Shkrimtari i shenjtë

Hermann Hesse ishte si të gjithë shkrimtarët e mëdhenj: nuk ndihej mirë në shoqëri dhe vuante nga depresioni. Donte: artin, paqen shpirtërore dhe gratë. Urrente: fashizmin, komunizmin dhe nacionalizmin. Ai ngjante edhe me disa shenjtorë të cilët pasi konsumojnë jetën e shthurur, tërhiqen në vetmi dhe nisin të rrëfehen. Prandaj, sot rrëfimet e Hesses lexohen si tekste të shenjta .

Ag APOLLONI    

Miku i ngushtë i Hesses, Thomas Mann, në një pasthënie për Dostojevskin tregon se arsyeja pse nuk kishte shkruar më parë për shkrimtarin e madh rus qëndronte në respektin e thellë që ndiente ndaj tij. Mendonte se Dostojevski duhej të nderohej në heshtje. Kështu, ai sugjeronte se është e vështirë të shkruash për dikë që e adhuron e ndaj të cilit nuk mund të mbash distancë.

Edhe mua, në rastin e Hesses, kjo distancë më mungon. Vepra e tij ka pasur dhe vazhdon të ketë një ndikim të jashtëzakonshëm në mua, prandaj çfarëdo që të them për të, prapë i ngelem borxh. Natyrisht, leximi është çështje e shijes, por kur flitet për Hessen mendoj se është çështje e shpirtit. Të mos e duash veprën e tij do të thotë të mos kuptosh asgjë nga arti dhe nga shpirti human, sepse Hesse të magjeps me thjeshtësinë e shkrimit dhe me humanizmin që rrezaton. Edhe për nga struktura ai paraqet shembullin më të sofistikuar dhe për këtë Thomas Manni rekomandon “Ujkun e Stepës” dhe “Lojën me rruaza prej qelqi”, nga të cilat të parën e krahason me “Uliksin” e Xhojsit, kurse të dytën e konsideron një konceptim të madh e të guximshëm individual, “një nga gjërat e pakta që na i jep koha”.

Pavarësisht eksperimenteve në strukturë, Hesse gjithmonë mbetet shkrimtar i shpirtit, një Diogjen që kërkon vetveten. Me veprën e tij ai i ka sugjeruar njeriut modern për “me i ra vetit mbas”, ndërsa shkrimtarëve ua ka bërë me dije që ka diçka më qenësore se forma. Dhe një e veçantë tjetër e Hesses është se ka arritur ta zhbëjë kohën. Është vështirë ta përfytyrosh atë si shkrimtar ekskluzivisht të shekullit të njëzetë. Herë të duket se ka jetuar shumë përpara, në kohën e Budës, herë në Mesjetë, herë në kohën tonë, e herën tjetër të duket se jeton në një kohë që është para nesh. Vepra e tij luan çuditshëm me dimensionin e katërt.   

Pesimisti i parakohshëm  

Hermann Hesse ishte bir i prindërve misionarë që shërbenin në një shoqatë në Indi. Jetoi kryesisht në Zvicër. Porsa hyri në shkollë, në klasën e parë, shfaqi shenja të depresionit. Në moshën 13 vjeçare shfaqi karakterin rebel duke braktisur shkollën. Një ditë më vonë e gjejnë në një livadh. Një muaj më vonë tenton të vetëvritet. Përfundon në një institucion mental. Pastaj ndjek një vit mësime në Gjimnaz, por në të njëjtin vit jepet pas alkoolit dhe duhanit. Këtu edhe fillojnë problemet me prindërit. Këtë përvojë të edukimit, të përplasjeve me familjen dhe të zhgënjimit nga shkolla e trajtoi më vonë në romanin “Nën rrotë”.

Të gjitha këto shenja depresive e nxitin drejt aktiviteteve shpirtërore. Në vitin 1895 gjen punë në një librari në Tybingen. Aty krahas literaturës teologjike, lexon edhe Goethen dhe Nietzschen, të cilët ushtrojnë një ndikim të madh tek ai. Atëherë i krijohet bindja se “etika e artistëve është zëvendësuar nga estetika”. Nis të shkruajë poezi, por nuk pëlqehet nga publiku, madje nëna e tij për librin “Këngë romantike” e qorton se ishte treguar “laik dhe mëkatar”. Në vitin 1900, lirohet nga shërbimi ushtarak “për shkak të problemeve me sy”, kokëdhembjeve dhe çrregullimeve nervore, që e kanë shoqëruar gjithë jetën. Në vitin 1904 u martua dhe iu përkushtua përsëri budizmit. Shtatë vjet më vonë udhëtoi për në Shri Lankë dhe Indonezi, ku përfundimisht u mposht nga përvoja fizike me kulturën dhe besimin e atyre vendeve.   

