Shkrimtarja e çmimit Nobel, Olga Tokarczuk, reflekton për gjendjen që ka kapluar mbarë botën. Një shkrim, sa optimist, aq edhe goditës, botuar në The New Yorker, i cili prek plagë të hershme të njerëzimit, të cilat, me sa duket, në kohë të tilla, evidentohen edhe më shumë.
Koncepti i “tjetrit, të huajit, pabarazia, shovinizmi, krizat në familje, paaftësia e BE-së”, krijojnë mozaikun e një krize të madhe, me të cilën duhet të përballemi. Por, si gjithmonë, paradoksi është aty. Kjo kohë po na ndihmon t’i kthehemi së brendshmes, UNIT tonë. Ndoshta prej kohësh e kishim braktisur veten dhe karantinimi mund të na ndihmojë të rindërtojmë veten, pa u ndikuar nga të tjerët.
Nga Olga Tokarczuk
“Nga dritarja ime, unë mund të shoh një dru mani të bardhë dhe një pemë, me të cilën jam magjepsur. Këto janë arsyet pse vendosa të jetoj këtu. Përmes manit, dhjetëra familje shpendësh, përfitojnë frutat e ëmbla e të shëndetshme, gjatë periudhës së pranverës dhe verës. Momentalisht druri i saj është pa gjethe, kështu që më bie në sy një rrugë e qetë, e cila rrallë përshkohet nga njerëzit, të cilët duan të shkojnë në park. Moti në Vroclav është pothuajse veror, me një diell verbues, qiellin blu, ajrin e pastër. Sot, teksa isha duke nxjerrë shëtitje qenin tim, një buf më nguli sytë. Me sa duket, kafshët ashtu si njerëzit, presin me padurim të shohin atë se çfarë do të ndodhë më tutje.
Për një kohë të gjatë kam ndier se përtej dritares sime ka kaq shumë jetë, kaq shumë botë. Një botë e madhe, e shpejtë, e zhurmshme. Ndaj nuk po përjetoj asnjë traumë nga izolimi. Nuk e kam aspak të vështirë të mos shikoj njerëz. Nuk më vjen keq që kinematë janë mbyllur. Po ashtu, jam plotësisht indiferente ndaj qendrave tregtare të mbyllura. Sigurisht, më vjen keq për ata njerëz që kanë humbur punën e tyre. Kur më duhej të përballesha në fillim me karantinimin, ndjeva një lehtësim. Shumë njerëz janë ndier njëlloj, edhe pse kanë turp ta pranojnë. Natyra ime e mbyllur, introverte, po ndihej e mbytur dhe e abuzuar nga ekstrovertët hiperaktivë dhe kështu e kish braktisur veten e saj, duke u tjetërsuar.
Vëzhgoj fqinjin tim nga dritarja, një avokat i mbingarkuar me punë, të cilin pak ditë më parë e pashë duke shkuar për në punë veshur me mantelin e sallës së gjyqit. Por, tashmë, i veshur me rroba krejt të thjeshta shtëpie, punon kopshtin e tij. Duket se po vendos gjërat në rregull. Shikoj disa të rinj që nxjerrin shëtitje një qen të vjetër, i cili qysh nga dimri i shkuar, ecën me vështirësi. Ata e shoqërojnë qenin me një ritëm të ngadaltë. Shikoj kamionin që mbledh mbeturinat. Ai po thyen rekord me shpejtësinë e mbledhjes së tyre.
Jeta vazhdon, veçse me një ritëm tjetër. Rregullova raftin, duke nxjerrë gazetat e lexuara për t’i futur në koshin e riciklimit. Vendosa lule. Mora biçikletën nga dyqani i riparimit të biçikletave. Kam shijuar procesin e të gatuarit.
Kujtimet nga fëmijëria rikthehen tek unë. Kishte kaq shumë kohë të lirë atëherë, sa mund ta shpenzoje pa kriter, mund ta vrisje duke qëndruar me orë të tëra në dritare, duke vrojtuar milingonat, ose thjesht shtrirë nën një tavolinë, duke imagjinuar se ishe brenda një arke. Sigurisht, edhe duke lexuar enciklopedi.
A nuk tregon ky karantinim që ne i jemi rikthyer ritmit tonë normal të jetës? Nuk është e vërtetë që virusi ka prishur ritmin dhe normën, por anasjelltas. A nuk ju duket anormale bota para se të vinte virusi?
Në fund të fundit, virusi na ka kujtuar ato gjëra që ne ia kemi mohuar vetes: faktin që jemi krijesa delikate, të përbëra nga një material shumë i brishtë. Që jemi të vdekshëm, të përkohshëm. Që nuk jemi të ndarë nga pjesa tjetër e botës, nuk jemi të përjashtuar, por që bota është një lloj rrjeti, në të cilin të gjithë jemi të lidhur me njëri-tjetrin, përmes fillit të padukshëm të varësisë dhe ndikimit. Pa marrë parasysh sa larg janë vendet nga kemi origjinën, cilën gjuhë flasim, apo çfarë ngjyre ka lëkura jonë, ne po përballemi me të njëjtën sëmundje, me të njëjtat frikëra, po vdesim nga e njëjta sëmundje.
Na ka bërë të kuptojmë që nuk ka rëndësi sa të dobët e vunerabël ndihemi përballë rrezikut, sepse jemi të rrethuar nga njerëz që janë akoma më të dobët se ne, të cilët e konsiderojnë jetësore ndihmën tonë. Ky virus na ka kujtuar brishtësinë e prindërve dhe gjyshërve tanë. Sa shumë kujdes dhe nevojë kanë ata për ne. Po na bën me dije për lëvizjet tona të pakontrolluara, që po e fundosnin botën. Dhe mbi të gjitha, po na bën t’i drejtojmë vetes pyetjen, të cilën rrallë kemi pasur kurajën t’ia bëjmë: Çfarë po vazhdojmë të kërkojmë?
