reklamë

“Shmangia”, tregim nga Ndue Dedaj

Nga Ndue Dedaj

1

Elektra nuk ishte më një grua e re, por prap brenda saj kishte mbetur një drithërimë vashërore, përndezëse, si ato xixëllimat vjeshtake që i mvishnin peizazhit një dritë të verdhë mistike. Sa herë dilte në shëtitore kishte punë me erën, në të vërtetë ishte era që luante me fustanin e saj, pa dashur t’ia dinte për sytë e botës mashkullore, që asgjë nuk i tërhiqte më shumë se fërshfëritja e tyre.

Ishte një ritual i përjetshëm ai i erës me fustanet, duke i vënë në pozitë të zonjat e tyre, që i mbanin veshur gjithë hijeshi e laryshi; fustane të llojllojshëm, të zinj me cikla të bardha, apo të bardhë me cilka të zeza, me gjithnuer ngjyrash e afreskash, krejt si piktura në lëvizje, që era i valëviste si flamuj të një bote magjike. Ato zonja kishin dalë shpengueshëm nga shtëpitë e tyre, pa e ditur se me t’u gjendur në shëtitoren me mimoza e blirë, ditën për diell, era, sa ledhatare e flladitëse deri në dehje, aq ishte e pabesë, nuk tregohej aspak e mëshirshme me fustanet, i shpupuriste si flokë vezullues gëzhetash, sa gratë detyroheshin t’i mbanin me duar që të mos iu zbuloheshin kofshët e bardha të paprekura nga dielli…

Thellë-thellë, arsyetonte Elektra, rebelimi i fustaneve nga era, sado bezdisës në pamje të parë, mund të mos ishte dhe aq acarues për femrat, pasi ato e ndjenin se sy të shumtë të fshehtë ishin mbërthyer mbi to, duke kundruar atë duel të beftë fustanesh me erën. Por kot e kishte zënë me të tjerat, gra të njohura e të panjohura, që i ishin fiksuar ashtu kohë pas kohe, me fustane të gufuara, të ngritura paksa, të zhubravitur lehtë. Teksa po përpiqej ta ndalte erën, duke mbajtur kindet e fustanit të vet, vuri re se i qenkësh zbërthyer kopsa e fundit e tij. Kjo ishte ku e ku më zbavitëse për sytë epshorë të burrave, që s’i quaje dot të pacipë, të pafajshëm mbase.

“Kushedi si do të jem dukur nga veranda matanë”, mendoi, ku disa qejflinj pinin birrë dhe shikonin me andje dallgëzimin e fustanit të saj, që nuk kishte ndërmend të rrinte në vend, si të ishte diçka e pashmangshme ajo shkundje e tallazitje e tij nga era…

2

            – Kam ardhur për libretin e karnavaleve, vetëm ti mund ta qashë! – nisi të fliste regjisori ende pa zënë mirë vend në karrige.

            – Unë? Po ç’punë kam unë me karnavalet! Nuk kam shkruar kurrë gjëra humoreske.

            – E bën ti, e bën! Këtë vit dua të shkëlqejmë me shfaqjen nëpër qytet. Apo nuk kemi dhe vëllezërit arbëreshë, ka ardhur një grup i madh nga Kalabria.

            Regjisori u ngrit hovshëm pa e pirë kafen deri në fund dhe pa ia vënë veshin kundërshtimit tim, si të isha ndonjë vartës i tij, që sapo ia kishte dhënë detyrën dhe tash ai i kishte larë duart me atë gjë. Sigurisht që kjo lidhej me miqësinë tonë, po çfarë më kërkonte ai me ngut dhe çfarë po shkruaja unë, një si psalm dashurie, që nuk ishte as prozë as poezi, por mbase mund të vlente për ndonjë monolog drame. Gati sa nuk po flisja me zë të lartë aty para ekranit të kompjuterit: “Jo, or jo, hiqe atë varg të mallkuar nga poezia. “Dashuria ka vdekur”. Ku e gjete? Kush e tha? (I drejtohesha kështu një poeti antik, si ta kisha përpara). Jo vetëm që nuk ka dashuri të vdekur, por as në kohën e shkuar. Dashuritë e djeshme janë të tashme! Jam gati të betohem për këtë, me të dyja duart! Jo mbi ungjill, por mbi zjarr! Dashuritë janë gjithmonë në ngjizje. Mos shkruaj për dashuri të shuara, të fikura, të sosura, të amshuara, o ti poet i botës. Nuk ka vend në qiell për dashuritë, ato janë poshtë parajsës, lagen në shi e thahen në diell si flokët e vashës që dashuron (atë çast m’u përhiruan flokët e Elektrës). As në tokë nuk ka vend për varre dashurish! Ke lexuar ndokund ndonjë pllakë varri për ndonjë dashuri të vdekur, lindi me aq shkurt e vdiq me aq shtator? Jo! Ngaqë dashuritë vetëm lindin! Si dielli, çdo mëngjes. E sheh apo nuk e sheh ti, se varet nga retë! Njerëzit vdesin, por jo dashuritë, ato rrojnë…” (Por ai poeti antik as që e kishte kthyer kryet nga unë, si duket kishte harruar të fliste me njerëzit, i ngurtësuar aty në bust tash dy mijë vjet.)

Kurse unë isha shndërruar në një adoleshent kokëkrisur, përderisa recitoja në këtë farë mënyre fraza të tilla otelliane. Nuk isha i sigurtë nëse fjalët e fundit nuk i kisha thënë me zë. Si duket isha marrosur. Ec e merre vesh si është njeriu! As që e kisha shkuar ndërmend një shpërthim të tillë. Nuk shkonte me natyrën time të përmbajtur. Le pastaj, në kulmin e kësaj ekstaze, ai zotëria, regjisori, vinte e të kërkonte të shkruaje një tekst karnavalesh që do të shoqëronte me autoparlant ritualin e tyre gazmor nëpër qytet…

Unë vërtet mund të isha një i marrë, që më kishin marrë trutë erë mbas asaj gruaje, qysh nga epoka e gurit, siç më vinte të tallesha me veten, ama ky nuk ishte faji im. Në një dashuri askush nuk ka faj, thosha me vete, a thua se po filozofoja. Po çfarë dashurie, ore? Ajo mund mos të dojë ty e si u quaka dashuri një ndjenjë e njëanshme. Por nuk haja pykë në këtë anë. Më mjaftonte që unë e doja, më saktë vazhdoja ta doja. Dhe nuk besoja që mund të ndodhte, që dikush ta donte dikë, burri gruan, apo gruaja burrin dhe ai tjetri përballë të rrinte si dru!?

Ishin disa valë që nuk i rrokte asnjë antenë, që e bënin atë tjetrin të tundohej…

3

            Nuk mund të them për ju, por të paktën mua më ka qëlluar të gjendem befas në situata të papritura, të pashpjegueshme, edhe pse, me apo pa dashje, njeriu i krijon vetë ato. Vetëm nëse thirret në ndihmë psikoanaliza për të zhbiriluar në shkakun e fshehur.

Kështu u gjendëm atë paraditë, si të zënë mat nga vetvetja, unë dhe Elektra, kurse kolegia e saj – më vonë mësova se quhej Irma, – nuk kuptoi asgjë nga sa u tha e u pa.

U takuam rastësisht në hollin e bar “Iliria” dhe unë i ftova ta pinim kafen bashkë. Elektra nuk e kishte pritur këtë ftesë, ndaj mbeti pa fjalë. Ajo kishte menduar se gjithçka mes nesh qe ftohur me kohën dhe nuk mund të kishte më surpriza, përpos një përshëndetjeje të lehtë kur shiheshim në të rrallë, sa me thënë se nuk ishim krejt të huaj për njëri-tjetrin.