Çuditërisht, në moshën 37 vjeçare, në kundërshtim me mësimet paqësore budiste, ai shkoi si vullnetar në luftë, pasi thoshte se nuk mund të rrinte indiferent derisa shkrimtarët e rinj vdisnin në front. Por, meqenëse nuk u konsiderua i aftë për të vrarë, e lanë të kujdeset për të burgosurit. Mirëpo, kur pa që shkrimtarët e rinj nxisnin një klimë nacionaliste të mendimit, shkroi esenë “O vëllezër, jo me këto tone” (1915), ku apelonte intelektualët e kohës të hiqnin dorë nga tonet nacionaliste dhe nga urrejtja: “Dashuria është më e madhe se urrejtja, mirëkuptimi më i madh se inati, paqja më fisnike se lufta, kjo pikërisht është arsyeja pse kjo e gabuara Luftë Botërore duhet të hiqet nga mendjet tona, më shumë se kurrë më parë”. Pas kësaj, shtypi gjerman e shau paturpësisht Hessen, intelektualët i dërguan zarfe të mbushura me plot urrejtje ndaj tij dhe miqtë e vjetër e braktisën. Ende pa u qetësuar këto sulme, Hessen nisi ta “urrejë” edhe Zoti: i vdes babai, i sëmuret rëndë i biri, gruas së tij i shfaqet skizofrenia, ndërsa vetë ai shtrohet në spital dhe nis një psikoterapi, gjatë së cilës, për tri javë, shkroi romanin “Demiani”, të cilin e publikoi me pseudonimin Emil Sinclair.

Më 11 maj 1919, pasi ndahet nga miqtë dhe pasi nuk sheh të ardhme me gruan, largohet nga kryeqyteti (Bern) dhe vendoset në fshatin pitoresk Montagnola, ku i përkushtohet meditimit, pikturës dhe shkrimit. Në vitin 1924 martohet për herë të dytë, pastaj, pas dy divorcesh, në vitin 1931 martohet me një çifute dhe, pasi disa intelektualë e ftuan që të angazhohej në politikë, ai shkroi “Letër një komunisti”, ku thotë: “poeti nuk është një mjet me të cilin mund të thuren dhe gozhdohen pllakate, ai nuk përshtatet për telall në treg, sepse fuqia e tij nuk gjendet tek zëri i lartë, këtë Hitleri mund ta bëjë shumë më mirë... Me të drejtën e udhëheqësit të luftës ju ndoshta do të vrisni këtë apo atë poet …por ju do të zhgënjeheni, nëse besoni se një poet është një instrument, të cilin mund ta shfrytezojë klasa në pushtet sipas dëshirës në sensin e një skllavi apo një talenti të bleshëm…Artistët dhe poetët e vërtetë do t’i njihni në atë që ata kanë një shtysë të pafre për pavarësi dhe pushojnë menjëherë së punuari, nëse dikush përpiqet t’i detyrojë ta bëjnë punën ndryshe nga ç’ua thotë ndërgjegjja e tyre. Ata nuk do të jenë të bleshëm as për sheqerkat tuaja e as për detyra të larta dhe do të pranonin më mirë të vriteshin sesa ta linin veten të keqpërdoren”. Dy vjet më vonë shkroi poezinë “Refuzim”, e cila fillonte kështu: “Më mirë të vritesh nga fashistët/ sesa vetë të jesh fashist! Më mirë të vritesh nga komunistët/ sesa vetë të jesh komunist!

Fashistët e urryen, sepse ai ua tregoi pasqyrën, komunistët e urryen, sepse i futi në një thes me fashistët. Kështu, Hesse, i joshur nga Buda, refuzonte budallenjtë që kërkonin ta instrumentalizonin atë dhe artin e tij. Në vitin 1933, ai për ta dëmtuar ideologjinë naziste që po forcohej, ndihmon Thomas Mannin dhe Bertolt Brechtin për të ikur nga Gjermania. Shpejt shkrimet e tij nisën të refuzohen nga gazetat dhe revistat gjermane, ndërsa në fund të viteve ’30 vepra e tij ndalohet tërësisht dhe botuesi i tij arrestohet.

