Qendra Kombëtare e Leximit përkujtoi ditën e lindjes së shkrimtares, Musine Kokalari. Bashkë me një plejadë grash të edukuara në shkollat italiane, ato i dhanë jetë lëvizjeve feministe në Shqipërinë e para-Luftës.
QKL publikoi shkrimin e Selfixhe Ciut, një ndër shkrimtaret e asaj kohe, shoqe klase e Musine Kokalarit. Ciu e quan Kokalarin edhe simbol të bukurisë dhe mençurisë së gruas shqiptare.
Musine Kokalari lindi më 10 shkurt të vitit 1917, në Adanë, të Turqisë. Në vitin 1921, familja e saj kthehet në Shqipëri dhe vendoset në Gjirokastër, ku Musineja kreu shkollën fillore.
Nëntë vjet më vonë, familja Kokalari vendoset në Tiranë. Në vitin 1937, Musineja mbaroi shkollën e mesme “Nëna Mbretëreshë” dhe më pas shkoi për studime në Universitetin e Romës, në Itali, të cilin e mbaroi shkëlqyeshëm në vitin 1941.
Ajo botoi librin e saj të parë “Seç më thotë nëna plakë” në vitin 1939. Ishte viti 1943, kur Musine Kokalari së bashku dhe me disa shokë të tjerë formuan Partinë Socialdemokrate. Një vit më vonë, me përpjekjen e saj, doli numri i parë i gazetës “Zëri i Lirisë”.
Në vitin 1944, botoi librin e saj të dytë “Rreth vatrës”, ndërsa më 12 nëntor të po këtij viti u pushkatuan vëllezërit e saj, Muntaz e Vesim Kokalari.
Katër ditë më vonë e arrestuan dhe Musinenë, të cilën e mbajtën 17 ditë në burg. Në janar të vitit 1945, u botua libri i tretë i Musine Kokalarit “Sa u tund jeta”. Më 23 janar të vitit 1946, ajo u arrestua për së dyti nga forcat e Mbrojtjes së Popullit e gjyqi e dënoi me 20 vjet heqje lirie.
Në vitin 1961, e nxjerrin nga burgu dhe e internuan në Rrëshen, ku dhe doli në pension me gjysmë page. Në vitin 1981, sëmuret nga sëmundja e kancerit, që dy vjet më pas do ta largonte përgjithmonë nga jeta.
Dhjetë vjet më vonë, pra në vitin 1993, Presidenti i Republikës i dha pas vdekjes medaljen “Martir i Demokracisë”. “Për shëndetin tim nuk i drejtohem kujt, aq më pak atij që kishte në dorë të më lehtësonte dënimin”. Kështu shkruante Musineja vetëm pak kohë para se të vdiste.
E konsideruar si kundërshtare e regjimit komunist, ajo u dënua me 20 vjet burg dhe më pas u internua për 22 të tjerë në Rrëshen, ku vdiq 13 gusht 1983, nga kanceri.
Shkrimi i plotë i Selfixhe Ciut:
Përkujtojmë sot në ditën e lindjes simbolin e bukurisë dhe mençurisë së gruas shqiptare, shkrimtaren Musine Kokalari. Vepra e saj gjithnjë e më shumë po vjen në vëmendje të kritikës së lexuesit, duke na njohur më shumë, me një ndër autoret e para të letërsisë shqipe.
Bashkë me një plejadë grash të edukuara në shkollat italiane, ato i dhanë jetë lëvizjeve feministe në Shqipërinë e para Luftës. Tepër të drojtura, gati si ditare, si rrëfime të vetvetes ishin shkrimet tona të para.
Musinea sapo e kishte marrë maturën e atë verë, verën e vitit 1937 e kaluam së bashku në shtëpinë time në plazhin e Durrësit. Unë kisha filluar të botoj më parë, krejt rastësisht e nxitur nga kushëriri im Shemsi Totozani, që i lexoi shkrimet dhe më ndihmoi t’i botoj në shtypin e kohës, në revista e gazeta me pseudonimin “Kolombja”.
