Shkrimtari “i panjohur”: Kush është “Servantesi i dytë”?

Benito Perez Galdos
Benito Pérez Galdós. Foto: Library of Congress, Washington, D.C. (Digital ID 3c04648u)

Spanjollët e konsiderojnë si Servantesin e shekullit të 19-të.

Botimi i një vëllimi me dy romane nga Benito Perez Galdos, ofron një mundësi të shkëlqyer për të zbuluar shkrimtarin spanjoll, i cili është tejet i panjohur, apo edhe i keqkuptuar jashtë universit kulturor hispanik.

Mirëpo, shkrimtari i madh Mario Vargas Llosa e konsideron atë si shkrimtarin më të mirë spanjoll të shekullit të 19-të: “Ai bëri atë që bënë Balzaku, Dikensi dhe Zola, për të cilët pati gjithmonë admirim, në vendet e tyre përkatëse. Të tregonte në romane historinë dhe shoqërinë e vendit të tij pa paragjykime ideologjike, duke u përpjekur të bëjë dallimin midis të tolerueshmes dhe të patolerueshmes, fanatizmit dhe idealizmit, bujarisë dhe meskinërisë, madje edhe tek kundërshtarët e tij”

Benito Pérez Galdós.

Pra, kush ishte Galdos?

I lindur më 10 maj 1843, në Las Palmas de Gran Canaria, ai ishte fëmija i dhjetë i udhëheqësit ushtarak të ishullit, nënkolonelit Sebastian Perez dhe një gruaje me temperament, Dona Maria de Los Dolores de Galdos. Siç thonë, kishte frerët e shtëpisë.

Që në vitet e universitetit, djaloshi shfaqi shpirtin kritik, humorin dhe ambiciet e tij për të shkruar. Meqë kishte rënë në dashuri me një kushërirë, në moshën 19-vjeçare e ëma e dërgoi me studime për drejtësi në Madrid. Por i tërhequr nga gazetaria dhe jeta boheme, atje ai frekuentonte më pak kurset, sesa kafenetë ku takoheshin piktorë, gazetarë, artistë, politikanë etj.

Begatia financiare e familjes së tij, më vonë krijimtaria e bollshme letrare (njëqind romane, tridhjetë drama, artikuj të panumërt në gazeta) e lejuan t’i përkushtohej ekskluzivisht të shkruarit. Në 1897, ai u zgjodh në Akademinë Mbretërore Spanjolle. Në vitin 1907, ai u zgjodh deputet republikan në Cortes, më pas u rizgjodh. Në 1912 u verbua, kësisoj iu desh t’i diktonte librat e fundit.

Vdiq më 4 janar 1920 në Madrid. Statuja e tij qëndron në një park në kryeqytetin spanjoll.

Vëzhgimi i realitetit

Galdos e përqendroi fjalimin e pranimit në Akademi në “shoqërinë bashkëkohore si çështje romantike”. Në të vërtetë, kjo temë ka qenë burimi kryesor i një prodhimi letrar, që e bën atë të konsiderohet nga shumë njerëz, si “narratori tjetër më i madh spanjoll, i të gjitha kohërave” pas Servantesit.

Fusha e parapëlqyer ishin klasat e mesme me dy obsesionet e tyre: snobizmin dhe frika e dështimit. Ambiciet, dramat, xhelozitë, poshtërsitë që ato ngjallnin, frymëzojnë te shkrimtari sa realizëm, aq edhe ironi. Vëzhgimi i realitetit, që ai e vendosi mbi imagjinatën e romantikëve, derdhi, në fakt, estetikën e tij. Ai e përdorte atë si për pamjen fizike të personazheve të veta, ashtu edhe për gjuhën e tyre – gjë që e shndërroi një shkrimtar brilant të dialogut teatror.

Theksojmë gjithashtu, se kineasti i njohur Luis Bunuel përshtati tri romanet e tij për kinemanë: “Nazarin” (1959), “Viridiana” (1961) dhe “Tristana” (1970).

Romanet e të ndaluarës

I titulluar “Romanet e të ndaluarës”, vëllimi përmbledh dy vepra të shkrira në një. Në “Mundimi”, familja Bringas zhvendoset në Pallatin Mbretëror, ndërsa oficeri don Francisko ishte caktuar me shërbim në Oborr. E shoqja, Rosalia, trajton si shërbëtore një jetime të varfër, por jashtëzakonisht të bukur, të destinuar, me sa duket, për në manastir. Shfaqet Agustin Caballero, një kushëri i kamur i Rosalias, bie në dashuri me Hirushen e vogël pas skandalit të madh të Rosalias. Mirëpo, përhapet fjala se vajza e re ka “mëkatuar” me një prift! Agustini, në pamundësi për t’u martuar për nder të familjes, por ende i dashuruar me të, do ta kthejë në dashnoren e tij.

Në “Zonja Bringas”, gjejmë Rosalinë. Ajo ndjen një prirje në rritje për Perez, një aristokrat elegant dhe i hijshëm. Veçse është e martuar… Spanjolli Benito Perez Galdos luajti me situata dredharake për të vënë në pikëpyetje dëshirat e ethshme të modernitetit tonë të ndryshueshëm. Në të dyja rastet, tabutë e shoqërisë dhe kishës gjenerojnë “sekrete familjare”, që e privilegjojnë romancierin./Konica.al

ObserverKult

———————-

Lexo edhe:

RECENSION: ROMANI “DON KISHOTI I MANÇËS” NGA MIGUEL DE SERVANTES