Vitet e kaluara në vendin pitoresk të Zvicrës, Hesse i konsideron si periudhën më të plotë, më prodhimtare, më të zellshme dhe më pasionante të jetës. Aty shkruan njërën pas tjetrës kryeveprat: “Siddharta”, “Ujku i stepës”, “Narcisi dhe Gojarti” dhe “Loja me rruaza prej qelqi”. Ndërkohë, i jepen një mori çmimesh, mes të cilëve edhe “Schiller”, “Goethe” dhe “Nobel”.

Pikërisht në vitin 1962, kur Hesse vdes, shkrimtari amerikan Jack Kerouac në Big Sur shfaq një urrejtje të madhe ndaj Hesses dhe romanit Ujku i Stepës, duke e quajtur vepër “budallaqe dhe pa kuptim”. Atij i bashkohet një kor kritikësh që e kritikojnë Hessen për mungesë morali në përshkrimin që i bën seksit dhe drogës, për pozicionim në anën e deformuar të shoqërisë, për prekje të temave tabu, si dhe, natyrisht, për pesimizëm. Por, Hesse do të duhej të ishte budalla për të qenë i lumtur, apo optimist, siç kërkonin ata.

Edhe pse në fillim të viteve ’60 ai u cilësua nga New York Times si “shkrimtar i pakuptueshëm për lexuesit amerikanë”, ishin pikërisht këta lexues (hippie generation) që e kthyen Hessen në një bestseller botëror.

Hija e Hesses  

Vepra e Hesses është një udhëtim i gjatë nëpër terrin e shpirtit njerëzor. Ajo rrezaton dritë dhe humanizëm. Është fakt që te Hesse ndikuan shumë kultura dhe shumë autorë, mirëpo as ndikimi i tij nuk është i vogël. Ai tashmë është bërë një ikonë. Emrin e tij e mbajnë shumë shkolla, muze, institute e çmime nderi. Nga veprat e tij kanë marrë emërtime teatro e grupe muzikore. Edhe pse veprat e tij nuk janë të ekranizueshme, disa prej tyre (Ujku i Stepës, Siddharta dhe Narcisi dhe Gojarti) janë bërë filma, si dhe janë adaptuar për skenë.

Kur lexohet Hesse me vëmendje, shihet se personazhi semi-autobiografik Harry Haller, i ngjan paksa princit Mishkin, por njëkohësisht është edhe një model i personazheve të mëvonshme, si Huan Pablo Casteli (“Tuneli”) i Sabatos dhe Merso (“I huaji”) i Albert Camus. Vepra e tij gjithashtu ka ndikuar në përhapjen e kulturës indiane në Perëndim. Prandaj, një ndikim të madh nga Hesse pati edhe përkthyesi i tij, J. L. Borges, të cilin gjithashtu filloi ta tërhiqte budizmi dhe kultura orientale. Falë Hesses, në vitet ’90 në Amerikë nisi të shkruhet një poezi spirituale me koncepte nga Lindja e largët. Ndërsa këngëtari Sting shkroi këngën “All this time” i ndikuar nga “Siddharta”, vepër kjo që ka ndikuar edhe në shumë këngë, në pjesë filmike, në inskenime, në ekspozita arti etj.

Ndikimi i tij, gjithashtu edhe studimi i veprës së tij, në dekadat e fundit është në ngritje të hovshme, aq sa mund të thuhet se kultura perëndimore është nën hijen e Hesses, sikur Buda nën hijen e pemës mango. Kjo hije njëkohësisht domethënë edhe dritë, të cilën lexuesit e gjejnë tek i ashtuquajturi “shkrimtar i krizës”, apo shkrimtar i shpirtit, që tashmë ka kapërcyer ndikimin normal për t’u kthyer në një tip shenjtori.

Nëse ardhja dhe ndikimi i kulturës orientale në Perëndim ishte nxitur nga “Divani” i Goethes, atëherë mund të thuhet se ai ndikim kulmin e arriti me “Siddhartën”, e cila tashmë lexohet si libër letrar dhe religjioz, njëkohësisht.

Pesëdhjetë e shtatë vjetë më parë poeti, prozatori, piktori dhe i pasionuari pas muzikës, Hermann Hesse, u largua nga kjo botë, kurse tash është bota që po i afrohet çdo ditë e më shumë veprës së tij. Sepse kjo botë e sëmurë ka nisur ta kuptojë që ta lexosh Hessen është si të kurohesh në një klinikë rehabilitimi. Pasi ta lexosh atë, nuk ke frikë as nga vdekja, sepse, siç thotë ai vetë, “vdekja mund të jetë e ëmbël në qoftë se i përgjigjemi në mënyrë afirmative, nëse e pranojmë atë si një nga format e mëdha të përjetshme të jetës dhe të transformimit”./ ObserverKult