Musinea ende lëkundej, jo se s’kishte guxim të botonte, apo pengohej nga njeri, jo aspak. Në familjen e saj ishin të gjithë të kulturuar dhe askush nuk e pengonte, po ishte ajo vetë që kërkonte nga vetja. Në ditarin e saj janë këto shkrime: “Shoku im”, “Ti”, etj., që janë shkruar në ditët kur Musinea mbushi njëzet vjeç.
Shkrimi “Shoku im” është për një djalosh izraelit me emrin Pattak, mbiemri s’më kujtohet. Ishte një miqësi e çiltër, dashuri platonike brenda zemrës së secilit, po që nuk e pohoi askush, asnjëherë.
Pattaku ishte një djalë me një konstrukt atleti, me ballë të gjerë dhe shumë inteligjent. Nuk e di ç’u bë më vonë. Nuk dëgjova më kurrë të flitej për të, pasi mori maturën.
Ishte koha kur ne lexonim shumë. Ajo verë e vitit 1937 ka qenë stina jonë e ëndrrave dhe e fillimit të krijimtarisë së botuar të Musinesë me pseudonimin “MUZA”. Pasi mori maturën Musinea erdhi tek ne në Durrës.
Ecnim me orë të tëra në bregdet. Shkonim në këmbë deri tek Ura e Dajlanit. Pastaj ktheheshim në dhomat tona e secila bënte gati shkrimin për në gazetën “Shtypi”.
I dërgonim në adresën e Kolë Berishës dhe mbajtëm që nga gushti deri në fillim të janarit 1938 me Petro Markon (DEMO KOTI) rubrikën “Rrymëzime”.
“Unë e dua vendin tim, edhe pse nuk jam komuniste”, vetëmbrojtja e Musinesë në gjyq
Historitë e femrave të guximshme nëpër botë mund të jenë të shumta. Një ndër to është edhe Musine Kokalari, një femër e guximshme, e cila në një sistem të vështirë politik, nuk u tremb.
E deshi jetën më të njëjtin pasion dhe luftoi për idealet e saj. Kjo grua ka patur dhe ka një ndikim mjaft të madh në rrjedhën e historisë.
Mbase nuk ia doli mbanë të fitonte betejën e saj, por ama ia doli të ndryshonte mënyrën tonë të të menduarit. Më 8 tetor të vitit 1961, pasi i kishte kaluar të dyzetat, e liruan nga burgu dhe e internuan në një qytet të zymtë në Veri të Shqipërisë, ku vazhdonte të jetonte akoma.
Shtëpia ku jetonte nëse mund të quhej e tillë, përbëhej vetëm nga një dhomë e vogël, muret e së cilës ishin të veshura nga lagështia. Prej kohësh, vuante nga një sëmundje e rëndë, kishte një gjëndër kanceroze në gji.
Por kishte vendosur ta donte jetën dhe ta vijonte luftën deri në fund, pa u dorëzuar, ashtu siç kishte bërë gjithmonë.
Kohët e fundit gjendja e saj shëndetësore po përkeqësohej. Kishte shkuar në spital në dimër dhe po dilte në pranverë. Ishte fillikat e vetme, nuk kishte askënd…Nuk bëri kompromise. Asnjëherë.
Me askënd. Gjatë gjyqit, në ato pak çaste që iu dha mundësia për të folur, tha: “Unë s’jam fajtore. Unë s’jam fashiste. Nuk kam nevojë që të jem komuniste për ta dashur vendin tim!
Unë e dua vendin tim, edhe pse nuk jam komuniste. Kam kulturë demokratike. Unë jam nxënëse e të ndriturit Sami Frashëri. Ju fituat në zgjedhje, por në burg nuk duhet të jem… Unë mendoj ndryshe nga ju, por unë e dua vendin tim. Ju po më dënoni për idetë e mia.
Unë nuk kërkoj falje, sepse nuk kam bërë asnjë faj! Me mua ju doni të dënoni Rilindjen…”. Me këtë vetëmbrojtje dhe me qëndrimin e saj ajo i tha jo komunizmit. I tha jo dhunës, mungesës së lirisë dhe padrejtësive. Dhe vijoi t’i thoshte jo gjatë gjithë jetës së saj. Dhe tani që ishte në shtratin e vdekjes.
Nga dënimi me vdekje tek internimi, kush ishte mikesha e afërt e Musinesë
Selfixhe Ciu Broja është gruaja e parë shqiptare, e cila botoi literaturë në Shqipëri. Mikeshë e ngushtë me Musinen, dy vajzat nuk ndanë mes tyre veç vargjet për dashurinë dhe burrat, por dhe përpjekjet për emancipimin e çlirimin e vendit. Selfixhe Ciu lindi në vitin 1918 në një familje të pasur gjirokastrite.
Fëmijërinë e kaloi në Gjirokastër, ku përfundoi shkollën e vajzave “Urani Rumbo”. Etja për dije dhe leximet e shumta, njohja dhe miqësia me Musine Kokalarin në librarinë e së cilës, u njoh edhe me shkrimtarët e gazetarët e kohës, Nonda Bulka, Petro Marko, Kolë Berisha që po sillnin një erë përparimtare në vendin e tyre.
Selfixhe Ciu studioi në vitin 1937 në fillim në Firence për letërsi dhe pas Firences pas kësaj shkoi në Grenobël të Francës, ku u njoh me Xhemal Brojën, bashkëshortin e saj.
Të formuar me idealizmin europian ata erdhën në Shqipërinë e ’40-ës për të ndarë bashkë fatin e vendit të tyre në luftë e pasluftë. Selfixheja me pseudonimin Columbia shkroi në shtypin e kohës, pseudonim me të cilin ishte pagëzuar kur shkruante poezitë e para në moshën 17 vjeçare.
Jo vetëm shkrimet si gazetare, por edhe poezitë e Selfixhe Ciut shquajnë një grua me shpirt të trazuar, plot dilema dhe ëndrra që Shqipëria të lulëzonte e përparonte.
Poezitë dhe shkrimet e saj plot revoltë dhe shpresë i referoheshin gjendjes së nënshtruar e gruas shqiptare. Selfixheja ishte e para që hodhi idenë e guximshëm të divorcit të gruas nëse nëpërkëmbej, zhgënjehej ose keqtrajtohej. “Unë u ndërgjegjësova, se të jeshë femër nuk është fatkeqësi, dhe kjo frymë duhet shpërndarë edhe në familje, jo vetëm në shoqëri..”. Bashkë me burrin e saj Xhemal Brojën hapën një dyqan me libra në Shkodër.
Broja u bashkua me Partinë Komuniste të Shqipërisë së bashku me Drita Kosturin dhe Nexhmije Hoxhën, ishte një nga organizatorët e një demonstrimit të paligjshme dhe për shkak kësaj u arrestua dhe u dënua me vdekje, por më vonë u lirua.
Në demonstratën e shkurtit 1942, ku pati përleshje me fashistët italianë, Xhemalin e akuzuan si organizator dhe e kaluan në ilegalitet në Postrribë, ndërsa të shoqen e arrestuan.
Gjatë kohës së Luftës u ndesh me shumë ngjarje, pikëpamje e praktika, me të cilat nuk ishte dakord. Hera-herë edhe i kundërshtoi. Hera-herë heshte, me mendimin se është kohë lufte!
Filloi survejimi i tmerrshëm. Xhemali me të shoqen u vetizoluan. Megjithatë fati i tyre ishte paracaktuar nga zyrat e krimit. Në janar të vitit 1947, pa asnjë sqarim, i internojnë në Kurvelesh, në një ferr të vërtetë. Pas prishjes me Jugosllavinë ju hoq masa e internimit dhe emërtimi “Armiq të partisë” Xhemalit dhe Selfixhesë.
Krijimtaria
Njohja e saj me letërsinë kishte nisur që gjatë kohës së shkollës së vajzave “Urani Rumbos”, në Gjirokastër, duke grishur tek ajo dëshirën për të parë përtej.
Firencja e asaj periudhe do ta shtonte më shumë pasionin për shkrimin te vajza që kishte nisur të shkruante që në moshën 17-vjeçare, duke zgjedhur një pseudonim interesant, Colombia.
Poezinë e parë e botoi në revistën “Populli”, 28 nëntor 1935. Ky shkrim do të ndiqej nga shumë të tjerë të botuar në revistat “Bota e re”, “Diana”, “Java”, “Drita”, “Shtypi”.
Shkrimet e një gruaje nuk ishin diçka e zakonshme në Shqipërinë e atyre viteve, por ngjalli dhe shpresë tek letrarët e rinj. Vetë Selfixheja do të shkruante në kujtimet e saj: “shkruanim tepër të ndrojtura”, duke i quajtur skicat e para gati “si ditarë të rrëfimit të vetvetes”, po që ishin pasqyrë e shpirtit të saj të trazuar. Shumë shpejt Colombia filloi të njihej në rrethet letrare dhe shkrimet e saj do të ndiqeshin me kureshtje.
Aq sa në shtator të vitit 1937, publicisti F. Llagami në revistën “Java”, në rubrikën “Nga romani ‘Pse’ në ‘Sikur të isha djalë’, deri te ‘Colombia’”, jo vetëm pranon qenien dhe talentin e saj si shkrimtare, por vlerëson dhe rolin e saj në letërsi.
Shkrimet e Selfixhesë nuk janë vetëm të ndjera, por dhe një shuplakë ndaj realitetit që e rrethonte.
“Kombi ynë ka shumë mungesa, prandaj vajzat intelektuale nuk lypset të rrinë kaq indiferente, por të marrin pjesë në evolucionin e shpejtë të kombit tonë”, shkruan ajo.
Në revistën “Bota e re” zëri i saj do të ngrihet në mbrojtje të lirisë së gruas. Në shkrimin e parë botuar në këtë revistë më 16 shtator 1936, ajo e sheh gruan si një krijesë të shtypur, “viktimë e përbuzjes dhe e shtypjes superiore të burrit”.
Duke përfaqësuar të rejat më të përparuara të kohës, kishte besim se me luftë do të fitojnë të drejtat e mohuara “krah për krah me të rinjtë dinamikë”, të çliruar një varg të pambaruar të burgosurash që presin lirinë e dëshiruar”.
Mikeshë e ngushtë me Musine Kokalarin, dy vajzat nuk ndanë mes tyre veç vargjet për dashurinë dhe burrat, por dhe përpjekjet për emancipimin e çlirimin e vendit.
Në kujtimet e saj ajo tregon se sa herë ndaheshin nga njëra-tjetra uleshin dhe shkruanin, për t’i dërguar më pas shkrimet në gazetën “Shtypi”. Jeta e Selfixhesë nuk do të ishte ajo për të cilën kishte kontribuar pas Luftës.
Bashkë me familjen, ajo ishte internuar, por kjo nuk mundi të shuante atë shpirtin e ndjerë të gruas që ka të njëjtin vështrim përtej fotove sot. Libri i parë i saj ishte një përmbledhje me poezi për fëmijë “Lule më lule” (1958).
Ndërsa pas viteve ’90, ajo ulet e shkruan kujtimet, që sot janë një dëshmi e bukur e një jete jo të zakontë. Në të gjejmë jo vetëm lëvizjet e feminizmit në Shqipëri, por dhe fillesat e prozës femërore, dhe një anë tjetër të Luftës Nacional Çlirimtare, përmes njerëzve që e besuan atë. Selfixhe Ciu Broja në vitin 1998 botoi poezi në një libër dhe e quajti “Tallazet e jetës”. Ajo vdiq në moshën 85-vjeçare në vitin 2003 në Tiranë.
Akuzat, pse u internuan çifti Selfixhe dhe Xhemal Broja
Në një natë të zezë, trokasin në derën e bashkëshortëve Selfixhe Ciu e Xhemal Broja. Juristi Broja që merrej me dramaturgji dhe poetja e gazetarja e njohur, nuk mund t’u besonin syve e veshëve për atë që po ndodhte atë natë. Ishte fillimi i viteve ’60.
Policia e Sigurimit të Shtetit hyn me forcë në derë. “Jeni të internuar”. “Pse”, pyesin ata. “Atë e dimë ne”…
Ndoshta gazetarja Ciu e shkolluar në Itali dhe në Francë, u kujtua në atë çast se para disa kohësh kishte akuzuar “Partinë Komuniste që nuk po respektonte të drejtat minimale të njeriut”.
Ja si e tregon Merita Broja natën e frikshme: “Internimi i parë ka qenë në vitin 1947, në Kuç të Vlorës. Kurse internimi i dytë ka qenë më vonë, në vitin 1966, në fshatin Gradishtë, në rrethin e Lushnjës.
