Shkrimtarët spiunë: 6 persona me dy nga profesionet më tërheqëse

Shkrimtari britanik Frederick Forsyth zuri faqet e para të gazetave kur pranoi se ka punuar si agjent sekret për MI6 – Agjencia Britanike e Inteligjencës. Por autori i romanit “Dita e çakallit” nuk është i vetmi shkrimtar që në të njëjtën kohë ka qenë edhe spiun. Lexoni më poshtë dhe mund të habiteni.

Ian Fleming

Krijuesi i spiunit më të njohur në botë ka qenë edhe vetë spiun. Ian Fleming, që shkoi novelat e James Bond – 007, punoi si agjent i Marinës Britanike gjatë Luftës së Dytë Botërore. Fleming ndihmoi në disa misione të suksesshme spiunazhi kundër Gjermanisë naziste.

Roald Dahl

Roald Dahl ishte pilot i avionëve luftarakë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Pas përfundimit të luftës, Dahl punoi në ambasadën britanike në Uashington, DC. Thuhet se gjatë asaj kohe, bashkë me agjentë britanikë dhe kanadezë, ai hetoi prirjet politike të grave të shquara amerikane. Sipas disa burimeve, Dahl ka fjetur me të gjitha këto gra, si një mënyrë për t’u afruar më tepër me to, transmeton ‘botimeshqip’.

Frederick Forsyth

Siç e përmendëm më sipër, Forsyth e pranoi edhe vetë se ka qenë spiun. Autori britanik pranoi se ka punuar për MI6 në vitet 1960-1970, gjatë kohës që ushtronte profesionin si shkrimtar i lirë. Forsyth e përdori këtë eksperiencë për të shkruar një nga romanet më të mirë të spiunazhit, që e bëri edhe të famshëm.

Graham Greene

Duhet të ketë patjetër diçka të veçantë bashkëpunimi me Inteligjencën Britanike që e shtyn një person të shkruajë romane. Ashtu si shumë autorë të tjerë në këtë listë, Graham Greene ka punuar për MI6. Por në fakt, pozicioni i tij është unik, sepse në kohën kur iu bashkua agjencisë ai ishte një shkrimtar i njohur. Reputacioni i Greene si një njeri që adhuronte udhëtimet, si dhe karriera si shkrimtar i njohur, e ndihmuan në hyrje-daljet e tij në zona të ndjeshme, duke e bërë një nga asetet më të çmuara të MI6.

Ernest Hemingway

Ka punuar Ernest Hemingway për KGB-në ruse? Në librin “Spiunët: Shkëlqimi dhe rënia e KGB-së”, autorët Harvey Klehr, John Earl Haynes dhe Alexander Vassiliev shkruajnë me bindje se po, ka punuar. Sipas tyre, Hemingway i ka përcjellë informacione agjencisë ruse të spiunazhit deri në vitet ‘50. Ai u lirua nga detyra për shkak të cilësisë së dobët të informacioneve.

Peter Matthiessen

Matthiessen e ka fituar tri herë çmimin kombëtar të letërsisë dhe ka themeluar Paris Review. Ai gjithashtu ka punuar për CIA-n, në fakt, e famshmja Paris Review ishte pjesë e mbulimit të tij; bashkëthemeluesit e tjerë nuk ishin në dijeni të këtij fakti. Megjithatë, Matthiessen ka këmbëngulur gjithmonë që Paris Review nuk ka qenë kurrë vegël e CIA-s.