Frika nga të sëmurët na kujton folenë tonë, në të cilën ndihemi të sigurt. Në një situatë të tillë, edhe ata që udhëtojnë pa pushim, kërkojnë të qëndrojnë në shtëpinë e tyre. Në të njëjtën kohë, të vërteta të frikshme po zbulohen. Po shikojmë sa i dobët po tregohet në praktikë Bashkimi Europian (BE). Nuk po bën gjë tjetër veçse po delegon vendime. Shovinizmi i vjetër është rikthyer, duke u kthyer edhe një herë te ndarja “e jona” dhe “e huaja”, me pak fjalë ajo për të cilën kemi luftuar dekadat e shkuara, me shpresën se nuk do t’i formatonte më kurrë mendjet tona. Frika nga virusi i ka bërë të mendojnë se “i huaji” e ka fajin, ai duhet fajësuar. Virusi është “nga një vend tjetër, përveçse nga vendi ynë”. Të gjithë ata që po kthehen në Poloni, konsiderohen të dyshuar. Virusi po na kujton se kufijtë ekzistojnë.
Druaj se virusi po na rikthen edhe një frikë tjetër të vjetër: pabarazinë. Ndërsa disa prej nesh po fluturojnë me avionë privatë drejt shtëpive në ishuj, për të kaluar karantinimin, disa të tjerë po qëndrojnë në qytete për të punuar. Akoma më keq, ata që po rrezikojnë jetën e tyre, duke punuar në farmaci, ushqimore apo spitale. Disa po bëjnë shumë para e disa të tjerë po humbasin gjithçka kanë. Kriza që do të pasojë do të minojë parimet tona. Shumë shtete nuk do të jenë në gjendje ta përballojnë. Kjo do t’i detyrojë të nxjerrin urdhra të reja, siç ndodh rëndom pas krizave.
Ne po qëndrojmë në shtëpi, po lexojmë libra, po shohim televizor, por, në të vërtetë, jemi duke përgatitur veten për një betejë, për një realitet të ri që as nuk mund ta imagjinojmë, duke bindur veten se asgjë nuk do të jetë njësoj. Gjendja e karantinës së detyrueshme, e mbledhjes së familjes në shtëpi, mund të na bëjë të vetëdijshëm për gjërat që nuk kemi dëshirë t’i pranojmë: se familja jonë po na varfëron, se fijet që mbanin të lidhur martesën tonë janë shtendosur me kohë. Fëmijët tanë do të dalin nga karantina të varur nga interneti dhe shumë prej nesh do të jenë të vetëdijshëm për pakuptimësinë dhe kotësinë e rrethanave në të cilat gjendemi. Po sikur të rritet numri i vrasjeve, i vetëvrasjeve, i depresionit, i sëmundjeve mendore?
Para syve tanë, ndotja po zhduket nga paradigma e qytetërimit, që na ka shoqëruar gjatë dyqind viteve të fundit: që ne jemi mjeshtrat e krijimit, që mund të bëjmë gjithçka, që bota na përket e gjitha ne. Një kohë e re po afrohet.”
Shkrimtarja është e njohur për lexuesin shqiptar, përmes romanit “Shtërgjet”, sjellë në shqip nga “Albas”/ “Shtërgjet” përbëhet nga një mozaik karakteresh në një lëvizje të pandërprerë. Duket se bota moderne lëviz në mënyrë të çoroditur dhe kaosi duket se është i gjithëpranishëm, jo vetëm ngaqë është copëtuar itinerari i lëvizjes, por edhe ngaqë vetë subjekti i lëvizjes është copëtuar. Kështu, në këtë libër pleksen lëvizje gjithfarësh, njerëzish të njohur a të panjohur, personazhesh historike a të trilluar, njerëzish a mumiesh, trupash të shëndetshëm a trupash të gjymtuar, trupash të plotë a pjesësh të tyre. Duket sikur është shkërmoqur gjithçka e që kjo lëvizje e çoroditur të mund të ngrihet në dinjitetin e një udhëtimi, apo edhe më tej, të një pelegrinazhi, ajo duhet disiplinuar. Cila është kjo disiplinë? Sprova e autores lidhet pikërisht me gjetjen e kësaj disipline. Kjo disiplinë kërkohet duke u mbështetur në gjithfarë pandehmash, duke hulumtuar fillimisht brenda porteve dhe aeroporteve; brenda ritualeve të udhëtarëve nëpër hotele; brenda traumave të njerëzve gjatë një itinerari; duke hulumtuar brenda shkencës së psikologjisë përmes së ashtuquajturës “psikologji e udhëtimit”, a brenda shkencës së anatomisë përmes zbulimeve të saj, si për shembull zbulimi i “pejzës së Akilit”, apo metodave për konservimin e trupave. Megjithëkëtë, duket se autorja evidenton që premisa kryesore e kësaj sprove mbetet emërtimi i vendstacioneve. Kështu, ky libër, në një mënyrë tejet origjinale rrëfimi na përcjell vështirësinë e disiplinimit të lëvizjes së njeriut përmes emërtimit të vendstacioneve në rrugëtimin e tij. Vetëm kështu, lëvizja do të meritojë të quhet rrugëtim, ose më mirë akoma, pelegrinazh. / Përktheu: Parajsa Shtini
ObserverKult