Shkrimtar i dramave dhe pengjeve, Mitrush Kuteli “në mbrojtje” të teatrit

Artistë të Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit Kombëtar do të ngjisin në skenë figurën e harruar, shkrimtarin Mitrush Kutelin. Në një teatër që nuk ka drita dhe ujë do të interpretohen copëza nga shkrimet, poezitë, kritikat dhe përrallat aq të dashura për shumë kënd.

Në një kohë kur artistë të shumtë kanë muaj e muaj që kundërshtojnë shembjen e godinës së Teatrit Kombëtar, Rajmonda Shundi vë në skenën e një teatri që siç thotë ajo ende nuk ka drita, ujë dhe është nën kujdesin e atyre që e duan fort historinë dhe artin, rrëfimet për shkrimtarin e quajtur neutral, jashtë politikës, me një histori mahnitëse për tu përcjellë, Mitrush Kutelit.

“Nuk harrojmë Mitrush Kutelin” do të shfaqet ditën e mërkurë, datë 18 dhjetor 2019, një nga eventet që po organizohen në kuadër të festivalit për mbrojtjen e teatrit.

Si lindi ideja e zhvillimit të këtij aktiviteti? 

Rajmonda Shundi në cilësinë e moderatores së këtij eventi shpjegon se “Tashmë me zhvillimet e muajve të fundit, ku teatri është kthyer në një teatër partizan, mendova se ishte hapi i duhur për tu bërë pasi mu duk në sintoni të plotë me emrin që do ti sjellim publikut”.

“Gjykoj se kjo skenë e cila ka më shumë se 20 vjet luftë për të mbijetuar, i bashkohet klithjes së poetit, përkthyesit, kritikut, përralltarit, publicistit, studiuesit të shkencave ekonomike dhe mbi të gjitha, mjeshtrit të tregimit Mitrush Kuteli.

Ndërsa teksa ka përmbledhur histori në librin “Koha e kujtimeve”, shkrimtari Nasho Jorgaqi rrëfen lidhjet miqësore me personalitetet-personazhe të kujtimeve të veta, një ndër ta edhe Mitrush Kuteli, të cilin e cilëson shkrimtar të “dramave dhe pengjeve”.

Përveç pasurisë së detajeve, kujtimet e shkrimtarit kanë vërtetësi, klas dhe një etikë që vjen nga raporti i rrëfyesit me ngjarjet dhe njerëzit për të cilët shkruan.
“ Njohja e distancuar është shumë e hershme nga ana ime e Mitrush Kutelit. Isha adoleshent kur në vitet e okupacionit ’43-’44, ky ishte kthyer atë kohë nga Rumania dhe botoi brenda një kohe të shkurtër, një vit e gjysmë, botoi 10 libra. Mua e brezit tonë, na ra në sy ky bum, se nuk kishte ndodhur. Dallonte në krijimtarinë e tij nga shkrimtarët e tjerë. Se ishte një individualitet artistik krejt i vecantë. Gjuha e Kutelit, ishte një gjuhë një kontribut i jashtëzakonshëm që ai sillte përmes fjalorit, stilit, frymës popullore, realizmit etj etj.” thotë Jorgaqi.

“Nuk harrojmë Mitrush Kutelin”, aktivitet ne kuader te festivalit per mbrojtjen e teatrit, do të shfaqet ditën e mërkurë, në datë 18 dhjetor, në orën 19:30, në Teatrin Kombëtar.