Prokuroria Themelore në Gjakovë ka kërkuar masën e paraburgimit për poetin Haxhi Morina-Gjini nën dyshimin se i njëjti ka kryer vepër penale, nxitje e përçarjes dhe mosdurimit.
Kjo prokurori ka njoftuar se kërkesa është aprovuar nga Gjykata Themelore e Gjakovës.
Sipas njoftimit të Prokurorisë së Gjakovës, i njëjti dyshohet se më 12 gusht 2021, në Gjakovë, pikërisht brenda një hoteli, i pandehuri Haxhi Morina-Gjini, gjatë promovimit të librit të tij, nxit dhe publikisht përhap urrejtje dhe përçarje.
“Në mesin e përmbajtjes të këtij libri, janë të shkruara disa poezi si, “Qohu Enver”, “Shporruni njëherë e përgjithmonë”, dhe “Msitnia”, të cilat kanë përmbajtje të urrejtjes dhe përçarjes kombëtare e fetare, ku i njëjti, me këto veprime ka mundur të prish rendin publik në Republikën e Kosovës”, thuhet në njoftimin e prokurorisë.
Prokurori i rastit ndaj të pandehurit, ka kërkuar masën e paraburgimit në afat prej 30 ditësh, e cila është aprovuar nga Gjykata kompetente.
I pandehuri, me urdhër të prokurorit gjendet në ndalim nga data 14 gusht 2021.