Maryse Condé, Ludmila Ulitskaya, Haruki Murakami, Margaret Atwood, Ngugi wa Thiong’o, Anne Carson, Javier Marías, Ko Un, Yan Lianke etj. Janë vetëm disa nga emrat që u lakuan nga prestigjiozë ndërkombëtarë si fitues të mundshëm të Nobelit në Letërsi për 2020-ën, ndonëse fituese u shpall poetja amerikane Louise Glück.
Mes këtyre autorëve, në media si “The New Republic”, të tjera të përditshme suedeze, kroate, çeke etj, lakojnë edhe emrin e shkrimtarit tonë, Ismail Kadare.
I konsideruar si pasuesi i Franc Kafkës, nga juria e çmimit ndërkombëtar “Neustadt” që e shpalli fitues për 2020- ën, shkrimtari shqiptar, sikundër favoritë të tjerë të përvitshëm të Nobelit, duket se duhet të presin ende për t’u “kurorëzuar” me çmimin më të rëndësishëm të letërsisë.
Edhe pse Akademia Suedeze, vitet e fundit po befason kritikët, publikun e deri edhe vetë anëtarët e jashtëm të saj (rasti i Peter Handke, kur edhe këta të fundit e kontestuan).
Për çdo vit, Kadare, ka qenë kandidati i vetëm i propozuar nga Akademia Shqiptare e Shkencave. Po ashtu, pritshmëritë e publikut shqiptar e të njerëzve të letrave, që Shqipëria të rrëmbejë Nobelin e Letërsisë, janë të drejtuara vetëm nga ai.
Mirëpo, shkrimtari brazilian, Fernando Dourado Filho, një ditë para shpalljes së Nobelit sjell një panoramë të Parisit, ku mes takimeve me njerëzit më të rëndësishëm të librave, konfirmon se, emri më i favorizuar edhe në Francë, ka qenë ai i shkrimtarit tonë, transmeton ‘konica.al.
Po ashtu, ai e përmend Kadaren edhe si një autor të tijin të pëlqyer, ndonëse ka përzemër disa autorë brazilianë, pohon se “do të ishte i lumtur” po ta fitonte shkrimtari shqiptar.
FERNANDO DOURADO FILHO
Duke biseduar këtë të mërkurë në Paris, me katër librarë të klasit të parë (përkatësisht të librarive “Compagnie”, “L’ecume des pages”, “Pollonaise”, “Gibert Jeune” dhe një nga menaxherët më evaziv të shtëpisë botuese “Harmattan” në rrugën “Rue des Écoles”, nga të gjithë dëgjova emrin e Ismail Kadares, si favoritin e madh për çmimin Nobel të Letërsisë.
Ndërsa e dyta, më e lakuara ishte shkrimtarja amerikane Joyce Carol Oates. Po ashtu, përmendej izraeliti David Grossman, emri i të cilit mund të ishte një formë indirekte homazhi ndaj Amos Oz dhe Aharon Appelfeld, eksponentë po ashtu të letërsisë izraelite, të dy të ndarë nga jeta së fundmi.
Të gjithë mendonin se japonezi Murakami, do ta humbiste tramvajin dhe ndoshta për modesti, askush nuk përmendi një autor francez.
“Me shumë gjasa nuk do të fitojë asnjë nga ata që ne mendojmë”, tha Thibault, i “L´écume”, “njëshi” i tyre. Unë përsërita mbështetjen time për brazilianen Cristovao Tezza, ndonëse i preferuari që kam më përzemër mbetet Milton Hatoum, në veçanti për dy librat e fundit (pjesë e triologjisë) që theu magjinë e autorit të “Dy vëllezërve” me analizën e tij.
Në Brazil, ka nga ata që thonë se Nélida Piñon ka shanse të mëdha, sidomos sa i përket autorëve të gjuhës portugeze. Lakohet po ashtu emri i Lobo Antunes, një autor, që personalisht unë nuk mendoj se do jem ndonjëherë në gjendje ta lexoj.
Mirëpo, problemi qëndron tek unë, jo tek ai. Nëse ia japin Kadaresë, atëherë do të jem i lumtur. Udhëtimi im në Shqipëri, ishte i gjithë koreografi nga skenat e “Prillit të thyer”.