Nuk di se ç’thashë ashtu shkarazi, një si justifikim të vagullt, për atë që nuk ishim takuar gjithë ato kohë, kur Elektra, e befasuar nga ajo që dëgjoi, shqiptoi disa fjalë pa lidhje, që mund t’i kuptoje “jam përpjek me të shmang”. Unë, si i goditur në tru nga kjo fjalë, krejt ndërmend, iu ktheva:

            – Çfarë thua? Është mëkat shmangia!…

            Ajo e kuptoi se i kishte “rrëshqitur” gjuha, në kuptimin që mund të mos e thoshte troç atë që mendonte, por e çoi më tej atë që sapo tha:

            – Shmangia është e pashmangshme!… Bukur e thashë, apo jo? – shtoi duke u munduar të buzëqeshte, por zëri nuk ishte më i pari, kishte ndryshuar ngjyrë, dukej jo aq sigurtë.

Ndokush, nga qortuesit e rreptë gjuhësorë, mund të na thotë pse nuk përdorët fjalën timbër, siç thuhet zakonisht për zërin, por ngjyrë? Po, pra, se zëri i Elektrës më shumë se timbër kishte pasur ngjyrë, që ia hijeshonte asaj fytyrën duke ia bërë të purpurt…

– Ngjan si filozofike ajo që thoni, dmth që shmangia është e pashmangshme, por kjo nuk e ndryshon thelbin e asaj që, gjithsesi, shmangia është mëkat!… – thashë unë.

Ajo nuk foli. Ishte radha ime të “gaboja” qëllimisht. Thashë, kuptohet për veshët e Irmës, që kjo që po thoshim nuk kishte ndonjë nëntekst!?…

Por nuk u shtyva më tej. Të kërkoje të përligjie të kundërtën e asaj që sapo ishte shqiptuar, që mes nesh kishte ndodhur shmangia, arma e vetme shpëtimtare e Elektrës, kjo s’do të ishte e sinqertë. Nëse ende ka mbetur diçka nga dashuria, dhe gjithmonë diçka mbetet, o do të tradhtonte ngjyra e zërit (thoni, po të doni, timbri), o do të dalin fjalët siç janë brenda teje, pa maskë, o do të luhatet e përpëlitet shikimi. Ti nuk ishe më ai i pari. Maska nuk ishte më e jotja, kishte fluturuar drejt e te ato karnavalet, që po luheshin jashtë në bulevard…

Koha tjetër e kafes atë ditë ishte rutinë, me biseda bezdisëse, kinse për punën, shtetin, shoqërinë. Elektra ngulmonte se gjithë faji për gjërat që nuk venin mirë ishte i shtetit, unë kundërshtoja duke thënë, doemos që shteti ka përgjegjësitë e tij, por shoqëria ishte kryesorja në këtë mes, pasi ajo e përfshinë brenda dhe shtetin! Por nuk na kishte grat ajo lloj bisedë e shpifur.

E vërteta ishte se asnjëri e as tjetri nuk e kishim mendjen as te shteti e as te shoqëria, sidomos pas asaj “përplasjes” së fillimit për shmangien dhe jo-shmangien. Ne, krejt papritur e padashur, kishim paditur veten para vetes dhe para një të trete, që ishte Irma e pafajshme në këtë histori, ku befas shmangia e kishte tronditur gjendjen tonë të mbetur prej kohësh as në gjumë e as zgjuar, me rrallë ndonjë impuls nga ana ime, pasi ato që vinin nga ana e Elektrës ishin thuajse zero. E gjitha kjo për shkak të asaj shmangies, që ajo kishte përdorur si strategji ndaj meje. Po, po, strategji e përpunuar me kujdes, për të shmangur një flirtim të mundshëm njerëzish, që për dikë mund të ishte dashuri e për dikë tjetër tradhti!…

Nuk është se vetëm po hamendësoja. Shumë vite më parë, ajo, kishte thënë diçka të pashmangshme për të: “Nuk është se nuk!… Por… nëse nuk të mbaj larg, ti nuk…”

