Shoqatë ndërkulturore për nder të ikonës arbëreshe, Zef Kakoca

Miqtë e kantautorit arbëresh Zef Kakoca, që u nda nga jeta në shkurt të këtij vitit për shkak të COVID-19, kanë themeluar “Shoqatën Ndërkulturore Ndërkombëtare Zef Kakoca”.

Lajmin e bën të ditur studiuesi Italo Elmo, i cili gjithashtu shkruan për procedurat e fundit të realizimit të dokumenteve të shoqatës. Pjesë e kësaj shoqate do të jetë organigrama “Amici di Zef” (Miqtë e Zefit), që do të ruajë dhe promovojë përmbajtjet kulturore, artistike dhe didaktive të nisura prej vitesh nga poeti dhe kompozitori Kakoza.

Për mbrojtjen dhe zhvillimin e trashëgimisë artistike, muzikore, gjuhësore, dhe didaktike të Kakocës, është parashikuar që brenda shoqatës të krijohen sektorë të veçantë sipas kategorive të nismave që synohet të çohen përpara, transmeton ‘diasporashqiptare.al’.

Ngjarja “Nata e Oskarëve në Arbëri”, Koncerti i Artistëve dhe Grupeve të Folklorit të ndryshëm në kujtim të Zef Kakocës, do të kurohet nga artistët e pranishëm në Shoqatë; Çmimi kombëtar për poezinë në arbërisht “Zef Kakoca”; “Jemi një kulturë çë ngë mënd vdes” do të kurohet nga mësuesit e pranishëm në shoqatë, ndërsa ngjarja ndërkombëtare “Pisepiselle” (Festivali i këngëtarëve të vegjël arbëreshë), u është besuar për drejtim personave dhe grupeve folklorike të pranishme në shoqatë. Sektorët tjerë do të shtrijnë aktivitetet në fusha si etnomuzikologjia, riti fetar, gjuha arbëreshe, trashëgimia kulturore e prekshme dhe e paprekshme e traditës arbëreshe, si dhe sektori i promovimit të turizmit, medias dhe marrëdhënieve kombëtare dhe ndërkombëtare.

LEXO EDHE: Vdiq Zef Kakoca, ikona e muzikës arbëreshe