“Shpërthen” aktori i njohur shqiptar: Do iki nga ky vend ku personazh cilësohet idioti dhe vlerësohet Tik Tok-u

Aktor, prezantues, humorist dhe dublues shqiptar. Ervin Bejleri prej më shumë se një dekadë është pjesë e ekranit. Ervini filloi t’i jepte formë pasionit të tij që në gjimnaz dhe që atëherë është mes ekranit dhe teatrit.

I ftuar në “Vizioni i Pasdites”, me moderatoren Brikena Prifti, aktori ka rrëfyer, kohë më parë, hapat e parë të karrierës dhe se si ka ndryshuar gjatë viteve.

“E ndiej që zhvillohem dita-ditës. Unë e konsideroj punën pikën më të fortë. Disiplina është pjesë e punës, por nganjëherë edhe e anashkalojmë pak disiplinën. Nuk e lë pas dore punën, përveç talentit që mund të kesh. Një aktor i beson talentit të tij, por varet sa kënaqet me talentin e tij. E rëndësishme është të shikosh lart dhe duhet të punosh shumë. Të vazhdosh të kërkosh gjithnjë e më shumë te vetja dhe mos kënaqesh kurrë, kjo ëshë punë”, tha ai.

Bejleri tregon se ka qenë i turpshëm në gjimnaz. Por pavarësisht kësaj u ngjit në skenë dhe mori duartrokitjet e para nga publiku.

“Në vitet ’93 kur kam bërë unë gjimnazin bëheshin këto festivalet e teatrove për gjimnazistë. Ka ardhur aktorja e ndjerë Besa Imami e cila vendosi një pjesë teatrale ‘Vajza dhe vdekja’. E dramatizoi, ishte një poezi. Unë do luaja mbretin e keq. Aty për herë të parë mora duartrokitjet e një publiku që nuk ishin miqtë e mi dhe nuk më njihnin”, shtoi Bejleri.

Ndërsa rrugëtimin e cilëson të vështirë, sidomos në Shqipëri ku thotë se meritokracia ka vdekur.

“Unë e konsideroj veten me fat që kam pasur punë. Por është e vështirë, sepse teatri ose arti i kinematografisë, arti dramatik nuk të krijojnë lehtësinë të jetosh një jetë normale financiarisht. Je i detyruar të kalosh në TV, i cili të bën më të njohur, të paguan më shumë, por ndjesinë shpirtërore që të jep teatri, fatkeqësisht nuk ta jep. Jo vetëm unë, por shumica e kolegëve të mi përfundojnë në televizion”, thotë Bejleri.

Më tej aktori rrëfen se ka menduar që të largohet nga Shqipëria për shkak se jetesa me këtë profesion është e vështirë në vendin tonë.

“Kam menduar dhe mendoj të iki sepse e shoh një formë të pashpresë të jetuarit mirë me këtë profesion në Shqipëri. Në një vend si Shqipëria ku vlerësohet Tik Toku, Reels-at, idiotizmi momental i disa personazheve që dalin dhe kanë pas vetes po disa idiotë të tjerë. Fatkeqësia është që shumë TV i shkojnë prapë kësaj turme, ndërkohë që misioni i tyre është t’i edukojnë. Morali çon përpara shoqërinë, familjen”, tha ai./VizionPlus

ObserverKult


Lexo edhe:

FILARMONIA E KOSOVËS ME KONCERT MADHËSHTOR ME RASTIN E 16-VJETORIT TË PAVARËSISË SË KOSOVËS

Kori dhe Orkestra e Filharmonisë së Kosovës, nën drejtimin e dirigjentit Baki Jashari me pjesëmarrjen e solistëve Krenare Gashi  – soprano, Arta Jashari – soprano dhe Anton Çivlaku – lahutë kanë nisur përgatitjet për koncertin madhështor i cili do të mbahet më 17 shkurt me rastin e shënimit të 16-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.

Kështu është bërë me dije nëpërmjet një njoftimi nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) në rrjetet sociale.

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult