Publikohet shkrimi i panjohur i gazetares amerikane, Brenda Fowler, korrespondente e gazetës së famshme, New York Times, e botuar prej saj më 9 mars të vitit 1991, ku në reportazhin e saj me titull “Refugjatët shqiptarë, dërgohen në strehimore”, ajo ka përshkruar me detaje mbërritjen e refugjatëve shqiptarë në brigjet italiane me anë të anijeve dhe peshkarexhave që ishin rrëmbyer në portet e Durrësit, Shëngjinit dhe Vlorës, ku në bordet e tyre ishin vendosur rreth 20.000 persona të moshave të ndryshme. Reportazhi i plotë i gazetares amerikane lidhur me atë ngjarje të ndodhur plot 30 vite më parë në brigjet italiane, pamjet e së cilës bënë xhiron e botës, si dhe emrat e shqiptarëve të intervistuar prej saj, lidhur me arsyet që i kishin detyruar ata të ndërmerrnin atë aventurë të rrezikshme, me fëmijët e vegjël në krah.
“Pantallona dhe xhaketa blu të konsumuara që dukej se vinin nga një ideologji dhe epokë tjetër, flaken tej në rrugicat e pasme të Brindizit. Pasi ato hidhen atje nga shqiptarët, këta të fundit marrin nga italianët vendas, pantallona të shkurtra ose xhupa të rinj. Para një shkolle, një grua italiane vendase, qëndroi te porta e mbyllur duke i lutur një roje që të lejonte një familje shqiptare me një fëmijë të kalonte natën në shtëpinë e saj. “Ne duam të ndihmojmë, por gjithçka është kaq e paorganizuar”, tha ajo. Në një cep tjetër, një grup të rinjsh shqiptarë nga porti i Durrësit, nga i cili janë larguar shumica e anijeve, folën për kalimin e tyre 40 orësh, në një anije që dikush kishte komanduar duke i drejtuar një pistoletë kokës së kapitenit, duke shpresuar për të gjetur punë”.
Kështu thuhej në mes të tjerash në një nga shkrimet e datës 9 mars të vitit 1991, të gazetës së famshme amerikane, New York Times, me autore, Brenda Fowler, korespondente e asaj gazete për Italinë, e cila në reportazhin e saj me titull “Refugjatët shqiptarë dërgohen në strehimore”, përshkruante me detaje dramën e 20.000 refugjatëve shqiptarë që mbërritën në brigjet italiane në javën e parë të marsit të atij viti, me anijet dhe peshkarexhat që i kishin rrëmbyer në portet e Durrësit, Shëngjinit dhe Vlorës. Për më shumë rreth kësaj, na njeh shkrimi në fjalë i gazetares amerikane, Brenda Fowler, të cilin Memorie.al e publikon të plotë me rastin e 30 vjetorit të asaj ngjarje, e cila njihet ndryshe si “Eksodi i shqiptarëve me anije drejt Italisë”.
Shkrimi i gazetares amerikane, botuar në ‘New York Times’ më 9 mars 1991
‘Refugjatët shqiptarë, dërgohen në strehimore’
Nga Brenda Fowler
9 Mars 1991
Nga frika e një epidemie midis mijëra refugjatëve shqiptarë që flinin në ambiente të hapura në kushte skandaloze pranë dokut, policia italiane filloi t’i mbledhë ata këtë mbrëmje për t’i zhvendosur në shkollat lokale për të kaluar natën.
Kjo masë paraprake, u duk se ishte hapi i parë në premtimin e Qeverisë Italiane, të bërë më parë gjatë ditës për të gjetur strehim të përkohshëm për rreth 20.000 shqiptarë, të cilët kanë lundruar me anije të mëdha dhe tejet të ndryshkura përtej Adriatikut, në këtë rajon dhe në qytetet e tjera bregdetare italiane, në ditët e fundit për të kërkuar punë dhe strehë.
Por një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme, përsëriti sot se ata që nuk plotësojnë kërkesat për azil politik ose që nuk kanë vizë për të hyrë në Itali, do të riatdhesohen përfundimisht. Ankesa vjen nga Komisioni i Kombeve të Bashkuara.
Në një deklaratë të lëshuar në Gjenevë, Komisioneri i Lartë i Kombeve të Bashkuara për Refugjatët, i bëri thirrje Italisë të përcaktojë nëse shqiptarët kualifikohen për statusin e refugjatit politik, përpara se t’i kthejnë ata përsëri për në vëndin e tyre.
Aksioni për të strehuar shqiptarët, disa prej të cilëve kanë qenë këtu për një javë, ishte hapi i parë vendimtar i ndërmarrë nga autoritetet në këtë qytet-port jugor, me 92.000 banorë. Rrugët e ngushta të të cilit përreth zonës së portit, janë të mbushura me rreth 16.000 shqiptarë, kryesisht të rinj burra në të 20-at dhe 30-tat e tyre, por edhe familje me fëmijë.