E gjitha ishte një “NUK”, që në të gjitha gjuhët kuptohej dhe pa u shqiptuar, edhe pse nuk ishte një fjalë, por veçse një pjesëz! “Nuuuk” ishte ana tjetër e botës, ajo e errëta pa diell e hënë, pa shi pranveror e krahnezë dëbore, pa zogj shtegtarë e pemë që drithëronin nga flladi i ngrohtë. Vinin e s’iknin ditët e netët me dhimbje shpirtërore, gjumë të trazuar, mendime mbytëse, arsye që ishin e s’ishin, shmangie për shkak të “syrit të keq”. Nuk mjaftonin asnjëherë fjalët për t’u shpjeguar ata të dy, mes tyre. Njeriu mund të gjente fjalë për të shpjeguar botën, por jo veten para atij që donte. Pastaj dhe sikur të ndodhte të marreshin vesh, prapë do të vazhdonte moskuptimi. Si rrjedha e ujit që krijonte gjithnjë myshqe. Në këtë kaos ishte pavetëdija që e sundonte vetëdijën.

Nuk…

Aq fort e kishte përpunuar kudhra e moteve këtë fjalë ndrydhëse, sa ishte shndërruar në një shkronjë të vetme…

S’…

Ndërkohë që nuk kishte asnjë shkronjë – fjalë që të thoshte “Po”-në.

Nuk ishte aspak një lodër gjuhe. Ishte ajo, strategjia, që nuk e kishte hartuar asnjë strateg, por që kishte funksionuar për mrekulli.

4

Gjithçka kishte nisur para njëzet vjetësh, kur unë dhe Elektra punonim në një studio projektimi në kryeqytet dhe padashur kishim rënë brenda. Kishte zgjatur disa kohë ajo gjendje, tërhiq e mos këput, derisa ajo kishte krijuar pak nga pak, si një rrjetë merimange: shmangien…

Kishim vite që nuk punonim më bashkë, ajo në një kompani në jug e unë në një tjetër në veriperëndim, por ajo shkreptima e parë ishte prapë si atëherë. Edhe për fillimin, ajo më fajësonte mua, se unë isha shtyrë i pari drejt saj, çka nuk do të kishte ndonjë të keqe, por e vërteta ishte se ajo më kishte “ngacmuar” e para, ndoshta dhe pa e menduar se unë do t’i vardisesha si një “çunak” që e kishte gurgacin në deje, gati për të shkrepur xixa çdo sekondë.

Asokohe po jepej një koncert në Teatrin e Operas dhe Baletit. Kishte ardhur Anna Oxa. Në fund, në holl, i thashë:

“Këtu paske qenë?”

“Po, por ti nuk i sheh të gjithë!?…”

Dmth nuk e kisha parë atë! Kështu u përkthyen këto fjalë në trurin tim.

Pastaj kishte nisur ajo historia jonë, as rozë, as gri… që kishte pasur një fillim, por që me gjasë nuk do të kishte dhe një fund. Shmangia, Elektrën e pengonte të shfaqej, por jo të ishte. Ç’rëndësi kishte nëse ishe larg apo afër, njëri i binte nga Kinostudio e tjetri nga Kombinati, gjithmonë do të kishte një çast që do të përballeshe me të papriturën tënde! Atë shmangien e pashmangshme…

Me sa duket jeta e njeriut ishte tepër e shkurtër për të shprishur fijet që end shpirti në tallazitjen e tij…

Irma u ngrit më shpejt, se i ikte autobusi për Vlorë, kurse ne të dy pasi dolëm jashtë, na përfshiu vala e karnavaleve, duke na hedhur secilit nga një maskë në fytyrë…

Çudia ime ishte se Elektra po mbante fustanin me dorë, a thua se po ia marrte era!?

Sytë më zunë regjisorin, por ai as që m’i hodhi sytë.

ObserverKult


Lexo edhe:

Ndue Dedaj: Kur gojëdhëna e tejkalon veten…