Nga Çun Lajçi
S’kam harrua moj Bubulinë!
(Sot 5 vjet je shtri n’dheun e zi)
S’kam harrua moj, por jam vonua me i vu edhe do shkronja që ladrua kanë pesë vite damarëve t’mi, tue ma therë palcën e shpirtit e tue pikua dhimbje n’bebëzat e mjegullueme!
Pesë vite m’kan ndrydhë e shtrydhë e harrua e kam edhe emnin tim tue hesht n’dhomën tande t’plasaritun, me rrjeta mërimangash e pluhun vitësh.
Fotografive u kam folë. I kam prekë me gishta e vija gishtrinjësh kanë mbetë n’xhamin e kornizave.
Fotografitë m’kan buzëqeshë e m’kan çua atje ku ti u shtrine në nji nandor të ftoft, tek fluskat e borës po ta mbulonin dheun e zi mbi trupin e ftoft!
Jo! Nuk t’kam harrua Bubulinë. Sot si dje e dje si ditën që ike për t’mos u ngjallë ma. Për t’mos e pritë babën nga rrugë e gjatë. Për t’mos e marrë përqafimin e shpresës se fundit edhe për nji udhëtim drejt Ashkelonit. Atje dhe vetëm atje, sikur na xixëllonte drita n’fundin e tunelit!
Shkrua nuk t’kam për pesë vite e Ti m’ke ardhë n’andrra e n’andrra m’ke ikë! Kam vrapua mbas teje e m’ke humbë e t’kam gjetë mes varrezash, tue mbajtë mbi kokë gurin e randë!
T’kam përqafua fort e fort e t’kam folë butë e butë, por guri ka hesht e zemra ime asht thye si xhami! As n’andrra ngi me ty s’jam, se kurrë folë s’ke. Ke buzëqeshë e ke ikë e t’kam bërtitë ndalu! Por hijet e natës t’kanë marrë bashkë me krrokamat e korbave t’mëngjesit e t’kanë çua si Kostandinin n’varrin me murriza.
Ah, sa t’gjata vitet! Sa t’bukura fotografitë n’mur! Sa t’randa heshtjet n’dhomën tande, ku mbet fryma e fundit! Sa i gjatë fluturimi atë ditë mbi Atlantik! Sa të mërdhimë krushqit e fundit deri të varri! Sa e zezë nusja! Sa i vdekun dhandrri!
Sot, si pesë vjet ma parë, prap larg teje e varrit! Dikund afër rrugës “Tetovska 45” ku kërkoje jetë, po t’shkruej n’heshtje e si n’mjegulla po e shoh Leartin e Galën tue ardhë pa mua, me ta puthë gurin e ftoftë mbi kokë!
Bubulinë!
Unë prap rrugëve me libra e prap krenar me ty e djalin e prap i pasun me centa djersësh n’xhepa!
Tani Learti mundohet me ma mbajtë gjallë shpirtin e vyshkun. Tani Gala shkrihet si qiri n’vujtjen time e ti me pret ndër varre!
Pusho edhe ndonji ditë, se shumë kam me të tregua kur të shtrihem përgjithëmonë me ty!
Rrugëve si gjithmonë
20.11.2022
Lexo edhe: