Nji ditë kanë me thanë e kemi njoftë filanin!
Po, filanin kanë me thanë! Emnin s’kan me ia përmendë, ani se mund t’jetë emën i shkurtë!
Po i bimë trup për filanin, s’kemi për kend mu harxhua e pse me zgjatë, kanë me thanë! Ashtu-kështu, ai ishte trup shkurt! Fjalët e mëdhaja s’e lan mu rritë. E ka me i ngucë gazi tue folë për filanin me emnin e shkurtë!
Ndoshta edhe kan me përqeshë se si erdhi gabim n’teatër e bani emën!
Ishte sa i humbun po aq i gjetun e nuk dijti pse mbet n’qytet e pse s’u kthye n’katund viran filani!
Por n’rrafsh zbriti se zbriti!
Bile muer guximin me hipë edhe mbi do dërrasa e me bërtitë:
S’jam Bruti, po i biri i filanit!
S’jam Mark Antoni se s’jam i ndershëm si ju!
Nji Teutë do t’ia marr shehrit e do t’ngujohem n’malet e mia!
Detin po ia la Agronit!
Po deshti le t’me kërkoj atje, ku ban qyqja ve! Dhe e muer Galën e duel n’Rugovë, se ndër male i kishin mbetë do lopë me vjeta.
Nji ditë kanë me thanë ai ishte i vogël. Tirqit i rrishin varun për gazep! As nuk rruhej as nuk lëshonte mjekërr!
Malësor i thoshte vetës e malit rrallë iu kthye.
Mbet n’qytet tue luejt rolin e tellallit pa tupan!
S’u muer vesh a i tutej ujkut n’bjeshkë, apo artit n’qytet, por mbet tue u rrokotelë rrugëve me do libra, që s’dinte as vet pse i ka shkrua.
I jepte vetës zemer herë me sharki herë me lahutë e ma shumë me poezi!
Po i biem trup për filanin, kanë me thanë nji ditë.
S’kemi për kend mu harxhua e pse me ia përmendë emnin!
Besa e Zotit ai vdiq taman, as shumë as pak, kan me thanë!
Shnosh!
————————————————–
LEXO EDHE: ÇUN LAJÇI: U KTHYEN… POR ATA KAHERË KISHIN PASË VDEKË
Sa trisht’
të gjithë ikën me flokë t’zeza
e kërkuen vetën e botën
nuk e gjetën
lypen çka s’lypet
atdhe
harruen djepin, nanën, votrën
kur i mori era mirë e kur u zbardhën
u kthyen me puthë mallin
por vonë
ata
kaherë kishin pasë vdekë.