Për të pasionuarit pas artit të të shkruarit, Komuna e Prishtinës në bashkëpunim me librarinë Dukagjini dhe organizatën ETEA së fundi hapën thirrjen publike “Shkruaji Prishtinës”.
Është kohë pandemie dhe si rrjedhojë natyrshëm që të gjithë jemi izoluar apo kemi reduktuar maksimalisht të dalurat jashtë ambienteve shtepiake. Kanë kaluar mbi 30 ditë në këtë gjendje dhe monotonia është e pa diskutueshme.
Gjithsesi, secili në mënyrën e vet po mundohet ta përmbushë kohën në mënyrë produktive përmes krijimtarive apo edhe përfitimit nga dobitë që sjellin këto të fundit, sidomos krijimtaritë artistike.
Një mundësi e tillë po ofrohet nga Komuna e Prishtines, libraria Dukagjini dhe organizata ETEA pëmes thirrjes për krijimtari letrare dedikuar kryeqytetit të Kosovës, Prishtinës. Këtij aktiviteti që, në fund do të kurorëzohet më botimin e një libri, mund t’i bashkohen të gjithë ata që shkruajnë apo kanë dëshirë ta sfidojnë vetën në këtë fushë.
Me anë të poezive apo tregimeve, të interesuarit mund t`i shprehin ngjarjet, përjetimet, dashurinë apo kujtimet që në një a tjetër mënyrë i lidhin me Prishtinën.
Në thirrjen e publikuar kërkohet që aplikuesit t’iu përmbahen disa kritereve. Të tilla janë: përcaktimi për njërin nga zhanret letrare si poezi apo tregim; poezitë të mos jenë më të gjata se 1,000 karaktere ndërsa tregimet deri në 2,200 sosh; dialekti sipas vullnetit individual; dhe, në fund shkrimet të dërgohen në adresën elektronike të organizatës ETEA më së largu deri më datë 02 maj 2020.
Tekstet e dërguara, fillimisht do të dizajnohen dhe do të publikohen çdo ditë, që nga data 27 prill, në grupin e rrjeteve sociale ‘#rriNshpi me neve’ dhe 3 autorët – shkrimet e të cilëve marrin më shumë pëlqime – do të përfitojnë libra nga libraria Dukagjini. Pas normalizimit të situatës aktuale, organizatorët planifikojnë të botojnë librin me dyzet (40) shkrimet më të mira i cili do të promovohet në një ngjarje publike të organizuar enkas për këtë qëllim.
Iniciativa ka lindur si pjesë e shumë aktiviteteve kulturore që Komuna e Prishtinës është duke organizuar gjatë kësaj kohe të pandemisë në mënyrë që këto ditë izolimi të kalohen më lehtë dhe me më shumë produktivitet. Po ashtu, veprimtaritë e tilla u ofrojnë mundësi personave të ndryshëm që talenteve dhe aftësive të tyre t’iu japin një shtysë të madhe, e cila, pse jo, mund të jetë pikënisje e karrierës së tyre.
Për më shumë informata rreth këtij aktiviteti apo përfshirjes në kuadër të tij, luteni t’i kontaktoni partnerët e lartëcekur të cilët, përveç tjerash ofrojnë edhe asistencë në rast nevoje. Për këtë aktivitet organizatorët kanë hapur edhe një event në rrjete sociale të cilin mund ta vizitoni përmes vegzës, si vijon:
https://www.facebook.com/events/1242987045908776/
ObserverKult