Koha në karantinë po del të jetë mjaft kreative për kantautorin Shpat Deda. Qysh në fillim, kur Qeveria e Kosovës mori masat e para për parandalimin e përhapjes së virusit COVID19, ai doli me një këngë në rrjetet sociale. “Më ka marrë malli me të përqaf” ishte një pjesë e këngës që brenda vetes fshihte edhe këshilla se si të mbrohemi nga virusi, të tilla si “ngjite maskën kur më fol”.
E pasi që ka bërë më shumë se 30 ditë në shtëpinë e tij, të enjten pasdite, Deda u është bashkuar agjencive të OKBsë në Kosovë dhe Ministrisë së Kulturës në thirrjen e tyre kundër lajmeve të rreme dhe gjuhës së urrejtjes. Me të dalë me kitarën akustike para kamerës, Shpat Deda ka thënë se koncerti i tij njëkohësisht bart edhe mesazhin që njerëzit të qëndrojnë në shtëpitë e tyre.
“Arsyeja përse jemi mbledhur virtualisht është që të luftojmë gjuhën e urrejtjes, lajmet e rrejshme, sidomos në raport me virusin COVID-19, për shkak se koha është që të kemi kujdes dhe jo të krijojmë panik. Ky është një aktivitet i organizuar nga ekipi i agjencive të OKB-së në Kosovë dhe nga Ministria e Kulturës”, ka thënë ai dhe më pas ka sjellë disa nga hitet e tij, si “E du” e “Molla e parë”, shkruan Koha.
Repertori i tij përfshinte edhe këngë të tjera të njohura shqipe si “E dehun jam” nga Nexhmije Pagarusha dhe hitet “Lamtumirë”, e “A thua” nga Muharrem Qena. Nga oborri i shtëpisë së tij, Deda solli edhe këngën e tij të parë “Ëndërroj”.
“Kjo është kënga e parë me të cilën ia ka filluar kjo ëndrra ime e që ka qëlluar shumë e bukur, që ma ka pasuruar jetën edhe më shumë. Gjithçka nisi nga kjo këngë”, ka thënë ai për të vazhduar me hitet “Më fal” e “Përgjithmonë”.
Shpati ka thënë se gjatë kësaj pandemie Kosova ka humbur disa artistë. Kujtoi se disa orë para koncertit ka marrë lajmin për vdekjen e këngëtares e gazetares Violeta Rexhepagiqi. Ky lajm, Deda ka thënë se e ka mërzitur dhe për ta nderuar artisten që bëri revolucion në vitet ‘80 në Kosovë ka kënduar këngën e saj “Nuk të harroj”, shoqëruar nga Fatos Dërguti, bas-kitaristi i grupit të njohur “The Bloody Foreigners” që vepron në Londër.
“Ka lënë gjurmë të pashlyeshme e ka thyer disa barriera e disa kufij me punën e në mënyrën se si e ka paraqitur artin e vet dhe ka hapur rrugë edhe për artistët tjerë. Njëkohësisht ka qenë edhe gazetare shumë e zonja”, ka thënë ai për Rexhepagiqin, e cila vdiq të enjten në moshën 55-vjeçare.
Gjatë koncertit virtual, Deda solli edhe këngë në gjuhën angleze përfshirë hitin “Back to Black” të kantautores angleze Amy Winehouse. E pas koncertit, ministrja në detyrë Kulturës, Vlora Dumoshi, përmes një mesazhi të postuar në lidhje me këtë ngjarje, ka ftuar njerëzit që ta denoncojnë gjuhën e urrejtjes në mediat sociale dhe ta mënjanojnë atë nga diskursi publik.