dum as çashtjeve ma të thjeshta, humbin ndër propaganda qi përditë ndrrojnë e shndrrojnë, qindrojnë dyshas e të pavendosun në mes lëvizjesh mendimesh të larme dhe, mjerisht tepër shpesh, ndjekin ata pseudo-profetë qi vikasin ma fort, qi paraqesin zgjidhje ma të shtyme, qi këshillojnë përmbysjen e çdo dokje së deritashme pa shoshitë vjeftësin e saj. Të gjithë priren shpirtnisht e trupnisht kah nji ndrrim i botës, kah krijesa e nji shoqnie jo të përtrime për të dalun si këpurdhta mbas shiut nga shqymbja e asaj së njoftun mjé sot.

Ky gjakim (dishir i ndezun) prej njerzve t’urtë njehet shfagje ja e nji mendjeje së tréntë ja e nji qëllimi fillzi për të krijue nji kaos e për të peshkue n’uj të turbullt. Dikush dishron vërevërte qi të ndrrohet bota për t’u mkambë mbi baza drejtësije ma të theksueme, por ka tjerë qi duen rrokullime mendimesh shtetnore e shoqnore me zanë pozita (gadi gjithmonë të pameritueme) për t’ushtrue nji fuqi shpesh mizore mbi tjerë dhe sidomos mbi ata qi janë ma të ndershëm e ma të zotët.

Tue shoshitë me akull mendjeje e çiltëri (sincérité, franchise) zemre këtë problem të ndërlikuem, d.m.th. turbullimin shpirtnuer e shoqnuer, nëpër të cilën po përshkohet sot njerzimi, na mendojmë se në pështjellim ndiesish e idesh qi na tërhjekin vërejtjen nuk mungon nji afsh i shndoshtë përtrijmesh, nji lakmim i lëvdueshëm rilindjeje, por i kapërthyem në nji mish-mash qëllimesh të dyshimta, synimesh shpartalluese, epshesh të ndyta. Ai qi don të mirën e vet dhe të njerzimit duhet t’u ruhet rrëmbimit të dalldis, të dejunit euforik qi ngjitet si epidemi nga premtimet lartushtuese, hyperboleve demagogjike e paraqitjes me fjalë të prarueme t’objektivave qi kanë nji fund djallëzor.

Veçse… për ne çashtja parashtrohet, si gjithmonë, në qark t’interesit arbnuer. (Le të na lejohet këtu me përsëritë se kur thomi “Shqiptar”, shenjojmë njerin bashkëkombtar të Shqipnis së vjetër dhe të Kosovës e, – për të qenë krejt të qartë – edhe atë të Malitzi e të Maqedonis; thrrasim “Arbresh” vëllazënit fisnorë t’Italis e të Greqis e të Zarës; përdorim skajin arbnuer – nga Arbri – tue përfshi në te mbarë gjinden e gjakut t’onë) d.m.th. Arbreshë e Shqiptarë bashkë.

Tue kthye në bisedim të nisun, jemi të mendimit se për botë ka kush mendon: na fuqin e truve tona dhe vrullin e veprimtaris duhet t’ia kushtojm atdheut, Shqipnis, kuptohet tue mbajtë përherë parasysh panoramën botnore dhe përpushjen e ideve qi në te vlon. Jemi pjesë e njerzimit. Veçse … nuk do të nisemi nga njerzimi për të zbritë ke Shqipnija e vogël (por shumë e shtrejtë për ne); do të nisemi nga Shqipnija dhe nga problemet e saja për t’arrijtë ke bota e gjanë ku njehemi pjestarë.

TE VJETER E TE RIJ

Deri te e para luftë botnore, gjatë së cilës pamvarsija kombtare – porsa e fitueme me shum mundime dhe me kundërshtime të mbrendëshme e të jashtëme – pësoi nji eklips, mund të thomi se populli shqiptar, me pak përjashtime, gjindej në nji fazë jete mesjetare. Lufta e madhe e 1914 e zgjoi, por nuk e vuni në gjendje me kapërcye mënyra rrënese e mendësi tepër të ndryshkuna për të XX qindvjet. Tashti asht ba zakon me i a vu fajin për fatkeqsit kombtare disa njerzve, disa klasave. Pa tjetër faj paten deri diku edhe njerzit, por, ma tepër se ata, rrethanat e historis. Peseqind vjet zgjedhje azjatike nuk shlyhen lehtas. Mandej duhet marrë parasysh se ndoshta ajo zgjedhë, ajo gjendje mesjetare e mbështetun në nji ngurëzim rendimesh anakronike, ka shpëtue kombin nga zvetnimi.

E këtu vizatohet urdhnore pyetja: – Duem qi në t’ardhmen Shqipnija të jet shqiptare, d.m.th. me fizionomi e veti dalluese autoktone, apo do të kënaqemi me nji rendim shtetnuer qi ka, po, si etiketë të jashtëme emblemet e ngjyrat shqiptare por pa palc të veçantë fisnuer, me banorë të ngjeshum mendorisht në magje të tjetërkuja d.m.th shqiptarë me emën, por pa vërtyte e vese specifike shqiptare?

Zgjidhja a me qëndrue Shqiptarë të njimendët apo banorë të tokës shqiptare, pa kurrfarë lidhje me eshtna të vorrezave e të muranave qi ajo tokë përmban në gji të vet, i përket breznis së re. Kjo do të vendosi a m’u përtri nëpër frymë të përvojës së qindra breznive të përparandejshme gjakut illyro-shqiptar ase me nisë jetë të re si fëmij të gjetun të cilve s’u dihet as tata as nana. Djelmnija e sotshëme e ka përgjegjësin e kësaj zgjedhjeje, të këtij vendimi.

Na këto po shfaqim premas ata shka na pret mendja.

Nji pjesë e djelmënis tue u hallakatë e tue vikatë: “Rrnoftë Shqipnija!” i a ven kazmën themeleve etnike, pa u kujtue se janë në kundërshtim me ndiesin, në vetvete bujare, qi i shtyn me folë e veprue aso dore. Ma në përshtatje me mendim të tyne do t’ishte britma: “Poshtë të gjitha kombësit! Rrnoftë njerzimi i vëllazënuem pa dasina politike e rracjale!” Duertrokitje të nxehta e brohorina kumbuese presin sot, gadi gjithkund, të tilla shfrime shpirtënish djalosharë. Por… provoni, datshi në Rusi datshi në Kinë, me britë: “Poshtë Bashkimi Sovjetik”, “Poshtë Kina”, “Rrënofshin Shtetet e Bashkueme të Botës” e do të shifni si pritet n’ato vende kjo shfaqje dalldije internacjonaliste. N’ato vende bashkimi i gjithëmbarshëm ase rruzulluer fillon nga dheu i Etënve të tyre. Caqet qi ndajnë rracën prej rracës, për ato kombe, quhen: “kufijt e shejtë të atdheut”. Fjala “atdhe”, dikur e dëbueme nga fjalorët progresista, kthei në vlerë e në fuqi, n’ato vende si në kohën e Carvet të Petroburgut ase të Perandorvet të Pekinit.

Me këtë duem të thomi se fjalët e bukura i merr era dhe realiteti qindron ai qi ishte edhe ma përpara. Sejcili komb pranon trajta të reja mendimesh shoqnore por nuk hjek dorë nga rrajët jetësore (vitales) e jetike (anciennes) të fisit (race, descendance). Ata qi, n’emën të nji progresizmi të keq-kuptuem, shpallin nevojën edhe rropaten me shqymbë traditat e shndoshta të kombit të vet, asgjasojnë trashigimin stergjyshuer të tyne për t’a zavendsue me até të tjetërkujt.

Ai qi shprehjet t’ona i merr shkalapurrithin tue nxjerrë sosh kuptime qi kurrkund në mend nuk na shkojnë, këtu do të kërcejnë për të thanë: “Qe, duen të bajnë apologjin e dokeve mesjetare, duen të kthejnë në kohën e përçes, në stinën skllavo-pronare!” Disa prej kreniçarvet qi mtojnë me na mësue mend tue na zhigatë me vulën e reakcjonarizmit, janë shpesh pinjoj shi të njasaj dore njerzish qi ne dhe familjet t’ona i kanë mbajtë në robni me shekuj, tue i përndjekë në çdo mënyrë. Na, jo vetëm sot, por gjithmonë kemi ushqye idena e qellime përparimtare dhe jemi orvatë, sejcili mbrenda mundësive të veta dhe të kohnave, me naltue rrafshin qytetnuer të gjindjes shqiptare. Kambë-kambë hypet shkalla. Ata qi kujtojn se arriten në maje harrojnë se po nuk u gjet kush nderton kambën e parë, e të dytë, e të tretë dhe kështu në vazhdim, të shkallës, në majë nuk mund t’arrihet. Pra, nji njohje meritojnë edhe ata qi nisne shkallën tue ndërtue kambën e parë.

Nji kryengritje nuk asht nji këputje ase nji premje ngjarjesh historike, por nji të përtrim të jetës së nji populli mbi themele të lashta. Përtrisat krasisin degët e lisit për t’i dhanë fuqi trunkut të vjetër, tue ndalue shpërdamjen e kotë të lymfave këndellse në pjesët e thata të tij. Të rijt, po deshtën me mëkambë kombin tue e pregatitë për nevojët e ardhëshmenis, duhet qi të mbështesin përpjekjen e vet mbi tradita, natyrisht të qirueme nga dregëzat e nga ndryshku i moteve. Pa tharmet e traditës s’ka përparim qytetnuer shqiptar. Ata djelmosha qi në mirëbesim kujtojnë se tue u nisun prej asgjajet mund të krijojnë nji histori kombëtare të re, u gjasin vetjeve të prrallës persjane qi mendojshin se mund të bahen konopë me ranë të detit.

Visari shpirtnuer i nji fisi grumbullohet me shekuj vuejtjesh e mundimesh e përpjekjesh. E shqiptarizmin nuk e mban gjallë vetëm gjuha, por mushti ethnik qi qarkullon në fjalët e në shprehjet e gjuhës, e cila pasqyron jetën e thellë të nji populli. Shum shkrime të tashëme origjinale shqipe duken përkthime, sepse u mungon undyra e shqiptarizmit, ajo qi rrjedh nga ndiesit e burueme prej shpirtit, ku papritmas zgjohen mbresa shekullore.

Merrni e lexoni me vërejtje nji vepër të Fishtës. Në çdo fjalë, në çdo shprehje do të ndieni jehun e zaneve të nanës e të tatës, do të shijoni amën e bukës së mbrume ngjeshë nga duert e amviseve t’ona, do të njifni krypën e dokeve qi i japin gjillesë së veçantë gjallimit shqiptar. 

Merrni Faik Konicën. Nonse në styl të tij shkëlqen mrekullisht mjeshtrija e krijuesave letrarë të botës perëndimore, ai derdh ndër shkrime mjaltën e bletve qi thithin vesën ndër lule të Shqipnis. E. pra, ai shum pak banoi n’atdhe.

Përmenda këto dy vigaj t’Olympit t’onë pse kundra tyre zhgrehet tufani i mënis së piçirrukave qi duen të shqymbin traditat t’ona, për të qenë dishka n’asgjasim të gjithshkafes.

Pa Gjergj Fishtën e pa Faik Konicën jo vetëm se nuk mund të shkruhet historija e letërsis shqipe, por as ajo e Shqipnis. Lehtas, me urdhën epruer, çohen në letër sukat e ulen malet, por në njimendësi të jetës së nji kombit vlerat shkëlqejnë si hyllsina, pikënisht si ato hyllsina qi drejtojnë lundërtimin e breznive në rrjedhimet e kohës.

TE RIJ PLEQ E PLEQ TE riJ

Para se me përfundue kët bisedim t’onë, të cilit ndoshta kurrkush nuk ia ven veshin, por qi na e bajmë për të krye nji detyrë, shi at detyrë qi na lanë si porosi ata të breznis së maparëshme, na pëlqen të sqarojmë nji përftim (concept) qi shofim se ndërlikohet në mende të shum kuj. Ka nji rini të trupit dhe nji rini të shpirtit. Dikush len plak e des plak, tue mos tregue gjat stinës së vet njerzore asnji hov rinije. Dikush tjetër des i ri në shpirt edhe në moshën tetëdhjetëvjeçare.

Prandej mos yë gënjejë pandehja se fuqija krijuese asht dhuratë vetëm e të rijvet në moshë. Këta prej natyrës pajisen me njomsi trupi e shpirti, por kjo nuk lejon mendje-urtin me pleqnue se, kur e kalon prillin e jetës, nji njeri s’duhet ma kurrgjá.

Flasim kështu jo për të mprojtë burrat e shtymë në moshë ase pleqt, por pse jemi të bindun qi njerzimi përgjithësisht dhe bota arbnore veçanërisht ka nevojë të mbledhi të gjitha fuqit e veta për të kapërcye krizën e përfrigueshme qi asht kah pson në kët kthes të historis, ende të pështjellueme nga pasojat e luftës së dytë botnore.

Shqiptarët, pleq e të rij qofshin, ndër lëvizje turbulluese ideologjike duhet të përpiqen të sjellin ujin në mulli t’atdheut, tue u frymzue nga mendime e idena shqiptare dhe jo prej atyne t’huajtuna nga të huejët, të cilët duen të ndreqin punët e veta dhe me zi ç’presin qi të gjejnë torollakë qi ua ngjesin falas dorën.

*Shkëputur nga Nr. 4-6, Prill-Qershuer 1969, i Revistës “Shejzat”

ObserverKult