“Gjatë natës ne do të zhvendosim të gjithë shqiptarët në 38 shkolla lokale”, tha Raffaele Belardi, Ministri Rajonal i Mbrojtjes Civile të Brindizit, pas një takimi në mbrëmje me zyrtarët e urgjencës dhe ata lokalë. “Nesër në mëngjes midis ores 8 dhe 9 ata do të marrin mëngjesin dhe midis orës 12 dhe 14, 7.000 prej tyre do të marrin një drekë të nxehtë dhe pjesa tjetër do të marrin një drekë të ftohtë”.
Policia tha se kishte gjithashtu rreth 2000 shqiptarë në Monopoli, 1.200 në Bari dhe dhjetra të tjerë, në qytete të tjera bregdetare të rajonit të Puglias. Megjithëse zyrtarët kishin thënë më herët se asnjë anije nuk do të lejohej të ankorohen këtu, policia tha se anije të vogla vazhduan të mbërrinin sot, duke sjellë shumë shqiptarë.
Por zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, Alessandro Di Franco, tha se roja bregdetare po përpiqej të kthente anijet që mbërrinin nga Shqipëria, dhe se Italia i kishte bërë thirrje këtij vendi të ndalonte eksodin dhe të lirojë, 215 të burgosur politikë.
“Kjo do të konsiderohej një shenjë që do të zbuste dëshirën e madhe për t’u larguar nga Shqipëria”, tha Z. Di Franco.
Ndihma e Urgjencës për Shqipërinë
Qeveria Italiane u zotua gjithashtu të japë rreth 9 milion dollarë ndihmë emergjente për Tiranën, në formën e ushqimit dhe ilaçeve, në një mbështetje për programin e liberalizimit të Presidentit shqiptar, Ramiz Alia. Korrikun e kaluar, Italia, priti më shumë se 3.000 shqiptarë që kishin kërkuar strehim në ambasadat perëndimore në Tiranë, por shumica e tyre shkuan në Gjermani.
Kjo skenë, këtë mbrëmje ishte vetëm një nga qindra të tilla, nga kaosi festiv, ndërsa bllokimet e trafikut të ambulancave boshe, kamionëve të transportit dhe autokolonave të policisë, u zhvilluan në rrugët e ngushta të zonës së portit, rreth grupeve të shqiptarëve me fytyrë të zymtë dhe italianëve kuriozë.
Pantallona dhe xhaketa blu të konsumuara që dukej se vinin nga një ideologji dhe epokë tjetër, flaken tej në rrugicat e pasme të Brindizit. Pasi ato hidhen atje nga shqiptarët, këta të fundit marrin nga italianët vëndas, pantallona të shkurtra ose xhupa të rinj.
Para një shkolle, një grua italiane vendase, qëndroi te porta e mbyllur duke i lutur një roje që të lejonte një familje shqiptare me një fëmijë të kalonte natën në shtëpinë e saj. “Ne duam të ndihmojmë, por gjithçka është kaq e paorganizuar”, tha ajo.
Në një cep tjetër, një grup të rinjsh shqiptarë nga porti i Durrësit, nga i cili janë larguar shumica e anijeve, folën për kalimin e tyre 40 orësh, në një anije që dikush kishte komanduar duke i drejtuar një pistoletë kokës së kapitenit, duke shpresuar për të gjetur punë.
“Vetëm imagjinoni, që ka me mijëra pistoleta nëpër duar, në të gjithë Shqipërinë dhe ne kishim vetëm 3 në këtë anije”, tha Nini Toçi, një mekanik 27-vjeçar, i cili tha se kishte ardhur në Itali, me disa miq, sepse besonte se ishte një vend i pasur dhe se kishte punë këtu.
Një grua në grup dukej e tronditur, kur u tha se shumë shqiptarë mund të duhej të ktheheshin, nëse nuk kualifikoheshin si refugjatë politikë, sipas Konventës së Gjenevës.
“Të gjithë ne jemi refugjatë politikë”, tha Elsa Shuka, një nënë 33-vjeçare, e cila tha se kishte kaluar natën e kaluar në det të hapur me burrin e saj dhe fëmijët 6 dhe 11 vjeç. “Unë jam një emigrante politike dhe ekonomike”.
Ndërsa ajo fliste, një Fiat i vogël i kuq, u ngjit në bordurë dhe një djalë italian, doli nga dyert e saj, për t’u dhënë shqiptarëve kremin e rruajtjes, një brisk dhe pak sapun. Nëna e djalit, Irene Cecchini, u shpreh: “Unë nuk mendoj se ata duhet të lejohen të qëndrojnë në vendin tonë, por unë dhe njerëzit e Brindizit po përpiqemi t’i ndihmojmë”.
Por tensioni ishte i dukshëm në pjesë të tjera të qytetit. Policia dhe punonjësit e ndihmës, thanë se spitalet ishin të mbushura me shqiptarë, që kishin pësuar lëndime të lehta dhe rrugët pothuajse vazhdimisht po kryqëzohen nga ambulancat. /Memorie.al