Shkronja e Pjetër Budit që nuk gjendet në libra të tjerë/ Ylli Rugova: Germa “Dh” origjinale, ja kush e gdhendi

Në vitin 1871, Antonio Bertoloti, një farmacist nga Torino, nis punë në arkivin e Romës.

Më 1880 ai boton disa materiale mbi të dhëna noteriale e financiare, për figura të rëndësishme deri te Mikelanxhelo, ku përfshihen shtypshkrimet poliglote të Romës në shekuj 16-17.

Në mesin e tyre edhe disa fragmente nga Pjetër Budi.

Studiuesi Ylli Rugova zbardh gjetjet e tij në një takim në Institutin e Antropologjisë.

“Fragmentet e botuara të Bertolotit që përbëjnë bërthamën e ligjëratës sonë, na sjellin dëshmi të drejpërdrejta për emrat e përfshirë në shtypshkrimin e dy titujve të botuar nga Budi më 1621.

Për “Pasqyrën e të rrëfyemit” dhe për “Ritualin Roman”, pastaj ato flasin për vetë rolin e këtij autori shqiptar në këtë proces”.

Bertoloti e gjen të vështirë të klasifikojë shqipen dhe e fut atë te gjuhët orientale. Ndërkaq pranon problemet në klasifikim.

Por ajo që ka rëndësi për libra të shtypur me alfabet latin, është shtypshkrimi i disa germave specifike për librat e Budit, nga Doktrina e Kërshtenë, 1618 e deri te dy librat e viti 1621.

Rugova ndalet specifikisht te rëndësia e shkronjës “dh”.

“Giacomo Antonio Mori ka qenë gdhendësi i asaj të vetme germë origjinale që është përdorur në të gjitha veprat e Budit.

Ai ka qenë gdhendës monedhash në profesion, por ka gdhendur edhe germat e alfabetit të shqipes. Z-ja është një lloj e-je greke.

Për y përdoret nr 8 dhe prej tyre vetëm “dh” dhe “th” sepse është e njëjta shenjë, mund të themi që është gdhendur enkas. Pra, si gdhendje nuk ndodhet në asnjë botim tjetër përveç në gjuhën shqipe”.

Shënimet e Bertolotit na tregojnë se Budi ka mbikëqyrur shtypshkrimin më 1621, nga janari në dhjetor. Për këtë është paguar 20 skudi dhe pagesa vërteton përfshirjen e procesin./Balkanweb.com

ObserverKult


Lexo edhe:

398 VJET NGA VDEKJA E PJETËR BUDIT

Më 1 dhjetor 1622 u nda nga jeta  Pjetër Budi, shkrimtar i letërsisë së hershme shqipe, autor librash fetarë në shqip.

Lindi në Mat më 1566 u largua nga vendi i pashkollë. Arsimin fetar e mori në kolegjin Illyricum në jug të Ankonës në Itali. Pastaj shërbeu si prift në rajone të ndryshme të Ballkanit, si në Bosnje, Kosovë, Maqedoni, Shqipëri.

Libri i tij më i njohur fetar është Doktrina e Krishterë. Budi është poeti i parë i mirëfilltë i letërsisë shqipe.

Ai shkroi rreth 3 mijë e 500 vargje me karakter moral e fetar. Ishte organizator dhe udhëheqës i masave popullore në luftën për çlirim nga zgjedha osmane.

Përkthyes dhe krijues origjinal në fushën e letrave shqiptare për të mbrojtur identitetin etnik e kulturor të pupullit tonë.

Proza e Budit dëshmon jo vetëm për idetë përparimtare, por edhe për aftësitë e tij letrare.

Edhe pse në të ndihet ndikimi i literaturës kishtare latine, ai është munduar t’i japë gjuhës shqipe një shprehje e formë të bukur.

Duke shfrytëzuar kështu pasurinë e gjuhës popullore dhe frazeologjinë e saj të pasur.

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult