Këshilli Koordinues i Asociacioneve Familjare të të Zhdukurve të Kosovës nëpërmjet një shkrese drejtuar Bashkisë së Korçës, ka kërkuar që të anulojë pjesëmarrjen e Goran Bregovic në Festivalin e Birrës.
Kryetari i këtij këshilli, Ahmet Grajçevci në këtë shkresë thekson se nëse Bashkia e Korçës nuk mund të bashkohet në kauzën për të ditur të vërteten për fatin dhe vendodhjen e 1632 të zhdukur, të paktën të respektohet dhimbja e familjarëve.
“Jemi kategoria më e goditur nga lufta e fundit si pasojë e krimeve dhe gjenocidit që Serbia ka kryer në Kosovë gjatë viteve të nëntëdhjeta. Edhe sot 22 vite pas lufte, ne dhe gjithë Kosovës na mungojnë edhe 1632 familjarë, na mungojnë më të dashurit tanë. E kaluara jonë ndonëse nuk është e largët, ajo vazhdon të jetë shumë e rëndë për ne. E dimë që arti është përtej kuftijve por, e tillë duhet të jetë edhe dhimbja jonë dhe nëse ju nuk mund t’i bashkangjiteni kauzës sonë për të ditur të vërtetën për fatin dhe vendndodhjen e më të dashurve tanë si një e drejtë elementare, të paktën respektoni dhimbjen tonë. Mos na lëndoni më shumë duke lejuar pjesëmarrjen e Goran Bregovicit ose të ndonjë artisti tjetër serb, që për këto 22 vite bënë përpjekje të vazhdueshme të mohojnë krimet gjenocidiale”, thuhet ndër të tjera në komunikatë.