Ka qenë një natë e tmerrshme. Nuk dinim asgjë. Ndodhi rreth orës 4.00 të mëngjesit, pak para vitit të ri. Atë natë kishim diskutuar se ku do ta festonim vitin e ri.
Dhe të mendosh që bie dera, sheh plot oficerë sigurimi, i plotfuqishmi i lagjes, që të thonë: “Mblidhni plaçkat, gjërat më të domosdoshme sepse jeni të internuar”. “Pse?”. “Atë e dimë ne”. Kjo ka qenë përgjigjja.
Thanë që “vajza nuk është e përfshirë në internim, nëse keni njeri ku ta lini, lëreni, nëse s’keni merreni me vete”. Pas dy-tre ditësh e morëm vesh dhe asnjëherë nuk iu dha një arsye përse shkuan në internim. Mbaruan pesëvjeçarin e parë, u erdhi një pesëvjeçar u dytë.
Pastaj duket se dikush i thirri mendjes dhe e hoqën masën e internimit. U kthyen këtu. Kurse për të atin ajo ka treguar vite më parë: “Babai im Xhemal Broja ka qenë jurist, por gjithmonë është marrë me artin.
Ka qenë dramaturg, ka shkruar disa drama historike dhe shoqërore. Dhe një nga akuzat ishte pikërisht kjo që kurrë nuk kishte shkruar për partinë. Ka qenë për një periudhë rreth 5-6 vjet drejtor i Teatrit Popullor.
Ajo ka qenë një periudhë me të vërtet e ndritur, jo sepse e them unë, por e thoshte e gjithë ajo plejadë artistësh e aktorësh e asaj kohe. Në ato vite u vunë në skenë dramat klasike si Makbethi, Otello etj.
Pastaj, mbasi e hoqën në vitin 1966 si drejtor, pas disa muajsh e internuan. Babai vdiq më herët, në vitin 1986. Nuk arriti t’i shikonte ndryshimet”./ panorama.com
ObserverKult
Lexo edhe:
SYLVIA PLATH: KËNGË DASHURIE E VAJZËS SË ÇMENDUR
I mbyll sytë dhe vdes e gjitha bota që ishte deri dje;
I hap qepallat dhe gjithçka lind sërish.
(Mendoj se krijim i fantazisë sime je.)
Yjet në blu e të kuqe një vals nisin atje.
Errësira arbitrare hyn duke galopuar:
I mbyll sytë dhe vdes e gjitha bota që ishte deri dje;
Ëndërrova sikur në shtrat më shitove pa fre,
më magjepse me dashuri, më puthe deri në çmenduri
(Mendoj se krijim i fantazisë sime je.)
Zoti nga qielli zbret, zjarret e ferrit shuhen, a s’e sheh:
Jashtë Serafinë dhe njërëz të Satanait kudo:
I mbyll sytë dhe vdes e gjitha bota që ishte deri dje;
Shpresova se do të ktheheshe, pasi një premtim ma dhe.
Por unë po plakem dhe emrin tënd po e harroj
(Mendoj se krijim i fantazisë sime je.)
Më mirë sikur një zog stuhie ta dashuroja, sepse,
të paktën, kur pranvera vjen ata kthehen përsëri.
Poezinë e plotë mund ta lexoni KËTU:
PARA SE TË VDISTE, ARDIAN KLOSI: SHPËTOMË, O ZOT, AMAN NGA SHQIPTARËT!
Ju ftojmë të lexoni poezinë “Shpëtomë, o Zot, aman nga shqiptarët!” të autorit, Adrian Klosi!
I shoh të munduar me kryet në hi
Luftojnë të jetojnë s’jetojnë dot pa luftë
Rrëzohen dhe ngrihen dërrmohen prapë çohen
Batakut i ikin të venë në batak
Po gjakun s’e prishin se prapë do luftojnë
Me thonj e me dhëmbë të kapen pas jetës
Me kryet në hi ta gjejnë një copë bukë
Dhe qeshen e qeshen
Mes baltës ngërdheshen
Shpëtomë, o Zot, aman nga shqiptarët.
Poezinë e plotë mund ta lexoni KËTU:
ObserverKult