“Shpërthimi” i Enver Hoxhës në Plenumin IV: Fadili e Todi janë plehra…

Dënimi i Fadil Paçramit dhe Todi Lubonjës, finalizuar në Plenumin IV të Komitetit Qendror, ka qenë ngjarja më e bujshme e vitit 1973.

Përtej asaj që është bërë publike në kohë, ditari i Kapos zbulon kronologjinë e fushatës së fshehtë projektuar drejtpërdrejt nga Enver Hoxha për goditjen e radhës, njohur ndryshe si goditja në kulturë. Plenumi i qershorit për Sekretarin e KQ-së e ka pasur zanafillën në fjalimin e Hoxhës në Presidiumin e Kuvendit Popullor më 9 janar të vitit ’73, ku goditi ashpër Festivalin e 11-të të Këngës në RTSH.

Kapo shkruan se kreu i partisë e ka qartësuar më mirë projeksionin mbi këtë çështje në plenumin e 3 shkurtit ’73, i cili ishte paralajmëruar për probleme ekonomike, por që Hoxha e devijoi tërësisht për shqetësime të rëndësishme në fushën e kulturës dheka njollosur figurën morale të komunistit” artit.

Kur shumëkush nga të pranishmit priste mendimin e tij për shkurtimin e veprave të pesëvjeçarit, kushtëzuar nga bllokada e pashpallur e Kinës, siç ishte rendi i ditës, shënon Kapo në ditar, ai tronditi sallën për rrezikun që kërcënonte partinë dhe vendin nga “retë e zeza”, që ishin grumbulluar dhe shfaqeshin rrotull disa institucioneve si Radio Televizioni Shqiptar, Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve e sektorë të tjerë të kulturës dhe edukimit të rinisë.

Sidoqoftë, deri këtu nuk bëhej fjalë për një grup antiparti, por për shfaqje liberale që kryesisht ishin demonstruar në Festivalin e 11-të të Këngës në RTSH. Ajo që do ta konturonte më të plotë objektivin e Hoxhës ishte fjala e tij në mbledhjen e aparatit të KQ të 15 marsit, tre muaj para Plenumit IV të KQ së Partisë.

Fjalimi bombastik “Si ta kuptojmë dhe luftojmë me sukses rrethimin e egër imperialisto-revizionist mbi vendin tonë”, i quajtur ndryshe “Hiroshima” politike mbi rininë dhe inteligjencën, veniti çdo shpresë për një frymë liberale dhe orientim më të moderuar të regjimit socialist. Në ditarin e Kapos dallon përpjekja për të bërë sa më bindës alarmin e shefit të Partisë se Shqipëria vërtet përjetonte rrethimin e egër imperialisto-revizionist dhe kërcënohej nga një rrezik potencial, që këtë radhë nuk vinte nga kufiri, as nga kundërshtarët tradicionalë, por nga një lëvizje e brendshme e inspiruar nga agjentura perëndimore borgjezo-revizioniste.

Shënimet e ish-numrit dy të partisë rreth këtij argumenti konfirmojnë se nga janari deri në qershor kur u zhvillua Plenumi i 4-t i KQ-së, ka vijuar një fushatë e jashtëzakonshme me reagime ndaj asaj çfarë kishte ndodhur, liberalizimit të papranueshëm në arte dhe letërsi, e cila do të përmbyllej me dënimin e të gjithë “modernistëve” dhe kryqëzimin e krerëve të lartë, që kishin drejtuar sektorët e edukimit dhe propagandës. Sakaq, ndër preokupimet e zëvendësit të Enverit në këtë periudhë, siç dokumentohet në ditar, ka qenë angazhimi në debatet me Beqir Ballukun, asokohe ministër i Mbrojtjes, i cili përveç “kusureve” të njohura, këtë radhë kishte guxuar që bashkë me gruan e vet të merrte valutën në financën e Ministrisë së Mbrojtjes, e cila drejtohej prej tij.

Pjesë nga ditari sekret:

9 mars 1973

Thirra Agim Meron(në atë kohë rektor i Universitetit të Tiranës-shënim i red.) dhe Karamanin(Yllin). Bisedova për disa çështje të universitetit, që sipas mendimit tim duhet të shikohen më mirë si nga rektori, ashtu dhe nga ministria. Në universitet ka liberalizëm, shthurje, hatëre, karrierizëm, arrivizëm, servilizëm, mungesë disipline dhe përgjegjësie, që vijnë si nga dobësitë e rektoratit e ministrisë, ashtu edhe nga puna e dobët që bëjnë organet dhe organizatat e partisë. Duhet ndjekur me vëmendje dhe duhet analizuar thellë puna e universitetit.

15 mars 1973

Në orën 10 u bë mbledhja e komunistëve të aparatit të KQ. Në orën 12 e 30 erdhi shoku Enver. Ai mbajti një fjalim shumë të rëndësishëm, ku u goditën shfaqjet e liberalizmit dhe u demaskua armiku i Partisë, Fadil Paçrami. Mbledhja u mbyll më 14 e 30.

16 mars 1973

Bëra mbledhje me Karamanin, Thoma Delianën, Agim Meron, Shpresa Kenon dhe Deko Rusin. U fola për gabime që janë bërë nga universiteti dhe Ministria e Arsimit në lidhje me kuadrin, ku është shkelur vija e Partisë. I porosita të marrin masa, të ndreqin sa më parë gabimet.

17 mars 1973

Prita Fadil Paçramin sipas kërkesës së tij. E dëgjova. Dukej se reflektonte shumë cekët në lidhje me kritikën që i bëri shoku Enver. I fola të thellohet. Ai ka faje të rënda ndaj Partisë. E porosita të përgatitet e të bëjë autokritikë, ndryshe do t’i ketë punët keq. Kam përshtypjen se Fadili ka vepruar me ndërgjegje kundër vijës së Partisë.

19 mars 1973

Sadik Bocaj më raportoi për mbledhjen e Byrosë së Partisë së Radio Televizionit. Todi Lubonja (ish-drejtor i RTSH) nuk bëri autokritikë, megjithëse ishte kritikuar rëndë nga të gjithë shokët. Shkova dhe informova shokun Enver për takimin me Fadil Paçramin dhe mbledhjen e Byrosë së Radiotelevizionit. I shfaqa mendimet e mia për këta dy njerëz se nuk janë në rregull me Partinë. Shoku Enver më dha udhëzim të punohet në Parti e në popull fjala e tij e 15 marsit.

24 mars 1973

Mora pjesë në mbledhjen e Plenumit të Komitetit të Partisë së Tiranës. U diskutua për fjalimin e 15 marsit të shokut Enver. Diskutimet në përgjithësi ishin të mira. Megjithëse duhej thelluar më mirë, sidomos në shkaqet dhe pse shumë shokë të Plenumit kanë mbajtur në kokë shumë gjëra të këqija që ia kanë parë dhe nuk i kanë thënë në sy as Fadil Paçramit dhe as Partisë. Fadil Paçrami nuk tha gjë: i bëmë shumë pyetje. Plenumi vazhdoi deri në orën 18:00. Në fund bëra konkluzionet. Natyrisht, dënova Fadilin. Vura në dukje se mjaft shokë nuk u thelluan sa duhet dhe ajo që më bëri përshtypje ishte fakti që në Plenum ka munguar kritika nga poshtë-lart. Për shembull, tani që foli shoku Enver për Fadil Paçramin, ngrihen të tjerët e flasin plot fakte e gjëra të këqija për të. Ku kanë qenë këta shokë? Mbi punimet e Plenumit i raportova shokut Enver.

30 mars 1973

Më raportuan për çështjet që kanë dalë në mbledhjen e Organizatës së Partisë, ku bën pjesë Beqir Balluku. Ai dhe gruaja e tij kanë tërhequr padrejtësisht fonde nga arka e Ministrisë së Mbrojtjes. Njoftova shokun Enver. Më dha porosi si të veproja. Thirra Beqirin. I fola për këto veprime të gabuara të tij dhe të gruas së tij. E udhëzova të bëjë autokritikë të thellë. Beqiri ka kohë që nuk është në rregull…

2 prill 1973

Shoku Enver më informoi për kritikat e rrepta që i kishte bërë Beqir Ballukut, që njollosin figurën morale të komunistit e sidomos të kuadrit udhëheqës. Biseduam me shokun Enver për ca probleme në Ushtri.

***

10 prill 1973

U takova me shokun Enver dhe folëm për rrezikun e liberalizmit dhe të liberalëve. Bëmë mbledhjen e Sekretariatit për rrezikun e liberalizmit.

14 prill 1973

Vazhdojnë diskutimet në konferencën e Partisë së Universitetit. Në përgjithësi, mirë. Agim Mero u mundua të bëjë autokritikë, por jo të plotë, duhet të thellohet akoma. Për Todi Lubonjën nuk foli ato që di. Disa pedagogë janë dhaskal, por jo punëtorë partie. Kritika duhet të jetë më e fortë, më e hapur. Në fund fola edhe unë. Ka oportunizëm, karrierizëm, liberalizëm e intelektualizëm.

26 prill 1973

Kinezët po i hapin dyert. Kanë lejuar më në fund edhe martesat e kinezëve me të huajt, duke kaluar nga njëri ekstrem në tjetrin.

30 qershor 1973

Thirra Agim Meron, bisedova mbi disa mendime që i kishte shfaqur Vitos. Nuk më pëlqeu qëndrimi i tij. Si duket, nuk do t’i thotë Partisë haptazi gabimet e tij të rënda dhe influencimin që kanë ushtruar mbi të Todi Lubonja e të tjerë.

12 korrik 1973

Në orën 18, bashkë me Ramizin shkuam tek shoku Enver në Durrës. Biseduam. Na dha mjaft udhëzime të rëndësishme për zbërthimin e vendimeve të Plenumit të IV të KQ.

12 gusht 1973

Bashkë me Haxhiun (Lleshin-shënim i red.) shkuam në festën e Brigadës së Parë. U bë parakalimi dhe mitingu me rastin e 30-vjetorit të krijimit. Foli Haxhiu.

1 shtator 1973

Të gjithë shokët janë kthyer nga pushimet, kanë filluar punë. Shoku Enver erdhi, u takuam, biseduam mbi Kongresin e 10 të Partisë Kineze. Dha udhëzime si duhen kuptuar vendimet e tij.

11 shtator 1973

Në Kili u bë grusht shteti. Aliende u vra. Fashistët morën fuqinë në dorë. Ja ku të çon politika e “revolucionit paqësor” e revizionistëve sovjetikë. Pompidu u nis për në Pekin. Të shohim çfarë do bëjnë kinezët me Francën.

22 shtator 1973

Sot u nisa për në Burrel për të marrë pjesë në stërvitjen “Kaptina”. Shkuam në Komandën e Korpusit. Komandanti më raportoi për situatën. Beqiri nuk më priti. Ai ka shkuar në drejtim të Selishtës.

24 shtator 1973

Me Adilin vizituam Brigadën e Krujës. U takuam me ushtarët, i përshëndetëm. Shkuam në Komandën e Korpusit. U takuam me pjesëtarët e batalionit të Dibrës dhe ata të shkollës Frashëri. Vizituam fortifikimet. Në drekë u kthyem në shtab. Midis Beqirit dhe Petritit ndodhi një grindje pa vend. Shkaktari dukej qartë, ishte Beqiri. I qetësuam, por Adilit dhe mua nuk na la përshtypje të mirë qëndrimi i tyre. Në darkë u kthyem në Tiranë.

Shpërthimi i Enverit në Plenum: Fadili e Todi janë plehra

Fadil Paçrami e Todi Lubonja janë elementë antiparti. Këta plehra revizionistë na dalin të predikojnë që të kaluarën ta braktisim, themelet duhet t’i hedhim në erë, pse ajo na qenka anakronike, është konservatore, nuk e do rinia. “S’duhet më të shkruajmë e të krijojmë vepra që të entuziazmojnë, duhet flakur tej çdo gjë që ngjall emocione ose ndjenja patriotike”.

“Modernia nuk i duron këto”, thonë këta plehra. Fadil Paçrami, në të ashtuquajturën autokritikë thotë: “Të ndalemi ca në çështjen e vitit ’60 e tëhu” dhe kërkon të na shpjegojë se si “ky revolucionar i madh” mori pjesë “me të madhe” në luftën e revolucionarizimit dhe veçanërisht të literaturës dhe të arteve. Kjo i përngjet përrallës së mizës dhe të buajve, që tërhiqnin qerren e ngarkuar plot në një rrugë të përpjetë. Ngritja e çdo gjëje në një nivel më të lartë, po ashtu edhe në literaturë dhe në arte, janë vepra të Partisë dhe të punonjësve dhe jo të atyre që bëjnë zhurmë si miza, që pickojnë dhe sabotojnë.

Në çdo periudhë të jetës sonë ka pasur ngritje, ka pasur përparim, ka pasur progres. Kjo është karakteristika revolucionare e gjithë zhvillimit tonë. Të moshuarit revolucionarë dhe krijues janë të lumtur dhe ky është objektivi i tyre i jetës, t’u shërbejnë me të gjitha forcat atdheut dhe popullit dhe të ndihmojnë, të nxisin dhe të inkurajojnë brezin e ri që të afirmohet, të krijojë, të marrë stafetën, të vazhdojë traditën revolucionare më me shkëlqim. Përse vallë Fadil Paçrami po përpiqet të na shpjegojë në periudhën e pasviteve ’60 që për ne e për të gjithë është e qartë?

Apo pse pas vitit ’60 ai filloi të shkruajë “dramat e tij të famshme”? Gjepura! Dihet historikisht se viti 1960 ishte fillimi i luftës së hapur frontale heroike të Partisë sonë kundër revizionizmit modern sovjetik dhe botëror, ishte lufta për jetë a për vdekje e Partisë kundër bllokadës revizionisto-kapitaliste. Këtu fillon edhe starti i Fadil Paçramit dhe Todi Lubonjës, por jo në rrugën revolucionare të Partisë, por në rrugën kundërrevolucionare, antiparti, revizioniste.

Faktet këtë tregojnë. Ata më kot duan të humbasin gjurmët e dhive të zgjebosura në këtë det të madh revolucionar, që ka shpërthyer në vendin tonë. Ata nuk mund të identifikohen dot me rininë tonë heroike, që i përbuz, pse me pikëpamjet dhe veprimet e tyre përpiqeshin ta degjeneronin moralisht, ideologjikisht dhe fizikisht. Ata nuk mund të identifikohen me njësitet e mëdha të shkrimtarëve, poetëve, kompozitorëve, këngëtarëve e artistëve të talentuar, pse ata i urrejnë si njerëz pavlerë, intrigantë, ngatërrestarë, rrufjanë politikë, përkrahës të rrymave dekadente borgjezo-revizioniste në literaturë e në art dhe armiq të betuar të artit tonë realist socialist.

Lufta e Partisë dhe durimi që ka treguar për anëtarin e saj, Todi Lubonjën, nuk bëri efekt tek ai. Todi Lubonja mbeti një mikroborgjez me të gjitha karakteristikat meskine të njerëzve me këtë origjinë, që nga zemërvogëlsia dhe lufta e përpjekjet që bënte ai, si për të përfituar favore dhe poste të rehatshme dhe deri tek arroganca e megalomania për “vlerat e mëdha” të vetvetes.

Për të, ashtu si edhe për Fadil Paçramin, vija e Partisë dhe horizontet që hapte ajo ishin të ngushta. Për “mendjet e tyre të mëdha” duheshin hapur të tjera perspektiva, “të çlirëta, të gjera, pafund, liberale, moderniste”, në çdo gjë./panorama

LEXO EDHE: Historia e agjentit që u mbajt dy vjet në arkivol