Shkrimtari kujton bisedën me Lasgush Poradecin: Ajo karakatinë një ditë do zhduket…

lasgush poradeci


Nga Ilir Mborja

Arkitekti, shkrimtari e përkthyesi Petraq Kolevica, mik shumë i afërt i Lasgush Poradecit, në librin e tij me kujtime “Lasgushi më ka thënë”, (faqe 94 – 95) tregon:

“Ishim në Pogradec, në shtëpinë e tij, atje në odiçkën e katit të tretë ku i pëlqente të rrinte. Se si mbahej në këmbë ajo shtëpi, e veçanërisht ajo odiçkë, me ato mure gjysmë çatma, gjysëm me tulla këllëç, unë, si inxhinier s’i kam dhënë dot shpjegim dhe gjithnjë kam shkelur me frikë mbi dërrasat e dyshemesë së arnuar dhe duke parë muret e plasaritur.
Aty, pra, në odiçkë, ai duke ndenjur mbi një shtrat hekuri dhe unë mbi një arkë dërrase me libra e duke uturuar së bashku në qiejt e poezisë, e këputi bisedën dhe më tha se e kishin lajmëruar që do t’ia riparonin shtëpinë me shpenzimet e shtetit.
Me atë rast unë i thashë të kërkonte që riparimi të bëhej pa ndëruar strukturën, formën e banesës, ambientet, në mënyrë që t’i mbetej sa më shumë besnike shtëpisë ku ai kishte banuar një jetë të tërë.
Se, të më falni – i thashë – që po bëj një bisedë të tillë, por është e sigurtë që një ditë kjo shtëpi do të bëhet Muze.
Muze – tha – unë kam “Vallen e yjeve” dhe “Yllin e zemrës”, jo këtë karakatinë. Ato do të mbeten. Kjo do të zhduket… ”
Kështu e kujton Petraq Kolevica në librin e tij për poetin e madh, ndërsa mua, sot më dalin para syve karakatina e “Teatrit Kombëtar” dhe ca aktorë “nostalgjikë” që s’dinë të flasin pa tekst të parapërgatitur nga skenaristi…